Pse duhet ndryshuar “arti bashkëjetesës” sociale?…
Nga Gëzim Tushi* –
Zakonisht në situata sociale të ndërlikuara, komplekse e jo fort të qarta sikurse është rasti i efekteve të pandemisë Covid 19, është e nevojshme që krahas pushtetit të padiskutueshëm dhe absolut të mjekësisë, duhet edhe intervenimi po aq i domosdoshëm i gjykimit sociologjik, për interpretimin e ndikimit të faktorit social, të llogaritjes së pasojave dhe reperkursioneve shoqërore, kulturore dhe ekonomike të saj.
Në këtë kontekst është e pritur nga njerëzit dhe tërë shoqëria një gjykim i përgjithësuar sociologjik dhe bashkë me të, edhe një lloj angazhimi specifik i sociologëve. Sepse ata e kanë mision disiplinar dhe pushtet të dijes së tyre, që të flasin jo thjesht për atë që duket dhe i shikojnë të gjithë. Njerëzit presin nga sociologët dicka tjetër, më të thellë që ka të bëjë me shpjegimin e duhur të asaj që duket. Kjo situatë sociale që po kalojmë, nën ndikimin e efekteve të zgjeruara të përhapjes së infeksionit dhe dimensioneve në zgjerim të pandemisë, nuk ka nevojë për tautologji. Ca me pak për “përfundime të vdekura” sociologjike.
Koha e shpërthimit të coronavirusit dhe shndërrimi në përmasat e një pandemie globale, është bërë shkak për të vënë në dyshim shume gjëra të mënyrës së vjetër të të jetuarit në shoqërinë shqiptare. Sidomos sistemin e vjetër mbi të cilin ka qënë bazuar “arti i bashkëjetesës” njerëzore. Një gjë duket qartë që tani dhe që do ketë efekte të zgjeruara sociale në hapësirë dhe kohë. Në mënyrë të sigurt besoj se janë dhënë sinjale të qarta sociale, se pandemia do na detyrojë të ndryshojmë paradigmat e vjetra me të cilat kemi parë veten, njëri tjetrin dhe shoqërinë në tërësi. Arti i bashkëjetesës, stili I sjelljes nuk mund të vazhdojë sipas marrëveshjeve të uniformizuara të shoqërisë tradicionale. Koha e ka bërë imperative rishqyrtimin e tyre. Sepse Covid 19 po ndikon fuqishëm në rindërtimin e bashkëjetesës sipas parimeve të shëndetit. Që do ndikojë në të gjithë gamën e “ndërveprimeve sociale”, në mënyrat si do rindërtohen marrëdhëniet midis njerëzve. Qoftë në lidhje të fokusuara apo spontane e të pafokusuara, në raportet e vendosura me njerëz të njohur apo të panjohur.
Njerëzit të ndodhur përballë ndryshimeve në mënyrat e sjelljes dhe modulet e bashkëjetesës, me të drejtë pyesin: A do jetë normale kjo mënyrë të jetuari?
Në mënyrë evidente këto situata po diktojnë nevojën për një ndryshim thelbësor të “ndërgjgjegjes praktike” të njeriut. Norma të reja të sjelljes sociale kanë dalë në evidencë, të cilat po bëhen determinante për mënyrat e reja të mirësjelljes, komportimit të njerëzve sidomos në ambientet publike. Që në mnyrë të natyrshme po shoqërohen me një “kontratë” të re të marrëdhënieve sociale lidhur me mënyrat e rindertimit të dobishëm të moduleve të sjelljes dhe mirësjelljes njerëzore.
Akoma nuk është deri në fund e qartë se deri në cfarë pike do të ndikojë situata e pandemisë, në thelbin, tipologjinë dhe formatin social të lidhjeve njerëzore. Është shpejt për të dhënë konkluzione përfundimtare, në se shoqëria postcovidiane do të jetë unike, humane e solidare si në të kaluarën apo Covid 19 do të ndikojë që ajo të bëhet më e fragmentuar. Unë besoj se pandemia është një shkak mjekësor, por që do të shoqërohet të paktën me sjelljen e dy pasojave sociale. Në mënyrë të padiskutueshme ai do të ndikojë në ndryshimin e natyrës së shoqërizimit (pavarësisht se sa I thellë do të jetë ky ndryshim). Nga ana tjetër ndryshime pritet të ndodhin (ato kanë filluar) edhe në mënyrën e veprimit të institucioneve mjekësore, sociale, të disiplinës dhe sigurisë morale.
Cili do të jetë sintonizimi social pas Covid 19?
Jemi përballë me një sfidë sociale globale, të re dhe të panjohur më parë. Sigurisht asnjëherë në historinë e njerëzimit pandemitë, sado të gjata, të rrezikshme dhe me pasoja të kenë qënë nuk kanë mundur ta mposhtin atë. Me këtë shpresë historike, besojmë se edhe pandemia e Covid 19 do të na bëjë më të aftë për të përballuar vështirësistë e reja që do vijnë si pasojë e saj. Padyshim pandemia ka sjellë shumë pasoja, e cila ndihet në mënyrë evidente nje lloj vakumi ekzistencial. Sociologët thonë se po jetojmë në një botë në të cilën shumica e gjërave janë të përkohshme. Por kjo nuk do të thotë se ndikimet dhe restriksionet që ajo ka sjellë, duhet të na cojë drejt situatave të një jete të frikshme. Gjithë problemi është, si mund të orientohemi drejt, në mënyrë që të kemi si bazë jetike piketat e të sigurtës, të qëndrueshmes, jetës me kuptim.
U bë një kohë e gjatë që njerëzimi planetarisht është duke u përballur me pasojat e pandemisë. Praktikisht analizat, prognozat, gjykimet mjekësore dhe paragjykimet sociale janë të ndryshme. Është e vërtetë që virusi është kudo i njëjtë, me efekte dhe pasoja të ngjajshme. Por në të njëjtën kohë “dyert e interpretimit” të këtyre pasojave janë të ndryshme. Secili politikan, sociolog, psikolog etj, në këtë debat të zgjeruar përpiqet të “hapë derën” e tij të interpretimit të pandemisë. Parashikimi sociologjik, se kjo epokë në të cilën kemi hyrë do të jetë e karakterizuar nga ndërprerjet, inkoherenca, befasia po vërtetohet. Pandemia po i bën këto dukuri tipare e kushte të zakonshme të jetës sonë. Në këto kushte është në mënyrë evidente do jetojmë, sot dhe në të ardhmen në kushtet e “shoqërisë së pasigurive” ekzistenciale.
Pandemia është një realitet i ri social dhe medikal që na detyron t’i bëjmë llogaritë sociale dhe personale, ndryshe nga cfarë I kemi bërë më parë. Jemi në kushtet kur qoftë individualisht apo si shoqëri, po kërcënohemi gjithnjë e më shumë nga rreziqe të reja, të panjohura më parë.
Covid 19 është njëri prej tyre. Por në shoqërinë e rrezikut, është afër mendsh që të jemi vazhdimisht të kërcënuar nga rreziqe të tjera. Të reja ose të panjohura më parë. Në këto kushte na duhet një tjetër lloj “algjebre mendore”, që duhet të përshtasë më mirë sjelljen individuale dhe atë sociale me sfidat, të papriturat dhe të paparashikuarat e “shoqërisë së rrezikut”. Njerëzit janë të detyruar të përmirësojnë në përputhje “artin e bashkëjetesës”, stilin individual të sjelljes.
Në fund të fundit pandemia ka “meritën” e detyrimit për të ndryshuar një zinxhir të ndryshkur të zakoneve dhe marrëdhënieve sociale, që duken qartë si të padobishme dhe të papërshtatshme me situatat. Kjo do të thotë që tashmë duhet paralelisht të vlerësojmë të vërtetat e reja që na diktohen, duke parë me kujdes dhe respektuar normat e reja të sjelljes, që kanë të bëjnë me shëndetin e shoqërisë, mënyrat e sjelljes sociale të individit. Shoqëria shqiptare me siguri do të detyrohet të përpunojë modalitete të reja të bazuara mbi parimet e shëndetit, duke rregulluar në mënyrë më të kujdesshme individualizmin dhe nevojën për autonomi të njeriut postmodern, me detyrimin për të qënë në të njëjtën kohë në shoqëri, në bashkësi sociale e struktura komunitare të caktuara mbi bazë territori, profesioni, etj.
Sepse arti i të bashkëjjetuarit me të tjerët, është cilësi parësore e ekzistencën njerëzore, që duhet parë si përgjegjësi sociale për veten dhe për tjetrin. Këto janë rregullat dhe menyrat e komportimit të njeriut me qytetërimin postmodern. Filozofët me kohë kanë pohuar, se “qytetërim do të thotë përmbysje e disa ideve të pranuara”. Padyshim tani jemi përballë imperativit, kur kemi nevojë evidente për disa konstante të reja sociale e qytetare, të cilat na detyrojnë të përmirësojmë artin e bashkëjetesës, duke u sjellë ndryshe, duke respektuar në të njëjtën kohë normat e reja të sjelljes sociale. Domosdoshmëritë e vjetra të bashkëjetesës do të ndryshojnë. Kjo po ndodh me njeriun modern dhe artin e bashkëjetesës njerëzore në epokën postcovidiane…
*Sociolog, Mjeshtër i Madh