Pse Rama po përpiqet ta qetësojë Metën?
Forum E Premte, 16 Prill 2021 17:31
Edi Rama jep rrallë intervista ose pothuajse kurrë për shtypin e shkruar. Vetë fakti që ai iu përgjigj kërkesës së gazetës Dita ose e kërkoi atë nga vila e Dhërmiut, nga ku po pushon, tregon se ai ka pasur një qëllim të qartë: të shuaj zërat për një prishje mes tij dhe Ilir Metës.
Për t'ia arritur këtij qëllimi kryeministri ka artikuluar tre teza kryesore. E para, ai ka pranuar se ka zëra nga opozita madje dhe nga vetë koalicioni që flasin për ftohje, por ai është munduar të sigurojë se ato nuk janë të vërteta. Lëvizja e dytë, ka qenë relativizimi i kritikave të ashpra që i kanë ardhur qeverisjes nga partneri i tij më i vogël, për punësimin, taksat, reformën në drejtësi madje dhe për disa ndërhyrje estetike të vetë kryeministrit. Rama është përgjigjur se ato "reflektojnë shqetësimet reale të secilit prej nesh për t'iu përgjigjur sa më mirë pritshmërisë së publikut". Dhe së treti, ai është tallur me propaganduesit e idesë së një koalicioni të madh. Megjithëse ajo është artikuluar si mundësi rezervë nga ndërkombëtarët për të shmangur metastazat e LSI- së në trupin e shtetit, Rama e ka mohuar si opsion.
Pra shkurt, në këtë intervistë të dhënë me dëshirë në mes të pushimeve, Kryeministri duket qartë se ka filluar përpjekjet për "qetësimin" e partnerit të tij. Tashmë dihet publikisht se Meta ishte i shqetësuar. Izolimin ndërkombëtar të autoriteteve euroatlantike që kalonin nga Tirana duke e shpërfillur, ai e ka lexuar si një strategji të Ramës për eleminimin e tij. Zërat e përhapur se edhe në Shqipëri do të ketë aksione të ngjashme me ato të Kroacisë dhe Rumanisë për dënimin e politikanëve të lartë, Meta i ka përjetuar si një kërcënim. Ndaj ai javët e fundit kishte dhënë sinjalet e fillimit të përplasjes. Me instiktin e bishës që sulmon e para kur ndihet e rrezikuar, LSI shtoi papritmas dozat e kritikave.
Fjalët u përhapën se diçka kish filluar të mos funksiononte. Por këtu çudia nuk qëndron tek Meta, që njihet se si funksionon. Habia qëndron tek Rama. Kur kryeministri u vu në djeni të ashpërsimit të qëndrimeve të Metës, ai u ka thënë njerzve të tij të afërt se nuk mund të durojë shantazhet e vëllait të tij armik. Ndaj ai është i gatshëm, qoftë për prishjen e koalicionit, qoftë për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Por këto përbetime me sa duket nuk kanë zgjatur shumë.
Ashtu sikurse në rastin e kryebashkiakëve të kriminalizuar, Rama këtë radhë ka zgjedhur më mirë të favorizojë ekuilibret e brendëshme, sesa të dëgjojë fjalët e ndërkombëtarëve. I vënë përpara dilemës, ta flakë apo ta mbrojë Metën, ai me intervistën e fundit duket sikur ka zgjedhur opsionin e dytë. Vetëm kështu mund të shpjegohen tre tezat e tij në bashkëbisedimin e sotëm me Dita.
Rama e hodhi hapin e tij. Ai bëri prapakthehu dhe në pamje të parë duket se iu dorëzua presionit. Tani topi është në fushën e Metës. A do u besojë ai fjalëve qetësuese apo paranoja e vet proverbiale do të kërkojë prova më solide? A do t'i besojë ai faktit se Rama nuk do ta shesë tek ndërkombëtarët? Marrëdhënia e tyre kur i holli ia ka futur gjithmonë të trashit thikën pas shpine, e bën Metën edhe më mosbesues. Ndaj është ende shpejt për të vënë bast nëse kjo ftesë pajtimi, e hedhur në formën e një interviste, do të jetë e mjaftueshme për shuarjen e konfliktit Rama Meta. /lapsi.al/