Pse “dosja Shullazi” fajëson qeverinë
“Ato dëshmojnë se njerëzit që refuzojnë të dëshmojnë përpara hetuesve, policisë dhe prokurorëve, kanë frikë. Ata nuk kanë as besimin më minimal tek shteti i tyre. Ata nuk kanë as dyshimin më të vogël se një i fortë me mbrojtje nga lart mund të dënohet”…
Nga Andi Bushati
Ditë pas dite, që pas ndalim-arrestit okult të Emiljano Shullazit, në lajmet e kronikës dallohen disa tituj që të lënë një shije të keqe. Njëherë flitet për një biznesmen që nxiton të mohojë se i është vënë gjobë. Një herë tjetër për një profesor që thotë se nuk i ka njohur kërcënuesit. Pastaj për një dëshmitar që tërhiqet nga ajo që ka thënë.
Veç e veç këto lajme humbasin në cepat e faqeve të kronikës. Por, të bërë së bashku ato marrin një kuptim më të madh. Që e shndërrojnë këtë ngjarje nga një aferë policore në një çështje politike.
Ditët e fundit “Dosja Shullazi” është shndërruar në thelbin e debatit në vend. Opozita sulmon lidhjet e tij me ministrin e Brendshëm dhe me kryeministrin. Jep raste se si ai i ka shpëtuar drejtësisë, dhe paralajmëron lirimin e tij të shpejtë për shkak të mbrojtjes që ka në sferat më të larta të shtetit. Qeveritarët mbrohen me siklet (po të qe për ta do të bënin ç’ishte e mundur për ta shmangur këtë temë) dhe në fund thonë se ata s’kishin ç’bënin më shumë sesa të vinin prangat mbi duart e të fortit.
Por, në këtë debat ku gjithsecili mundohet ta hedhë topin e fajit tek kundërshtari, ato lajmet episodike të kronikës luajnë rolin e rëndësishëm të gurëve në peshoren e së drejtës. Ato na tregojnë më shumë sesa debati në parlament dhe akuzat e ndërsjellëta. Të mara të gjitha së bashku ato dëshmojnë se njerëzit që refuzojnë të dëshmojnë përpara hetuesve, policisë dhe prokurorëve, kanë frikë. Ata nuk kanë as besimin më minimal tek shteti i tyre. Ata nuk kanë as dyshimin më të vogël se një i fortë me mbrojtje nga lart mund të dënohet.
Është pikërisht kjo psikologji frike, treguesi i parë dhe kryesor që dëshmon se nga cila anë peshon e drejta. Është pikërisht ajo që tregon se kjo qeveri edhe nëse nuk është e lidhur me banditët, nuk i ka bindur qytetarët e saj, se ka vullnet për ti luftuar ata. Prandaj njerëzit kanë frikë. Një frikë legjitime që dëshmon shumë më tepër sesa broçkullat që dëgjojmë të enjten në Parlament. (Lapsi.al)