Pse është e pamundur të mposhtet nacionalizmi

Nga Stephen M.Walt

Ideja që njerëzit formojnë fise të veçanta bazuar në një gjuhë, kulturë, përkatësi etnike dhe vetëdije të përbashkët, dhe që grupe të tilla, duhet të jenë në gjendje të qeverisin vetveten, ka diktuar historinë e 500 viteve të fundit, në mënyra që ende shumë njerëz nuk i kuptojnë plotësisht.

Ishte nacionalizmi, ai që nxiti vendimin e britanikëve për të dalë nga Bashkimi Europian, edhe pse liderët e lëvizjes nuk po e kuptojnë, se dalja nga unioni ka të ngjarë të varfërojë shumicën e britanikëve, dhe kjo mund të çojë në shpërbërjen e mundshme të gjithë Mbretërisë së Bashkuar.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e përdori nostalgjinë nacionaliste për një të kaluar të imagjinuar (“Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe) për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016, dhe nacionalizmi përbën ende bazën e politikave të tij proteksioniste dhe anti-emigrante, të cilat garantojnë besnikërine e mbështetësve të tij.

Nacionalizmi është thelbësor edhe për përpjekjet ambicioze të presidentit kinez Xi Jinping, për ta bërë Kinën një lidere botërore, dhe është termi i përbashkët që bashkon politikanët e krahut të djathtë evropian në Francë, Austri, Itali, Hungari dhe Poloni. Në fakt, kudo nacionalizmi shihet sot në veprim.

Por pse nacionalizmi është kaq i fuqishëm, dhe pse ndikimi i tij është kaq shumë i rëndësishëm? Së pari, njerëzit janë qenie sociale. Nga momenti që lindim, ne i përkasim një lloj ta caktuar komuniteti – një familje, fisi, fshati, krahine, dhe sot një vendi të caktuar.

Për shkak se ne varemi që në fillim nga ata që na rrethojnë, njerëzit kanë evoluar për të qenë shumë të ndjeshëm ndaj dallimeve mes grupit dhe atyre jashtë grupit. Të ishe në gjendje të identifikoje dikur miqtë dhe armiqtë e tu, ishte jetike për mbijetesën, dhe është konjitivisht më e lehtë të mbështetesh mbi tregues të thjeshtë (“ai flet gjuhën time”, “ai duket ndryshe nga grupi im”), sesa të bësh një vlerësimi të thellë të karakterit apo prirjeve të tjetrit.

Duke pasur parasysh këto imperativa evolucioniste, nuk është e habitshme pse ne njerëzit jemi më të ndjeshëm ndaj dallimeve të tilla, më shumë sesa duhet të ishim në fakt. Kjo s’do të thotë që nuk mund të shohim përtej fiseve tona, apo të krijojmë lidhje të fuqishme me të tjerët, apo se nuk mundemi të ripërcaktojmë me kalimin e kohës se kush është “brenda” apo “jashtë” grupit.

Thënë thjesht: kemi një prirje të fortë për t’u identifikuar më fuqishëm, me ata që i konsiderojmë se janë “si ne”.

Deri tani, “kombi” ka qenë grupimi më i madh kulturor me këtë lloj tërheqjeje të qëndrueshme për anëtarët e tij. Tiparet përcaktuese që përbëjnë një komb mund të ndryshojnë, por zakonisht përfshijnë një gjuhë dhe kulturë të përbashkët, një origjinë territoriale dhe një narrativë të përbashkët të së kaluarës kolektive.

Më e rëndësishmja, një komb është një grup njerëzish, të cilët e konsiderojnë veten si një komunitet unik me një identitet të veçantë. Sikurse shprehej Benedikt Anderson, kombet janë “komunitete të imagjinuara”, ku të panjohurit e njohin dhe pranojnë njëri-tjetrin si pjesë të të njëjtit grup.

Për më tepër, siç e thekson Xhon Mearshajmer në librin e tij të fundit “Zhgënjimi i madh”, fuqia e nacionalizmit mbështetet pjesërisht në marrëdhënien e tij simbiotike me shtetin. Duke pasur parasysh presionet konkurruese të qenësishme në një botë pa një autoritet qendror, shtetet kanë nxitje të fuqishme për të inkurajuar unitetin kombëtar brenda kufijve të tyre, në mënyrë që qytetarët të jenë besnikë dhe më të gatshëm të sakrifikojnë për shtetin kur është e nevojshme.

Pra, në botën moderne kombet duan që shtetet e tyre të sigurojnë mbijetesën dhe autonominë e tyre, ndërsa shtetet nxisin nacionalizmin për të forcuar veten, dhe ruajtur pavarësinë e tyre. Lëvizjet nacionaliste shpresojnë të shtojnë radhët e shteteve anëtare të OKB-së, ndërsa shtetet bëjnë atë çka munden për të shtypur lëvizjet e pavarësisë brenda kufijve të tyre, dhe për të krijuar një trupë homogjene të qytetarëve besnikë.

Në raste ekstreme, minoritetet dëbohen, masakrohen ose “ri-edukohen” (siç po përpiqet të bëjë Kina me popullsinë e ujgurëve në Xinjiang). Këto dy bërthama, kombi dhe shteti, ndihmojnë në shpjegimin se pse nacionalizmi mbetet një forcë aq e fuqishme dhe e vazhdueshme. Dhe mos u gënjeni: ndikimi i tij është shumë i thellë.

Edhe individët tepër të arsimuar dhe në përgjithësi skeptikë (siç jam edhe vetë), nuk janë aspak të imunizuar ndaj efekteve të saj. Por, përse duhet të shqetesohemi për këtë fenomen të fuqishëm dhe të qëndrueshëm? Së pari, për shkak se ndjenja kombëtare shfrytëziohet lehtësisht nga udhëheqësit politikë, përfshirë shumicën e demagogëve, aktivitetet e të cilëve aktualisht po diktojnë politikën në mbarë botën.

Autoritarë potenciale si kryeministri hungarez Viktor Orban, apo oportunistë cinikë si britanku Boris Xhonson, mund t’i bindin mbështetësit e tyre, se ata janë të vetmit mbrojtjës kundër rënies kombëtare, apo madje edhe shfarosjes.

Së dyti, narrativat nacionaliste inkurajojnë standardet e dyfishta. Amerikanët denocojnë Rusinë e presidentit Vladimir Putin për veprimet e tij në Ukrainë, por ne harrojmë se ne kemi bërë shumë gjëra të ngjashme në të kaluarën. Për shembull, të njëjtën njerëz që kërkuan me ngulm që SHBA-ja të pushtonte Irakun në vitin 2003 (mbi bazën e argumenteve të dyshimta, dhe “provave” të fabrikuara), ishin të parët që nxituan të sulmojnë Rusinë për ndërhyrjen e saj në Ukrainë.

Së treti, nacionalizmi mund të hyjë në rrugën e kompromisit potencial politik, sidomos kur përfshihet territori i supozuar i shenjtë kombëtar. Serbia, nuk kishte ndonjë arsye racionale që të përpiqej ta mbante Kosovën në vitin 1999 (popullsia lokale përbëhej më shumicën dërrmuese nga shqiptarët e Kosovës që janë armiqësorë ndaj Beogradit, dhe vetë rajoni nuk kishte ndonjë vlerë të madhe strategjike apo ekonomike), por Beogradi nuk mund të lejonte shkëputjen, pasi Kosova ishte djepi i identitetit kombëtar serb.

Së katërti, nacionalizmi ka qenë prej kohësh një burim i mundshëm i besimit të tepruar, sepse shumica (në mos të gjitha) mitet kombëtare, përfshijnë pretendime për superioritet ndaj të tjerëve. Pra, na thuhet shpesh që kombi ynë jo vetëm është i ndryshëm nga të gjithë të tjerët, por është edhe më i miri.

Nacionalizmi, është i vështirë të ndahet nga krenaria kombëtare, dhe krenaria e bën më të vështirë besimin se të huajt mund të na mundin ne në një garë të drejtë. Sigurisht, nacionalizmi nuk është pa virtyte. Bindja e individëve për të bërë sakrifica për të mirën e përbashkët, nuk është një gjë e keqe, dhe një shkallë e shëndetshme e unitetit politik dhe e krenarisë në arritjet e vërteta të një vendi, është sigurisht më e preferueshme ndaj luftrave të egra dhe të hapura që kanë përçarë sot shumë demokraci.

Sidoqoftë, nacionalizmi nuk do të zhduket ndonjëherë. Prandaj, sfida është të njohim vlerat e tij, dhe të kufizojmë anët e tij negative. Kjo, është sigurisht më e lehtë të thuhet se sa të bëhet. Më së paku, duhet të njihet dhe respektohet fuqia dhe këmbëngulja e tij.

Ndër të tjera, një respekt i shëndoshë ndaj fuqisë së nacionalizmit, do të dekurajonte shtetet e fuqishme nga mendimi se mund ta riformësojnë botën sipas dizenjove të tyre të veçanta, dhe të na ndihmojë të shmangim fantazitë histerike që kanë shkaktuar aq shumë dëme vitet e fundit. Ne jetojmë në një botë me nacionalizëm të furishëm, që nuk do të ndryshojë së shpejti, dhe pranimi i këtij fakti përbën një bazë të mirë për të ndërtuar një politikë të jashtme më realiste.

 

Shënim: Stephen M.Walt, është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit, SHBA.

“Foreign Policy” – Bota.al

SHKARKO APP