Pse Rama ka vendosur të mbrohet me banditë

Placeholder Image

“Pikërisht nga frika dhe paranoja se dikush mund t’ia thotë në sy këto, ai ka ngritur atë realitetin tjetër, me gazetarë manipulatorë, me media të blera, me arkitektë të shitur. Pikërisht, nga ky ankth dhe ky mundim, i përballjes me disa të vërteta, ai nxori badigardët e tij privatë për të bllokuar dyert e një dëgjese publike”…

Nga Andi Bushati

Dje u bëra pa dëshirën time dëshmitar i fytyrës kriminale të Edi Ramës. Një grusht banditësh civilë, zyrtarisht badigardë të hotel Tiranës, na penguan mua dhe disa kolegë të tjerë, të hynim në dëgjesën publike të projektit për kullën 15 katshe me stadium.

Më kot kolegët e mi i tundnin ftesat e dërguara nga ministria e zhvillimit të territorit këtyre gorillave pa veshë dhe pa tru, ndërkohë që garda e republikës e fuste kryeministrin në sallë nga ashensori i lavanterisë së hotelit. Më kot ata rekeshin të argumentonin se disa badigardë privatë nuk mund të komandonin në një aktivitet që zyrtarisht e organizonte qeveria.

Neve Edi Rama kishte vendosur të na vinte përballë banditët e vet dhe të klientëve të tij.

Kisha debatuar gjatë me kolegët e mi nëse duhet të shkonim në këtë aktivitet apo jo. Unë gjithnjë kam privilegjuar në aktivitetin tim profilin e gazetarit të ftohtë që i rezervon vetes gjykimin e pavaruar, përpara atij të intelektualit të angazhuar publik. Përpara se të marr pjesë në një protestë, e kam quajtur më të rëndësishme të raportoj për të; përpara se jem palë në një konfrontim, kam gjykuar se është më e rëndësishme ta tregoj atë ; përpara se të ballafaqohesha në atë sallë, me ata që mendonin ndryshe nga disa prej nesh, për ngritjen e një kulle të re në këtë qytet të shkatërruar nga betoni, une mendoja se duhej rrëfyer çdo detaj i saj.

Prandaj dhe fillimisht u thashë jo atyre që më kërkuan të shkoja në atë sallë ku kryeministri po përgatiste show-un e radhës.

Por, një natë më parë, pati një ngjarje që ma ndryshoi mendjen. Pikërisht për temën e stadiumit të ri u gjenda duke debatuar, në emisionin « Të paekspozuartit » të Ylli Rakipit me deputetin socialist Fidel Ylli.

Ndoshta me naivitetin e atij që përpiqet të besojë se Edi Rama ende mund të bëjë gjëra të mira, Fidel Ylli që ishte pro projektit për stadiumin, na ftoi gjatë debatit : « E di që jeni kundra kësaj nisme, po nuk ka gjë nëse vini e dëgjoni nesër, ndoshta mund ta keni mirë, por mund ta keni edhe gabim. Ejani shikoni, pastaj po të doni lavdëroni, po të doni kritikoni. Dëgjesa është e hapur dhe askush nuk mund ta pengojë Fatos Lubonjën të marrë fjalën » tha ai me besimin e gjithkujt që mendon se nëse nuk je nisur për të bërë një krim, nuk ke asgjë për të fshehur.

Në dukje ftesa ishte racionale. Askush nuk ka pse paragjykon argumentat e dikujt me të cilin nuk bie dakord. Le ta dëgjojmë dhe ndoshta bindemi, vendosa.

Por, të nesërmen, në hyrje të dëgjesës publike, ndryshe nga ç’kishte predikuar Fideli në studion televizive, ndryshe nga fasada e ftesave që kish përgatitur qeveria, Edi Rama na nxorri përballë, banditët e tij këmishëzij. Pa uniformë dhe pa tagër për tu bërë padronë të një mbledhje qeveritare, ata u shndërruan në smbole të vërteta të erës së re : Partneritetit Publiko Privat.

Kur gjithë kjo shfaqe e shëmtuar përfundoi, përpos neverisë dhe zhgënjimit në mendje më rrotulloheshin disa pyetje :

Pse Edi Rama duhet të urdhëronte këta badigardë të na pengonin ? E ç’punë do ti prishej atij se në atë sallë nuk do të kishte vetëm njerëz që e adhuronin kryeveprën e tij të re ? Po në rastin më ekstrem, nëse ndonjëri nga kritikët shprehte ndonjë mendim kundër këtij projekti, ç’fatkeqësi do të ndodhte ? Pse degradoi ky njeri deri në këtë pikë sa të përpiqet të pengojë mendimin me roje private ?

Nuk kisha përgjigje për asnjë nga këto pyetje. Nga çdo anë që e ktheja më dukej sikur ai ishte veprimi më absurd që Rama mund të ndërmerrte, për të shkatërruar atë shfaqe butaforike që kishte përgatitur vetë.

Por, dalë ngadalë, kur kur orët kalonin dhe kur mercenarët e tij mediatëikë filluan të përpunojnë alibitë për mbledhjet e qeverisë që kontrolloheshin nga gorrillat private, disa gjëra nisën të më qartësohen.

Fillimisht, në mediat pranë qeverisë, u infiltrua lajmi se ata që s’ishin lënë në sallë, kishin vajtur me vonesë, pasi Rama kish filluar të fliste (E vërteta është ndryshe dhe ekziston dhe me video). Më pas doli versioni se ata që kishin ftesë kishin rrefuzuar të futeshin, sepse kërkuan të solidarizoheshin me miqtë e tyre të paftuar. (Tjetër gënjeshtër që vërtetohet nga videoja e Ylli Rakipit që tregon ftesën dhe rojet e 15 katshit nuk e lejojnë të futet).

Më pas kur televizionet filluan të raportojnë për atë që ndodhi kuptohej dhe më shumë. Megjithëse disa zëra autoritarë nga shoqata e arkitektëve kishin dalë kundër projektit, Rama rekrutoi kryetarin e kësaj shoqate, i cili kishte vajtur në atë mbledhje për të lexuar një deklaratë kritike. Ai u detyrua të pohojë se personalisht ndërroi mendim dhe u bind se projekti qe i mirë.

Sikur të mos mjaftonte ky manipulim, Rama vazhdoi me një të dytë : Ai shkroi në Facebook: « Shoqata e arkitektëve ndryshoi mendim » ndërkohë që në fakt mendja i ishte ndryshuar vetëm një fakiri të mbetur fillikat.

Por manipulimi nuk përfundon këtu. Po të shihje mënyrën se si u informua më pas për këtë ngjarje, absurdi nuk ka fund.

Gazetarët e lajmeve të TV Klan, bënë sikur ajo nuk kishte ndodhur, sepse pronari i këtij televizioni ka marrë deri më tani, nga dora e Edi Ramës, dy leje ndërtimi, një në qendër të Tiranës dhe një në buzë të detit.

Më pas në “Kapital” në Vizion Plus, drejtuesi i emisionit nuk pati fuqinë të mbronte kolegët ndaj ironisë dhe sulmeve të kryeministrit, sepse ai është thjeshtë bashkëshorti i njërës prej ministreve vartëse të Edi Ramës.

Ja pra kjo është historia.

Edi Rama i bën sqarimet për ngjarjen si askund në botë, te bashkëshorti i ministres së tij; ai i mbyll gojën me leje ndërtimi një televizioni kombëtar; ai shantazhon dhe shndërron në kllounë profesionistë që ndryshojnë mendim sapo gjenden përpara fuqisë së tij; ai përdor media dhe infiltron lajme në to, kundër kolegëve të tyre.

Kjo është kulla ku është mbyllur dhe realiteti i rremë që ka ngritur përreth vetes.

Ndaj ka frikë, shqetësohet, trembet, tridhet, dridhet kur mendon se mund ti dalë përballë cilido që mendon ndryshe nga ai.

Kur imagjinon se ndokush që mund ti thoshte, në atë sallë, se ky projekt i stadiumit me kullë, është bërë që ai të vazhdojë të vjedhë. Se arkitekti italian që i ka vënë në jetë “këshillat” e porositësit e ka përdorur dhe më parë. Se ai vetë ndryshoi konceptin paraparak, nga një stadium që mund të kishte ndonjë aktivitet ndihmës, në një qendër biznesi që ka dhe stadium. Se ai do të shkatërrojë atë ansambël që vetë, me firmën e tij, dikur e ka shpallur monument kulture. Se ai ka gënjyer kur ka nxjerrë në fushatë elektorale Erion Velinë për tu kërkuar vota tiranasve, me premtimin: “zero beton në kryeqytet”.

Pikërisht nga frika dhe paranoja se dikush mund t’ia thotë në sy këto, ai ka ngritur atë realitetin tjetër, me gazetarë manipulatorë, me media të blera, me arkitektë të shitur.

Pikërisht, nga ky ankth dhe ky mundim, i përballjes me disa të vërteta, ai nxori badigardët e tij privatë për të bllokuar dyert e një dëgjese publike.

Si një njeri i ndërgjegjshëm që po bënte një krim, ai kërkoi të ngujohej në kullën e servilëve dhe të blerëve prej tij. Dhe për ta ruajtur brenda saj, i duheshin patjetër ata banditë këmishëzij. (Lapsi.al)

SHKARKO APP