Pse duhet të jemi të gjithë me Ilir Metën më 2 mars

Fitim Zekthi

Nga Fitim Zekthi –

Gjykata Kushtetuese është thelbi i gjithë garancive që sistemi politik i një vendi të mos bëhet tiranik dhe të shkatërrojë liritë dhe jetët e qytetarëve. Formalisht, Gjykatat Kushtetuese kanë marrë jetë në Europë pas Luftës së Parë Botërore. Vendi i parë europian që u bë me Gjykatë Kushtetuese ishte Austria. Prej dekadash dhe shekujsh, në shumë vende të Europës kishte pasur elemente të ndarjes së pushteteve, të kontrollit të pushtetit të qeverisë, të vendimmarrjes së saj dhe të Parlamentit, por Gjykata Kushtetuese nuk kishte pasur (duke përjashtuar këtu SHBA-në). Në këto kushte, kur garancitë për një sistem politik që nuk bie në tirani, që nuk grabit institucione dhe nuk shkatërron liritë e njerëzve, po zhbëhen, atëherë qëndrimi përballë është e vetmja zgjidhje.

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka muaj të tërë që po e denoncon këtë turp dhe këtë krim kombëtar mbi të ardhmen e vendit. Pas mosreagimit të plotë dhe pas vazhdimit po me atë zell për të kapur Gjykatën Kushtetuese, Presidenti ka thirrur një protestë popullore në 2 mars. Qeveria ka zgjedhur ta sulmojë Presidentin si njeri që bën lojën e opozitës, që është në opozitë apo që është opozita. Njerëz të saj në media thonë po të njëjtën gjë. Madje disa syresh thonë edhe që Presidenti kërkon të zbehë rolin e Bashës si kryetar i opozitës, kërkon protagonizëm si njeri i opozitës. Ata thonë se Presidenti bën lojë, ka qenë dikur me Ramën, është vetë përgjegjës, i ka votuar ligjet etj. Ka syresh që thonë se Presidenti ka frikë nga SPAK-u apo është i korruptuar etj. Në të vërtetë, debati i ndershëm që duhet të bënte sfera publike dhe shoqëria, duhet të ishte nëse po grabitet Gjykata Kushtetuese, nëse ka të drejtë Presidenti, nëse Dvorani, KED, KLP, KLGJ dhe sigurisht Rama po luftojnë të marrin Gjykatën. Sa për akuzat se gjasme Meta kërkon të zbehë apo dublojë rolin e Bashës, këto janë qesharake. Basha është kryetari i PD-së dhe alternativa për kryetar qeverie.

Këtë e njeh si fakt vullneti popullor, elektorati, e njohin mediat edhe pse shumë nuk duan, e njohin miqtë tanë ndërkombëtarë. Këto shtatë vite kanë mjaftuar për të hedhur tej çdo budallallëk, që për hir të së vërtetës ka dalë nga PS-ja dhe nga njerëzit e Ramës në media mbi PD-në, mbi opozitën, mbi Bashën. Meta, më shumë se kushdo, e di këtë. Kjo është një shigjetë e ndryshkur e hedhur nga Rama dhe asgjë më shumë. Rama është një njeri i varur nga planifikimet, skemat, kurthet, të cilat nuk bëhen dot pa shpifje dhe pa sajesa. Ai mendon se po të hedhë këtë budallallëk në qarkullim njerëzit e PD-së do të ndryshojnë mendim për Bashën apo për Metën, do të nisin të dyshojnë te Basha apo te dikush tjetër. Asgjë nuk ndodh. Opozita nuk është një fushë ku gjarpërojnë shumë rryma, por një lumë në të cilin derdhen shumë rryma. Meta sot është Presidenti i Republikës, një politikan i fortë, që po bën një betejë që askush në atë rol nuk do ta bënte!

SHKARKO APP