Pse nuk shuhet dot zemërimi që ndezi maskarallëku i çetës së Dubait?
Nga Red Varaku –
Është e qartë që pamjet egzotike të ahengut ministror në Dubai në një nga restorantet më të famshëm atje, është skandali më i rëndë politik për këtë mazhorancë, pas skandalit përgjimeve të BILD .
Por kjo jo sepse është thjesht një abuzim i pastër nga ana e qeveritarëve tanë provincialë me fondet publike të popullit më të varfër në Europë, aq më tepër kur vendi ndodhet i gjunjëzuar për shkak të pandemisë dhe katastrofës që shkaktoi tërmeti.
Sepse, ky popull ka parë abuzime edhe më të rënda se kaq nga kjo qeveri. Ka parë se si kjo qeveri e ktheu axhendën kriminale në axhendë kombëtare duke kanabizuar Shqipërinë. Ka parë se si janë zhdukur 7.2 miliardë euro nga buxheti vetëm sipas KLSH. Ka parë se si kjo çetë e babëzitur shembi Teatrin Kombëtar në një projekt të pastër korruptiv për 200 milionë euro.
Ka parë vjedhjen e hapur tek Unaza , madje e ka shprehur hapur grykësinë me 229 milionë euro të njohura si shpenzime luksi për barkun qeveritar që ka shkuar deri edhe në 1.6 milionë euro për zyrën e kryeministrit.
Gjithashtu, kjo nuk përbën skandal qoftë edhe për faktin që ndërkohë që vendi ishte në pushtetin e ujit dhe qytetarët po rrezikonin deri dhe jetët e tyre, ministrat kryesorë të qeverisë jargaviteshin përballë byftekut prej ari të Nustretit.
Sepse, të gjithë kemi parë se si kjo qeveri ka bërë makabritete edhe më të mëdha. Të gjithë kemi parë sjelljen e tyre barbare me fondet për tërmetin, ku ndërkohë që ka akoma qytetarë që flenë nëpër çadra , abuzimi ka kapur nivele të paimagjinueshme.
Të gjithë kemi parë sjelljen e papërgjegjshme me pandeminë ku mijëra qytetarë u lanë në mëshirë të fatit jo vetëm pa asnjë ndihmë për shëndetin e tyre , por edhe pa asnjë ndihmë ekonomike për të mbajtur frymën gjallë.
Me mijëra qytetarë u braktisën ndërkohë që kjo çetë destinonte miliona euro për inceneratorë që as punonin, madje këta kaluan dhe limitet e fantazisë kur fshehën dhe vetë të vdekurit, duke fshehur viktimat nga covid 19.
Pra, asnjë nga arsyet e mësipërme nuk e bën këtë skandalin më të madh pas përgjimeve. Ajo që e bën këtë skandalin më të rëndë qeveritar pas përgjimeve, është mesazhi i thjeshtë dhe i drejtëpërdrejtë që përcillej vetëm në dhjetë sekonda poshtërim, tallje dhe cinizëm.
Sepse, kjo fotografi e realitetit të përditshëm të orgjisë qeveritare me paratë publike, që deri dje përflitej kudo si legjendë urbane, nuk ishte thjesht dëshmi e barbarisë dhe grykësisë me fondet publike, por ishte njëkohësisht dhe fyerja dhe poshtërimi më i madh për qytetarët e këtij vendi. Sigurisht humbja e parave është e rëndë, por asgjë nuk dhemb më shumë se sa tallja dhe poshtërimi që përcillej përmes asaj videoje.
Deri tani qytetarët e kishin të qartë se si vidheshin, por kurrë nuk kishin parë se si përkthehej kjo në terma luksi, ku në kryeqytetin e Sheikëve, në një restorant gati kozmik për çmimet, ndërkohë që me mijëra qytetarë flenë në çadra dhe ndërkohë që ne mijëra të tjerë po humbin njerëzit e tyre të dashur dhe pasuritë e tyre për shkak të pandemisë, çeta e Dubait ripërtypte e qetë një shtëpi të rindërtuar vetëm në një vakt ushqimi.
Është pikërisht ky poshtërim që zgjoi atë zemërim dhe indinjatë e cila pushtoi menjëherë hapësirën shqiptare dhe zgjoi një reagim të jashtëzakonshëm, sepse shqiptarët mund të falin dhe mund të harrojnë gjithçka, por kurrë fyerjen dhe poshtërimin.
Dhe është pikërisht nevoja për të shkëputur vëmendjen nga kjo e vërtetë ulëritëse , që e detyroi kryeministrin të kthehej në kavien e parë të vaksinimit, në një rast të paprecedentë, duke refuzuar të tregojë origjinën e këtyre vaksinave.
Por, duket që e ka të kotë! E vërteta dhe simbolika e asaj sofre ku nëpunës të shtetit ishin shtruar në byftek floriri në kryeqytetin e sheikëve është asgjësuese dhe rrëzon çdo argument . Ajo ka ngrirë në memorien e çdo qytetari dhe dëshmon qartazi të vërtetën e hidhur që dominon qeverisjen në çdo hallkë të saj.
Dëshmon që ajo nuk është gjë tjetër vetëm se një mekanizëm kriminal që jo vetëm nuk i shërben qytetarëve dhe e përdor pushtetin për të zhvatur pasuritë tyre, por ka dhe paturpësinë që të zdërhallet dhe harbohet në mes të Dubait me gjakun e tyre.