Pse Rama rrezikon të bosnjëzojë Shqipërinë?

Nga Dritan Hila.

Në mes të një dite kur vëmendja e publikut ishte fokusuar diku tjetër, kryeministri Edi Rama lëshoi një risi që vetëm më pas erdhi dhe u bë tronditëse: mësimin i fesë në shkolla. Qëllimi i tij është fitorja në zgjedhjet që po vijnë, ku komunitete fetare janë serbator votash. Por ajo që po bën Rama për një mandat, nëse e vë në jetë, do ti dëgjohet gjëmimi për shumë mandate. Duke e kuptua se opinionin shqiptar u trondit, u përpoq ta amortizonte duke nxjerrë ministren e arsimit ta justifikojë, dhe shkruar se kjo është një ide që mendohet prej kohësh dhe në konsultim edhe me të huaj.

Gjithësa thuhet për studime që janë ndërmarrë, për projekte pilot dhe konsultime me intelektualë, nuk ka gjurmë të kenë ndodhur, dhe në kanë ndodhur, është një gabim i rëndë kjo fshehtësi. Ky është ndër ato probleme kur orientimi evropian i vendit, bashkegzistenca paqësore, laiciteti, dhe shumë arritje të shoqërisë shqiptare, po vihen në lojë me një goditje të vetme, për një problem ku çdo reformë do të dukej si lojë fëmijësh, dhe për një problem që as kjo maxhoracë jo e jo, por as ky brez, nuk e ka mandatin të vendosë.

Që projekti është konsultuar me institucione franceze, të cilin Rama na e hodhi si argument mbyllagojës, kjo nuk na bën më shumë sesa kavje eksperimentale. Pasi nëse gjithçka shkon keq, francezët do t’i këpusin një “më fal” dhe ne do të na lënë në zjarrin e sherreve ndërfetare.

Aq më tepër që ekspertët francezë të Ramës nuk kanë qenë në gjendje të zgjidhin mosmarrëveshjet apo ndërtojnë modele mes katolikëve francezë me magrebinët myslimanë që jetojnë në Francë, ndaj si dreqin do t’i zgjidhin problemet e një pluhurnaje besimesh dhe sektesh që është Shqipëria?

Rasti i konglomeratit fetar shqiptar, është një rast i veçantë në botë dhe nuk mund të merret eksperiencë nga asnjë vend, pasi askund si këtu nuk janë prezent fetë dhe shizmat e tyre. Nëse për kodin penal, tregëtar apo ligje të ndryshme, mund të marrim ato perëndimore dhe adoptojmë, këtu nuk kemi nga marrim dhe duhet të zhvillojmë eksperiencën tonë.

Toleranca jonë, më shumë se produkt i kulturës tonë fetare dhe komponent i tolerancës civile, është rrjedhojë e mosnjohjes së feve dhe doktrinave të tyre. Të hapësh kutinë e Pandorës dhe fusësh mësimin e saj nëpër shkolla, nuk është një taktikë e zgjuar. Është një shans më shumë për rritjen e dasive. Pasi askund asnjëherë nuk ka ndodhur që mësimi i doktrinave fetare apo i feve të ndërsjellta i bën njerëzit më tolerantë. Toleranca fetare nuk ka ardhur për shkak të njohjes së thellë të fesë. Toleranca fetare, përjashto rastin shqiptar, ka ardhur si rezultat i arsimimit, ka ardhur për shkak të iluminizmit, ka ardhur për shkak të laicizmit. Ashtu siç është e njohur që periudhat kur feja ka pasur frenat e shoqërisë, nuk njihen për periudha të ndritura të historisë. Është shumë herët të pranosh se laicizmi ka dështuar në frenimin e intolerancës fetare, siç deklaroi kryeministri. Është disfatizëm.
Intoleranca apo toleranca fetare në rrafshin politik, nuk ka ardhur asnjëherë për shkak të besimeve dhe doktrinave të tyre. Çdo libër i shenjtë, çdo doktrinë ka mënyra interpretimi. Bibla ishte libër lufte për kryqtarët dhe paqeje për shumë Papë. Kurani është libër paqeje për shumë myslimanë dhe lufte për mendjet e ndezura të tij. Konkluzioni i gjithë këtyre argumenteve dhe mijëra të tjerave, është se në momentin kur besimi del në rrugë, ai bëhet politik, dhe shfrytëzohet për qëllime politike, pikërisht siç po bën Edi Rama, është i rrezikshëm. Në një rast kompleks si ai shqiptar, të duash të bësh eksperimente në fund të mandatit, është ruletë ruse. Aq më shumë kur nuk e di çfarë dhe si do ta bësh.

Por në llogari të fundit, dy rrugë janë të aplikueshme. E para ka të bëje me zgjerimin e lëndës së historisë dhe përfshirjes në të edhe të besimeve të mëdha, por gjithmonë si histori e botës dhe jo e doktrinave. Kjo mund të bëhet pa pasur probleme edhe fëmijët e laikëve apo ateistëve që studiojnë aty dhe nuk duan t’iu japin fëmijëve orientim religjoz.
Rruga e dytë është ndarja e fëmijëve sipas besimit dhe dhënia e leksioneve nga klerikë. Dhe kjo është një minë me sahat, një segregacion i nxitur nga shteti. I cili nuk i jep përgjigje një pyetje të madhe: po fëmijët e atyre që e quajnë veten ateistë, deistë, agnosticistë, dhe nuk besojnë në asnjë nga format aktuale të besimeve të mëdha, ku do t’i fusin?

Nëse ka një problem bota perëndimore sot, nuk është futja e fesë në shkolla por si ta nxjerrin atë. Sektorë të tërë të shoqërisë janë kundër prezencës së saj, ashtu si shumë prindër të fëmijëve nuk duan që fëmijët të marrin edukatë fetare. Dhe bëhet fjalë për kombe ku feja ka pasur rol të madh në plazmimin e identitetit të tyre. Po pse duhet në Shqipëri ky eksperiment i rrezikshëm, aq më pak pa diskutim publik?

Rilindasit shqiptarë, ata të vërtetët dhe jo karikaturat, mund të ishin burra me defekte dhe virtyte; ishin politikanë, shkrimtarë, poetë, filozofë modestë të krahasuar me Rilindjen Evropiane. Por patën guximin e çmëndur të ëndërronin një komb me katër grupe fetare, dhe intuitën e madhe të bënin një shtet laik, dhe kujdeseshin që mos të linin asnjë nuancë dasije apo superioriteti besimesh.

Myslimanët patën mençurinë të mos ishin arrogantë në supremacinë e tyre numerike, ndërsa të krishterët të mos përdoreshin si mina kundër shtetit të shqiptarëve. Kjo arritje 100 e ca vjeçare, nuk mund të lejohet të hidhet në erë me një veprim i cili nëse gjykohet me dashamirësi, është i papërgjegjshëm; nëse gjykohet ftohtë, është antikombëtar.

/dritare.net

SHKARKO APP