Pse është i besueshëm sulmi terrorist ndaj kombëtares izraelite
Forum E Martë, 4 Maj 2021 22:02
Nga Arbe Idrizi.
Shqiptarët ndoshta nuk janë antisemitë, por shqiptarët myslimanë në përgjithësi, jo vetëm ata të sekteve ekstremiste që ndjekin xhihadin, janë që ç’ke me të. Natyrisht, urrejtja vjen nga religjioni. Në opinion, ka përgjithësisht një urrejtje dhe përçmim për hebrenjtë dhe religjionin e tyre, sa justifikohet çdo përndjekje dhe krim që është bërë, bëhet e do të bëhet ndaj tyre, kudo qoftë dhe nga kushdo qoftë. Sado që vendi ynë ka qenë pjesëmarrës i Luftës Antifashiste dhe sado që ka një mit se shqiptarët kanë shpëtuar hebrenj (mund edhe të jetë i vërtetë në një masë të caktuar), gjatë luftës ka pasur formacione ushtarake naziste dhe më pas, në opinion, ka pasur përherë simpati për Hitlerin dhe janë tumirur krimet e tij monstruoze. Mund të jetë se kjo që do të them është banalizim i diskutimit, mirëpo për shqiptarët myslimanë, Hitleri ka qenë një “dajë”, titull me të cilin e nderonin për qëndrimin e tij gjoja simpatik ndaj shqiptarëve.
Nuk dëshiroj ta jap këtë paragraf si një thjeshtëzim të mirëqenë të gjendjes. Po përpiqem të them shkurt pse është për mua i besueshëm lajmi se persona të besimit islam, përkatësisht ndjekës të xhihadit, tashmë të arrestuar, po planifikonin sulm terrorist në Shkodër, në ndeshjen futbollistike Shqipëri-Izrael.
Në të vërtetë, caqet e sulmeve ishin më shumë se sa ai takim. Në Kosovë do të sulmoheshin institucionet shtetërore, sidomos ato të rendit. Madje, një i tillë veç është parandaluar.
Grupi i dyshuar përbëhej nga shqiptarë myslimanë nga të gjitha trojet shqiptare, e për më tepër pastaj, dyshohet, edhe nga boshnjakë. Se përbëheshin me shumicë vetëm nga shqiptarë, është aksidentale. Ngase në qëllimet e tyre, nuk i bashkon përkatësia kombëtare as gjuhësore, por ajo fetare. Duke qenë kështu, armiqtë e tyre gjenden edhe brenda përkatësisë kombëtare. Pa asnjë dallim. Armiku është gjithkund ku nuk ka dhe gjithsesi që nuk i është i përkatësisë së tyre fetare, përkatësisht ndjekës i mësimeve të tyre radikale.
Në këtë mes, sulmi i mundshëm ndaj kombëtares izraelite dhe sulmi ndaj burgut ku mbahen të dënuar për terrorizëm në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni, apo ndaj institucioneve të tjera shtetërore, është në të njëjtën kohë dhe vetëm sulm ndaj të pafeve, ndaj atyre që ata i konsiderojnë armiq të fesë së tyre.
Se grupe dhe persona ekstremistë duan dhe mund të kryejnë sulme terroriste në vend, e tregon pjesëmarrja e qindra personave në Shtetin Islamik.
Viktimat e tyre, disa prej të cilave na i kanë shfaqur vetë në media e rrjete sociale, me krenari, nuk kanë qenë persona të një përkatësie kombëtare, kanë qenë persona të përkatësie fetare ose sekti tjetër nga ai i tyri. Do të thotë: armiq.
Të tillë jemi edhe ne, shumica. Do të thotë: armiq. Shteti që kemi zgjedhur ne është një shtet sekular. Do të thotë: armik.
Të gjitha parakushtet, me mendjen e tyre, që të shkatërrohemi.
Mirëpo, kam frikë, këto grupe ekstremiste fetare në fund mund ta përdorin si maskë përkatësinë kombëtare dhe gjendjen e nderë në rajon. Kur hasin në një rezistencë pranimi dhe përkrahjeje në vend, mund të ndërrojnë strategji dhe të për ta arritur qëllimin final, ta përdorin luftën ndaj përkatësive të tjera kombëtare si një urë kalimi. Kjo në fakt do të bënte gjendjen edhe më tragjike. Për të gjithë. Në veprime të tilla, fatkeqësisht, do të kishin një lloj përkrahjeje dhe sidomos do të sillnin një lloj kënaqësie te një masë më e gjerë, tek e cila urrejtja nacionale është e gjallë dhe e fuqishme. Një sulm terrorist ndaj përkatësive etnike të tjera nuk do ta revoltonte masën në masën që do të revoltohej po të bëhej sulmi me arsye fetare dhe brenda etnisë. Nacionalizmi, urrejtja, mosdirimi, përçmimi janë ndjenja që prodhojnë përbindshmëri.
Planifikimet e fundit terroristike tregojnë se edhe në vendet tona po ngushtohet rrethi. Dhjetëra sulme janë parandaluar, dhjetëra terroristë potencialë janë arrestuar, por kjo nuk na krijon kurrfarë sigurie. Terrorizmit i mjafton një çast dhe një person i vetëm.