Pse Edi Rama më shpalli për së dyti “Armik i Popullit”, dhe një histori personale

Nga Jozefina Topalli.

Dje,tamam kur në Itali u hap lajmi se nje tjetër skaf u kap në Itali me 1 ton drogë nga Shqipëria , Kryeministri i vendit tonë Edi Rama, nga godina e rikonstruktuar e Ministrisë së Brendshme, mes të tjerave tha: Policia ka një armik më të madh se krimin, PD.

Të sulmosh popullin opozitar nga Ministria e Brendshme nuk është vetëm politizim ekstrem i policisë, por është kërcënim i dhunshëm, që as nuk imagjinohet në vendet me demokraci.

Megjithatë kjo është pjesa më “minore” në këtë histori. Ajo që të kujton etërit e diktaturës është krahasimi i njerëzve opozitarë si njerëz të partive fashiste , fiks siç bënin në 1990 kur shqiptarët po rrëzonin sistemin. Por kulmi ishte, kur Edi Rama na quan ne si armiq , armiq më të rrezikshem se krimi.

Ky është mentaliteti stalinist i një njeriu që urren këdo që nuk pajtohet me të. Ky është një alarm i përsëritur i një sjellje lunatike. Edi Rama konsideron opozitën armike më të rrezikshme se krimin.

Kjo të lë pa fjalë. Kjo duhet të shkundë këdo që kupton e beson sadopak nga demokracia, liria, ligji, të drejtat politike, të drejtat njerëzore . Dje kur po e dëgjoja , mu kujtua një histori personale e viteve 90.  Sapo kisha mbaruar gjimnazin dhe po bëja gati dokumentet për të kërkuar te drejtën e Shkollës së Lartë. E dija që me 99% nuk do më jepnin atë të drejtë, por përsëri kisha ne fund të shpirtit një rreze shprese. Im atë që po me ndiqte në përgatitjet e mia më tha:- Nuk të japin të drejtën e shkollës , ti e din këtë.

Edhe pse e dija se babai kishte të drejte, përsëri u mbrojta duke iu pergjigjeur se ” kam rezultatet më të mira të gjitha viteve në gjithë qytetin, nuk mund të mos më japin të drejtën e shkollës. Në fund unë matematike dua të studjoj. Kam fituar përherë vendin e parë këtu në olimpiadë të matematikës. Këtë degë se preferon njeri.

Babai , që më ndiqte me sy gjithë dhimbje shtoi “Po, ne na kanë klasifikuar armiq të popullit. E kupton çfarë do thotë?”. Unë u ngriva. Njerëzit e mi ishin dergjur burgjeve dhe internimeve këtë e dija, por nuk e dija se ne ( edhe une, edhe pse 18 vjeçe) isha armike e popullit. Kujtoj që mbeta me deftesë në dorë e ngrirë ; shikoja nga babai dhe nuk e kuptoja.. pse isha armike e popullit? Pse?!…

SHKARKO APP