Pse shoh studentë të mërzitur në auditor?
Se po protestuan, dikasteri i quan “armiq të popullit” dhe i neverit! Se dijet që marrin në shkollë ose nuk gjejnë zbatim në shoqëri, ose shoqëria aplikon parime të kundërta me ato që u mësohen në shkollë.
Nga Artan Fuga
Pse ditën e parë të leksioneve gjej studentë të vitit të parë të deprimuar! Sepse nga anketa që bëj vetëm 10 deri 15 përqind kanë ardhur në atë degë që e kanë kërkuar.
Sepse nga informacionet e pakta që kanë pasur, e kush u jep gjatë viteve të gjimnazit, kanë iluzione të tjera për atë degë nga ajo që u shpjegon! Sepse një në dy e ka prindin të papunë dhe tre në katër vijnë nga familje me të ardhura ku rroga mesatare nuk i kalon 250.000 lekët e vjetra. Sepse shpenzimet e shkollës dhe të ndejtjes në Tiranë i bëjnë borxhlinj për jetë për prindërit, dhe nisin dietën me bukë e pilaf, dhomat e stërmbushura dhe privimet e qytetit të madh që ta nxjerr lekun nga xhepi me magnet.
Sepse e kanë mësuar që pas shkolle i pret papunësia. Sepse e dinë që nuk do punësohen sipas meritave të rezultateve në shkollë. Por, sipas mikut, partisë politike që i fton, etj.
Sepse e dinë që duan të ikin pa kthim andej nga kanë ardhur. Braktisin vendlindjen që nuk u jep gjë. Sepse librat dhe mjetet e tjera që u duhen nuk i blejnë dot, veçse nëse vëllai ikën për azil në Gjermani.
Sepse dijet që kanë marrë në gjimnaz jo për faj të tyre nuk vlejnë pothuajse fare për të kuptuar leksionet e shkollës të lartë. Sepse shkolla e mesme i nxjerr pa gjuhë të huaj, ndonëse u vendos dhjeta.
Sepse nuk kanë mundësi të kenë lapt-top ose telefon të lidhur me internetin për të marrë dije on line si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në Afrikë. Se dinë që janë aty për të shënuar çfarë u thonë dhe jo të thonë se çfarë mendojnë!
Se nuk kanë asnjë favor si studentë po u sëmurën, po qese duan të udhëtojnë, të shkojnë në kinema a teatër. Se shanset për mobilitet studentor i kanë pothuajse zero, ku nuk shkojnë dot në universitete jashtë për një semestër së paku.
Se po protestuan, dikasteri i quan “armiq të popullit” dhe i neverit! Se dijet që marrin në shkollë ose nuk gjejnë zbatim në shoqëri, ose shoqëria aplikon parime të kundërta me ato që u mësohen në shkollë.
Se dëgjojnë që pas panaireve të punës del ndonjë buçko i kënaqur, që flet me siguri, dhe që u thotë: Se kemi nevojë vetëm për kasapë në Devoll dhe druvarë në Martanesh.
Se në Dibër shohin histerike që flasin nga tribuna para një turme që i duartroket në mënyrë robotike!
Me durim duhet t’i motivojmë. Kjo është detyra jonë. Frika është se mos i ngopim me lugë të zbrazët! Nëse dikush i shesh këto të ekzagjeruara, pranoj t’i bëhem kurban!