Pse regjimi i hodhi te këmbët e rinisë hoxhën, priftin, dervishin e fshatit?

 

Nga Artan Fuga/

(Nga misteret e historisë shqiptare që historianët nuk kanë ditur t’i shpjegojnë)

Në vitet 1966 – 1968, në Shqipëri u ndërmor ajo që quhet lufta kundër fesë, klerit, besimeve fetare dhe institucioneve fetare. Gjithçka u mbyll, kishat dhe xhamitë u shkatërruan, veprat e artit brenda tyre u lyen me gëlqere, u suvatuan, ose u bënë viktima të kazmave dhe sqepareve. Klerikët në burgje ose në punë të detyruar. Asnjë besim nuk mund të manifestohej se përndryshe shkoje te 7 penxheret.

Kjo dihet, por ajo që nuk dihet është se përse rregjimi këtë vepër shkatërruese ja besoi rinisë, grupeve masive rinore që me hov, gëzim, energji, entuziazëm, me idenë se po çliroheshin nga e keqja, u vunë kazmën gjithçkaje.

Pyetja mbetet : megjithë ateizmin ideologjik, përse rregjimi do të interesohej ta fshinte krejtësisht fenë, kur moralin fetar mund ta përdorte duke e instrumentalizuar për të justifikuar pushtetin e vet totalitar?

Ka shumë arsye se përse ndodhi kjo e fundit. Por, mendoj se nuk mund të shkëputet nga gjendja ndërkombêtare dhe ngjarje të asaj kohe në vende të ndryshme.

E para, në Kinë revolucioni kulturor hodhi rininë në rrugë dhe bulevarde duke e orientuar në një rrugë të gabuar për tê shkatërruar të gjitha vlerat e traditês, familjen, shkollën, profesorët, mendimin tradicional kinez. U përdor rinia ku klanet kineze në pushtet lanë hesapet midis tyre me duart e rinisë, energjinë e saj që derdhet gjithmonë edhe kur e gabojnë duke e ngritur gjoja kundër autoriteteve.

E dyta, lëvizjet studentore në 1968 në Perëndim ku rinia deshte vërtet liberalizim dhe e mori atë. Por, jehona e kësaj lëvizjeje kishte ardhur në Shqipëri. rregimi kishte frikë se për një herë në histori rinia shqiptare do të shtronte pyetjen : Por, kur moshatarët në Perëndim rivendikojnë të drejta, ne përse jo?

Rregjimi ndjeu se masa energjitike e rinisë shqiptare po lëvizte, po ziente gjaku dhe forca e saj. Duhej bërë një “kokë turku”, duhej drejtuar ky mllef dhe energji e bllokuar jo atje ku duhej, për reforma politike, ekonomike, kulturore, por gjetiu.

Rinisë në cdo çast të rezikshëm i duhet hedhur një objektiv ku ajo të drejtojë energjitë e veta, përndryshe është rrezik. E trajtonin si një kafshë gjigande të uritur të cilës i duhet hedhur te këmbët një prehë, një gjah për ta shqyer, për ta gëlltitur, që ajo të harrohet me të, ta shqyejë, ta coptojë kadavrën e kalbur dhe coftinë, që të mos shpërthejë hekurat.

Dhe koka e turkut u gjet : hoxha, prifti, dervishi i fshatit. A nuk ishin këta autoritete morale, a nuk i bezdisnin ndonjëherë duke u bërë moralizime konservatore të rinjve, a nuk kish edhe vese???

A nuk ishte forca e tyre një pushtet.

Rinia u drejtua majë majave të minareve dhe këmbanoreve për t’i shkatërruar, që të luftonte me një pushtet fiktiv dhe jo kundër autokracisë politike të rregjimit politik.

Nuk e kuptonte se duke projektuar energjinë shkatërruese te ato institucione, te ata klerikë që jo rrallë nuk ishin në lartësinë e detyrês të tyre, rinia me entuziazëm po shkulte shtyllat e lirisë të shpirtit, e lirive politike për të besuar ose jo.

Energjia vetëshkatërruese ishte një vetëvrasjeje e gëzuar kolektive, shprehur me gjithçka që mosha rinore ka…, dhe së cilës askush nuk mund t’i dilte asokohe përpara.

SHKARKO APP