Pse shkakton frikë reforma në drejtësi?

 

Nga Andi Bushati/

U bë disa kohë që përfaqësuesit më të spikatur të komunitetit ndërkombëtar, po ushtrojnë një trysni të pa dëgjuar më parë për miratimin e reformës në drejtësi.

Ambasadorë, shefa të tyre, europarlamentarë dhe së fundi edhe komisioni i Venecias, po bëjnë presion, që askush të mos jetë pengesë, për këtë nismë që mëton të lëkundë nga themelet një sistem klientelist, të korruptuar dhe të paaftë.

Nuk ka dyshim se sado pikpyetje të gëlojnë për diplomatët perendimorë që vijnë të bëjnë karrierë në Tiranë, një pjesë e mirë e publikut shqiptar ndan me ta të njëjtin shqetësim.

Njerëzit janë të lodhur nga pronat që u grabiten, nga prokurorët që fshehin provat për të liruar kriminelët, nga gjyqtarët sekserë dhe nga shfaqja e shëmtuar e një trupe gjyqësore që i përshtatet gjithnjë pushtetit të radhës.

Mirëpo pyetja është, se kush po e ideon dhe për më tepër kush do ta zbatojë në terren këtë reformë?

Pse do të kemi garanci, se pas filtrimit të saj, sallat tona të gjyqeve do të jenë më të drejta dhe prokurorët e rij më të ndershëm? Kush do ti zgjedhë ata?

Këtu opinioni ndahet.

Ka një pjesë që duan të besojnë se kjo është një nismë e aleatëve tanë perendimorë. Janë ata që e kanë kërkuar. Janë ata që po e mbikqyrin. Janë ata që do e vënë në zbatim. Këtë pandehmë, që e kanë bërë të qartë në takime informale edhe ambasadori Lu edhe homologja e tij europiane Vlahutin e shtojnë më shumë edhe zëra të rëndësishëm brenda mazhorancës, që tregojnë me kokë nga selia e rrugës së Elbasanit dhe të thonë nën zë: “E kërkojnë ata”.

 

Por, nga ana tjetër egziston një pjesë skeptike. Edhe nëse besojnë se kjo reformë duhet edhe nëse nuk dyshojnë tek qëllimi i saj i mirë, ata kanë frikë se çdo nismë sado e pastër qoftë, mund të bëhet pis, nëse atë e vënë në jetë njerëzit e gabuar.

Shkurt ata i tremben një cikli të përsëritur në Shqipëri, ku drejtësia bie gjithnjë në duart e pushtetit. Dhe me të drejtë thonë: nuk na duhet kjo reformë nëse ajo kontrollohet nga dyshja Rama- Meta.

Kundër kësaj hipoteze të dytë po bëjnë lobim ambasadorët e Tiranës. Deri më tani në takime të mbyllura ata i kanë vënë gjoksin reformës, janë shndërruar në garantë të saj, madje edhe kanë kërcënuar ata politikanë që do ti dalin kundër.

Por kjo gjë nuk mjafton.

Nëse janë vërtet garantët e këtij spastrimi në drejtësinë shqiptare, ata duhet të dalin publikisht e ta thonë këtë. Duhet të shndërohen në propogandistë të tij. Duhet të bindin publikun me shembuj dhe me prova, se kryeprokurori i ri, nuk ka më gjasë të bëjë lojën e pushtetit. Se në sallat  e gjyqeve nuk do të dënohen më vetëm deputetët e opozitës dhe kundërshtarët e qeverisë. Se më në fund do të vijë dita që të kemi politikanë prapa hekurave.

Ata nuk duhet të mjaftohen vetëm me shprehjen arrogante “ky është drafti që mbështesim ne” por, duhet të shpjegojnë edhe garancitë se ku ndryshon ky draft nga të mëpërparshmit, se pse ai nuk do të rikrijojë mostra të ngjashme, se ç’pjesë kontrolli dhe mbikqyrjete do të ketë ShBA dhe BE në vënien në zbatim të tij.

Natyrisht gjithkush e kupton se kjo është një punë që e kalon cakun e aktivitetit të një diplomati në një vend sovran. Se ajo është tepër. Se është një ekzagjerim në kufijtë e të papranueshmes.

Por, në të gjitha rastet, kjo sjellje përtej limiteve është më transparente, më e sinqertë dhe më e drejtpërdrejtë sesa trysnia arrogante dhe kërkesa për ta miratuar atë përmes ultimatumesh.

Edhe nëse ka një “cënim sovraniteti”, ndoshta shqiptarët do ta kuptojnë dhe pranojnë më lehtë një paketë të propozuar dhe të garantuar nga aleatët tanë perendimorë. Ata do të jenë më të qetë me këtë prekje krenarie, sesa me frikën se pushteti po u bën padrejtësinë e radhës.

Dhe nëse kjo reformë e importuar nga jashtë mund të shtrojë një problem legjitimiteti, zgjidhja gjendet gjithmonë.

Kushtetuta jonë e parashikon mundësinë e referendumit dhe me anë të votës zgjedhësit mund ta bëjnë të tyren një paketë të ardhur nga jashtë.

Pra, vetëm kështu, duke i vënë gjoksin, duke dalë publikisht dhe duke u bërë garantë për pasojat e saj të nesërme, diplomatët e rëndësishëm në Tiranë mund ta bindin publikun të ketë besim tek ajo që pritet të ndodhë së afërmi.

Në të kundërt, duke luajtur në kulisa, duke bërë shantazh, duke u shitur si mbështetës dhe jo si autorë, ata thjeshtë do të shtojnë mosbesimin: frikën se e gjithë kjo zhurmë po bëhet që drejtësia të kalojë, nga duart e Berishës në ato të Ramës. 

(lapsi.al)

SHKARKO APP