Pse edhe vetë socialistët do ta refuzojnë Ramën në 25 prill?

Nga Red Varaku-

Jemi gati në fund të mandatit të dytë të Edi Ramës dhe nëse i bëjmë një bilanc premtimeve të tij , ai nuk ka realizuar pothuajse asnjë premtim që ka bërë gjatë fushatës së vitit 2013.

Përkundrazi, të gjitha ato të ashtuquajturat “reforma” gjatë këtyre viteve kanë rezultuar në mekanizma transferimi të parave publike tek klientët e tij.

Përmes tyre, ai jo vetëm nuk e përmirësoi frymën e qeverisjes, por e përkeqësoi më tej atë, për të vazhduar projektin e tij për asgjësimin e demokracisë, instalimin e një regjimi autoritar, përmes asgjësimit të opozitës.

Gjithashtu, ai ka dështuar me sukses reformën në drejtësi, për të cilat pritshmëritë e opinionit publik ishin tepër të larta, duke lënë të pandëshkuar korrupsionin endemik, i cili është shpërndarë si helm në të gjithë trupin e Shqipërisë.

Lënia e vendit pa drejtësi ka sjellë dhe mosndëshkimin e përgjegjësve. Mosndëshkimi ka sjellë dhe rrënimin ekonomik dhe degradimin shoqëror në shkallë të paimagjinueshme dhe të padëgjuara deri tani.

Ndërsa, ri-instalimi i veglave qorre të qeverisë dhe njëkohësisht i pasardhësve të drejtëpërdrejtë të regjimit, duke e kthyer atë në një mekanizëm okult kundër kundështarëve politikë, ka vrarë përfundimisht shpresën, se këta individë një ditë do të ndëshkohen.

Është pikërisht mungesa e drejtësisë dhe e shpresës se ajo një ditë do të jetë e pavarur, që ka sjellë dhe demoralizimin më të madh të qytetarëve të ndershëm të këtij vendi.

Kjo ka krijuar këtë klimë të mërzitshme të një pesimizmi të sëmurë, që ka degraduar në një dhunë dhe përbuzje të hapur shtetërore, e cila është derdhur pa kursim, në formë injorance dhe ligësie, deri në skutat më të largëta të mjerimit.

Pra, ky njeri në vend që të sillte shpresë, solli një terror politik të pashembullt. Politika e tij deri tani nuk ka qenë gjë tjetër, veçse një kombinim vrasës i politikës së frikës, iluzionit dhe një ekonomie të mërzitshme.

Të gjithë janë dëshmitarë të kësaj simfonie kamzhiku dhe terrori. Të gjithë e shohin gjunjëzimin e ngadaltë të shoqërisë. Të gjithë e ndjejnë pafuqinë e saj përballë dinosaurëve të krimit dhe kamzhikut të pushtetit .

Rama është kthyer në një simbol të urrejtjes ndaj demokracisë. Prej tij buron një mllef i sëmurë dhe i lig, i cili ka vite që gatuhet në magjen e errët të sofrës së vjetër të “Bllokut”, një lloj rekonkuiste qesharake, e cila duhet ndaluar menjëherë, para se të jetë shumë vonë.

Ai ka ndërtuar një makineri propagandistike me qëllim, që jo vetëm të na bëjë të konsumojmë dhimbje, por edhe ta propagandojmë atë si një formë argëtimi. Kështu ai po tenton të dërrmojë në mënyrë të parikuperueshme aftësinë tonë për t’u ringritur.

Kështu ka degraduar dhe PS. Qëllimisht, e ka thyer atë një kolektivitet sado-mazokist, i cili ushqehet me poshtërimin, hakmarrjen, ndëshkimin dhe përbuzjen e kundërshtarit.

Ai e ka katandisur atë në mëshirë të një grupi individësh, që nuk kanë asnjë lidhje me historinë e saj. Prej saj janë zbuar të gjitha figurat politike dinjitoze dhe ajo është mbushur me perversë sado/mazokistë dhe kasnecë të krimit, duke e rrezikuar seriozisht të ardhmen e kësaj partie.

Sigurisht, pavarësisht justifikimeve dhe kapërcimeve logjike, që tentojnë të bëjnë propagandistët e oborrit të kryeministrit , të gjithë e dimë që kjo situatë e rëndë ka vetëm një përgjegjës.

Ai është Edi Rama.

Ai është përgjegjësi kryesor për këtë degradim të shtetit dhe rrënim të normave bazë të sjelljes politike. Ai është njeriu që u mandatua nga qytetarët shqiptarë me një milion vota për të bërë “ndryshimin e madh” që të gjithë prisnim.

Por, gjatë dy mandateve të tij, ai jo vetëm nuk përmirësoi asgjë, por përkeqësoi gjithçka, duke e kthyer atë në një mandat barbarie mbi pasurinë e shqiptarëve dhe në një mandat sulmi për degradimin dhe më tej asgjësimin e demokracisë.

Bash për këtë ai do të ndëshkohet më rëndë se çdo kryeministër tjetër nga qytetarët shqiptarë dhe bash për këtë do të marrë refuzimin , injorimin dhe përbuzjen edhe të socialistëve të ndershëm.

Sepse, edhe vetë socialistët janë të zemëruar dhe ndjehen të fyer nga gjestet e këtij njeriu. Ata e kanë të qartë që një mandat tjetër do ishte jo vetëm shkatërrues për vendin, por edhe për vetë PS. Dhe kjo e bën më të pashpresë mandatin e tretë .

Të gjithë sot, të majtë e të djathtë, të qendrës, me parti dhe pa parti , janë të bindur që vetëm largimi i tij mund ta frenojë rrënimin e mëtejshëm të agjentëve jetikë shoqërorë, të cilët mund prodhojnë një kritikë dhe presion ndaj elitës qeverisëse dhe sjellin ndryshim në trajektoren e ndërgjegjes kolektive.

SHKARKO APP