Pse Grida Duma meriton Durrësin
Forum E Premte, 16 Prill 2021 15:47
Nga Baton Haxhiu.
Unë e di që zgjedhjet në një pjesë të madhe do t’i fitojë “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”. Dhe mirë që do të ndodhë kështu. Për këtë qëndrim kemi plot arsye. Në të njejtën kohë dua që Grida Duma të fitojë në Durrës.
Pse ky qëndrim?
Një kohë të gjatë gazetat prestigjioze dhe analistë e opinionbërës në shumë vende me demokraci stabile marrin qëndrim për situata zgjedhore. "Washington post", një ditë para zgjedhjeve, dikur, kishte shkruar “Vote for Gore”. Kjo nuk do të thotë se një opinionist bën një anim, por mban një qëndrim që mbështetet në bindje për kualitetin e një kandidati. Sot, po shkruaj dhe po qartësohem më bindje “Votoni për Gridën”.
Pse?
Nëse prek pak profilin e saj mund të them këtë: "Negociata dhe kompromisi" janë shenjat kryesore të flamurit të saj politik. "Përballja me problemet jo duke shembur ata që glorifikuam deri dje, por duke vazhduar punën nga aty ku ka mbetur për të zgjidhur porblemet e vendit", kështu qartë thotë Grida Duma në një intervistë për një gazetë shqiptare. Në fakt mjaftojnë këto parime për të kuptuar se pse demokratja e shkolluar në SHBA është nga ato profile politike që të bëjnë të mos pyesësh fare se cilës parti, cilit shtet, cilës kulturë i takojnë. Pikërisht për këtë, Grida Duma, me siguri do ta sfidojë garën me Aleancën për Shqipërinë Evropiane. Edhe socialisti militant, që më siguri nuk dëshiron askënd të PD-së për kryetar të Durrësit, do ta ketë vështirë të mos e zgjedhë Dumën si kryebashkiake të Durrësit.
Pse?
Nga të gjitha femrat e politikës shqiptare Grida Duma është ndryshe. Të tjerat sapo ngrohnin ndonjë pozitë të merituar, në atë konkurrencë burrash, filloinë menjëherë që në vend të sjelljes profesionale, të shquhen me arrogancë, të harrojnë integritetin dhe të imitojnë parinë e partisë a qeverisë duke sharë e ofenduar edhe më keq se mentorët e tyre. Grida jo. Sillet e lirë, e barabartë dhe e pavarur. Edhe përtej territorit të karrierës së saj personale, shfaqja e një politikaneje të tipit të zonjës Duma, pikërisht në Shqipërinë ballkanike mund të jetë një ogur i shumëpritur dhe më fat. Dhe kjo për tri arsye:
E para: kemi të bëjmë me një politikane që në konceptin e saj, kryefjalë ka pragmatizmin e jo folklorizmat e përziera me utilitarizëm personal ose në favor të një politike të ngurtë që nuk duron kompromise. Si e tillë, ajo lanson një stil të ri politikbërjeje për aspirantët e rinj, të cilët, duke marrë atë si shembull, besojnë se në politikën shqiptare, të korruptuar politikisht e strukturalisht, mund të realizohesh edhe vetëm në sajë të aftësive personale.
E dyta: Grida Duma është e bukur. Por jo model për vitrinë, nga ato që në sajë të bukurisë femërore përfitojnë në sfera të tjera të jetës. Ajo është e dijshme, e bukur dhe e aftë për të transmetuar jo vetëm synimet e saja politike si kandidate, por madje edhe një koncept tjetër, fare të ri se ç'mund ta ketë mësuar nga etërit e partisë së saj, atë të politikës pragamatike, racionale, të kompromisit dhe kulturës politike që i kanë bërë demokracitë e mëdha të perëndimit. Pa hamendje, nëse nesër ajo ngritet në pozitat e një lidereje demokratike ndryshon për shumëçka peisazhi politik shqiptar, e sidomos ai i PD që pas këtyre zgjedhjeve rrezikon të ketë një zbehje të dukshme.
E treta: Demokracia pa konkurrencë si në kontekst të barazisë gjinore ashtu edhe në atë të ideve, partive, taborreve, pra pa pluralizëm edhe në qeverisje është e dënuar të përfundojë në degresion, në monizën, njëtrajtshmëri. Nëse një shumicë e madhe, siç mendoj se pritet, e bashkive të vendit përfundojnë në duart e një partie, qoftë edhe asaj më të preferuarës tonës, nuk do të jetë mirë, sepse do të lëndohet dhe do të lëngojë jo vetëm konkurrenca për dëshmim, por edhe kontrolli reciprok pozitë- opozitë do të jetë i beszdisshëm, zhurmshëm, sipërfaqësor dhe ngulfatës për vendin. Vendi do të shkojë drejt mungesës së ekuilibrit.
Shikuar nga gjitha këto aspekte, Durrësi do të luante një rol ekzemplar në historinë e politikës shqiptare, duke votuar për një kryebashkiake, jo për shkak të arsyeve periferike politike si deri më tani, por për një personalitet të kompletuar, femër, e cila posedon të gjitha aftësitë për ta ndërtuar një polis- opozitë kualitative, model, shembull për politikën në Shqipërine e nesërme Evropiane.
Grida duhet të fitojë edhe për faktin se ajo do të jetë e vetmja pikë opozitare kundër të majtës dhe pikë reference për ta ruajtur gjallë të djathtën. Por edhe më shumë, nëse Grida fiton. Shqipëria nuk do të destabilizohet nga arroganca e fitores së Aleancës për Shqipëri Evropiane dhe do të krijohet një polis ku mund të mbahet gjallë Partia Demokratike dhe ringritja e saj.
Edhe për një arsye krejt urbane duhet të fitojë Grida. Rama me projektin e tij për Shqipërinë urbane, do të lirohej nga pesha e madhe për t’i mësuar kryebashkiakët me shijen urbane.
Këto janë arsyet se pse jam për votimin e Grida Dumës në Durrës!