Pse ngutet maxhoranca?
Nga Skënder Minxhozi/
Sot Edi Rama do të zhvillojë katër takime elektorale. Në fillim ai do të jetë në Patos, më pas në Roskovec, Urë Vajgurore dhe Berat. Katër takime në katër vende të ndryshme të Shqipërisë janë jo pak. Është një ditë e ngjeshur si e djeshmja, e me shumë gjasë si e nesërmja. Deri në 21 qershor, kur të bjerë gongu i zgjedhjeve.
Prej më shumë se një muaji, ritmi i kryeministrit në fushatë është i lartë. Takimet janë të shumta, fjalimet të gjata dhe tonet shpesh imponuese e me nota arrogante. Një gjë të ngjashme bën, sipas modelit të tij, edhe Ilir Meta, i cili shkel pafund në bashkitë ku garojnë kandidatët e tij. Dyshja që drejton sot maxhorancën ka hyrë në fushatë me ngarkesë të plotë, megjithëse të gjitha sondazhet e japin në avantazh me shumicën dërrmuese të vendit.
Të njëjtën gjë po bëjnë edhe kandidatët kryesorë të së majtës. Nëse për Bazhdarin e Dakon është e kuptueshme një fushatë e ethshme, plot takime dhe në tone luftarake, në Tiranë Veliaj po sillet de facto si sfidant i Kosovës, kurse ky i fundit po ndjek një linjë të qetë takimesh e kontaktesh me elektoratin, a thua se e ka fituar tashmë kryeqytetin.
Ndodhemi kështu në një situatë pak a shumë të përmbysur, ku shumica i ka ngritur në kupë të qiellit tam-tamet elektorale, megjithëse opozita dhe kreu i saj nuk arrijnë dot të kalojnë kufirin e një fushate opake. Edhe pse Basha duket qartë në vështirësi, duke mos krijuar as entusiazmin dhe frymën që krijonte dikur Berisha dhe duke mos i dhënë peshë pranisë së tij në fushatë, Edi Rama nga ana e tij po përdor një stil fushate që jo rrallë sulmon ashpër kundërshtarët, që qesëndis imazhin e tyre, apo edhe që i kërcënon drejtpërdrejtë. Siç ka ndodhur me Xhelal Mziun, kryebashkiakun e Kamzës, të cilit po i përmend burgun sa në një qytet në tjetrin. Megjithëse Rama përpiqet të tallet e të shpotisë kundërshtarët, për t’i dhënë takimeve të tij nota relaksimi e humori, ajo që ai thotë prej javësh, ka të bëjë me bilancin e qeverisjes kombëtare, më shumë sesa me optikën e zgjedhjeve vendore. Është normale që kryeministri të flasë politikisht, por ai më i pari pretendon se 21 qershori nuk është votëbesim për qeverinë, por thjesht votimi dhe zgjedhja e drejtuesve lokalë.
Edhe Ilir Meta nuk duket i qetë në fushatën që po bën. I regjur dhe me eksperiencë ne menaxhimin e zgjedhjeve kreu i LSI nuk mundi ta shmangë një përplasje aspak elegante, siç qe rasti i miellit të bllokuar të kandidatit demokrat për Vorën. Meta duket se obsesion Kukësin dhe Vorën, pa harruar dhe Shkodrën, ku ka një “llogari të hapur” në distancë me Tom Doshin. Edhe pse predikon kudo sloganin e tij tashmë të famshëm “me qetësi dhe dashuri”, fushata e Metës është larg edhe njërës, edhe tjetrës.
E majta është në avantazh real në pjesën dërrmuese të 61 bashkive në rang vendi. Nga ana tjetër opozita duket gjithashtu në vështirësi të prekshme, për të ngritur frymën elektorale dhe të krijuar besim tek të zhgënjyerit ose elektorati gri. Ky raport forcash duhet të kishte prodhuar një fushatë më pozitiviste më pak polemike dhe arrogante nga ana e qeverisë. Viti 2017 është ende larg, fundi i mandatit të së majtës gjithashtu është në mesin e rrugës. Pse duhet pra gjithë ky ngut për të fituar me çdo kusht gjithçka?!
javanews.al