Pse heshti Tirana dhe pse Haradinaj zgjodhi të ndalej në Tiranë?!
Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj zgjodhi të ndalet në Tiranë pas kthimit nga Lubjana, ku u arrestua befasisht dhe u detyrua të qëndrojë për tre ditë për shkak të ndalimit nga autoritetet sllovene, në bazë të fletë-arrestit të lëshuar nga Serbia dhe Mali i Zi. Por autoritetet shqiptare e madje edhe ish-kryeministri Sali Berisha, me partinë e të cilët Haradinaj ka bashkëpunim të ngushtë, u treguan të ftohtë ndaj dramës më të re të liderit të AAK-së. Nga Tirana pas ndalimit të tij nuk pati ndonjë reagim.
“Më ka marrë malli me parë Tiranën” ishte përgjigja, ndoshta ironike, e liderit të AAK-së në Aeroportin e Rinasit kur u pyet nga gazetarët se pse kishte zgjedhur të kthehej në Kosovë nëpërmjet Shqipërisë. Sidoqoftë e vërteta, ai u ndal në Tiranë dhe më pas u nis në Prishtinë.
Nuk dihet nëse Haradinaj nuk gjeti aeroplan për t’u kthyer në Prishtinë, nëpërmjet Aeroportit të Sllatinës, apo bëri një udhëtim të tillë për t’u dërguar ndonjë mesazh autoriteteve shqiptare për faktin që nuk e përmendën fare publikisht ndalimin e tij në Lubjanë. Ndaj ndalimit të Haradinajt nuk kanë reaguar institucionet shqiptare përfshirë Presidentin e Shqipërisë, Kryeministrin, e madje as Sali Berisha, me partinë e të cilit Haradinaj bashkëpunon ngushtë.
Ndalimi i Haradinaj, megjithatë, zemëroi shqiptarët anembanë. Ndaj ndalesës së tij politikisht pati reagime vetëm nga Kosova. Natyrisht për këtë kanë folur edhe krerët më të lartë të shtetit serb.
Kryeministri Vuçiç e cilësoi provokim arrestimin e tij, të kurdisur nga fuqitë e mëdha, duke e komplikuar edhe më tej çështjen.
Kreu i AAK-së është shfaqur i ashpër ndaj liderëve kosovarë, por nuk ka përmendur fare mungesën e reagimeve të autoriteteve të Tiranës.