“Pse shqiptarët njohin vetëm fëmijët e Berishës”

Fjala e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në seancën parlamentare, gjatë diskutimit të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit”:

Nga Saimir Tahiri

Sali, si s’dëgjove mësuesen!  Këtë nuk e kuptoj si s’dëgjove mësuesen! Do ishte e sigurt, do ishim më mirë, ne të paktën këtu në parlament.  Megjithatë, unë kam një bindje, kur thua të vërtetën nuk ke nevojë të kesh shumë memorie se e mban mend vetë kur gënjen ke nevojë të stërvitesh me gënjeshtrën derisa të vijë dita ta besosh vetë. Dhe në lumin e gjërave që the këtu dhe sinqerisht nuk e di arsyen pse 95 % e tyre ishte për vitin 2012 por kjo është zgjedhje e juaj. Më vjen vërtetë të mendoj se sa banale mund të ketë qenë qasja juaj qeverisëse ndaj këtyre fenomeneve kur ajo që thua sot këtu dy vjet pasi ke qenë Kryeministër i vendit është më e pakta qesharake.

Unë nuk dua të merrem me akuzat që ju thatë, por dua t’ju ftoj realisht të gjeni forcë dhe të përshëndesni luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër kriminalitetit, luftën kundër paligjshmërisë, luftën kundër informalitetit, të përshëndesni policinë e shtetit dhe çdo hallkë zinxhirit institucional të drejtësisë penale që të bëjnë punën për ta bërë Shqipërinë më të sigurt, për ta bërë shoqërinë më të drejtë dhe kjo jo detyrimisht do të thotë të mos kritikosh, kjo jo detyrimisht do të thotë të mos drejtosh gishtin nga qeveria për gjëra që mund të bëjë më mirë. Por kjo do të thotë të mbështesësh më së pari të gjithë ata që punojnë dhe këtu flas për punonjës të policisë së shtetit, prokurorë të ndershëm edhe gjyqtarë të ndershëm që bëjnë punën për të vënë para drejtësisë ata që bëjnë, kryejnë vepra penale.

Vetëm para dy ditësh sekretari Kerry nisi një letër ku falënderonte Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeministrin, Qeverinë shqiptare për rezultatet, për bashkëpunimin, për partneritetin në luftë kundër terrorizmit, në luftë kundër krimit të organizuar.

Nuk jua them këtë sepse kjo është arritje e jona, jo është arritje e përbashkët.

Ne nuk kemi asnjë sens pronësie ndaj rezultateve në luftën kundër krimit. Ne nuk na duket që janë tonat të mazhorancë apo të qeverisjes, jo mo, janë tonat të përbashkëtat edhe tuajat. Përsa kohë unë jam I bindur, ne jemi të bindur edhe qytetarët nga kjo sallë duhet të kuptojnë se pavarësisht sa ndahemi ne për çështje të politikës të ditës, pavarësisht sa dallojmë ne për çështje programore bashkohemi në një pikë dhe kjo është lufta kundër krimit të organizuar, kjo është lufta kundër paligjshmërisë, kjo është lufta kundër informalitetit, kjo është dënimi i të gjithë atyre që bëjnë vepra penale që kërcënojnë sigurinë, drejtësinë, paqen e qytetarëve.

Dhe unë besoj që përkundër asaj që keni bërë deri sot mundet të ndryshoni dhe ju dhe të bëni pak më mirë jo për të mbështetur qeverinë as për të mbështetur ministrin, është për të mbështetur kryeministrin as mazhorancën, po për të mbështetur qytetarët, fëmijët tanë, fëmijët tuaj, fëmijët e qytetarëve që nuk pyesin fare kush voton çfarë, por pyesin për sigurinë në këtë vend.

Se qytetarët nuk kanë lidhje me diskutimet që bëni ju këtu duke i bërë kriminelët rozë apo blu. Kur vetëm dinë sa mund të bëhemi ne bashkë për të bashkuar energjitë, forcën për ta bërë vendin më të sigurt.

Kjo është besoj unë motivi më i mirë që sot ky Parlament të lëshonte këtë mesash, por mazhoranca, opozita, shoqëria, elita kushdo në këtë vend rreshtohet me qytetarët e ndershëm që duan ta bëjnë vendin më të sigurt duke luftuar krimin dhe duke vënë para drejtësisë dhe duke drejtuar gishtin ndaj paligjshmërisë ndaj kujtdo qoftë që kërcënon të ardhmen e fëmijëve tanë.

Dhe ju nuk e keni bërë këtë. Ju nuk e keni bërë këtë as kur policia luftonte në Lazarat me atë bandë që mbante peng familjet e qytetarëve të ndershëm edhe në Lazarat .

Jo, ju se bëtë ju zgjodhët rrugën tjetër të dilnit dhe të akuzoni policinë si bandë, ndërkohë policia bënte luftë me një bandë që historikisht është rritur për shkak të korrupsionit, për shkak të kriminalizimit, për shkak të cinizmit të pushtetit në 20 vjet dhe që ka lejuar që në atë fshat të bënte ligjin një bandë.

Këtë keni bërë ju dhe këtë e dinë të gjithë dhe nuk ka nevojë ta lexohet në raportin e 2012. Këtë bëtë edhe tani kur u vra një oficer i RENEA-as, i ndjeri Ibrahim Basha.

Unë nuk di si guxuat të dilnit dhe të thoni që qeveria ka rënë dakord me vrasësit për t’i lënë shteg që të iknin. Këtë e bëtë vetëm pak orë para se të kapeshin. Unë nuk as si mund t’ia lejonit vetë t’i drejtoheshit qytetarëve në një miting elektoral në Lazarat duke ju thënë jua hoqën drogën juve për ta mbjellë diku tjetër duke nxitur te ata njerëz sensin e paligjshmërisë jo duke nxitur thellimin e bindjes që shteti, qytetarët, shoqëria duhet të jenë njësh kur vjen puna te dënimi i çdo lloj veprimtarie kriminale.

Unë e kuptoj që mbase nuk bëhemi dot bashkë në këtë betejë, por s’ju ndalon të bëheni bashkë me shoqërinë, të bëheni bashkë me Policinë e Shtetit, të bëheni bashkë me institucionet.

Unë e kuptoj që mbase nuk bëhemi dot bashkë në këtë betejë, por nuk ju ndalon kjo që të bëheni bashkë me shoqërinë të bëheni bashkë me Policinë e Shtetit, me institucionet, me të gjithë ata që luftojnë kundër drogës, kundër kriminalitetit dhe kjo marrëveshje që vjen sot nuk duhet të ishte një motiv për të drejtuar gishtin me lloj – lloj shpifjesh dhe akuzash nga më të çuditshmet që vetëm mendja juaj mund t’i prodhoj.

Kjo ishte një mundësi për të diskutuar se si mund të bëjmë më mirë betejën tonë kundër kriminalitetit edhe kundër lëndëve narkotike, por unë nuk besoj që partnerët financojnë 7 milion e kusur dollarë për të ndihmuar Policinë e Shtetit për të ndihmuar institucionet e Drejtësisë Penale që të bëjnë më mirë punën e tyre duke forcuar kapacitetet njerëzore duke forcuar kapacitetet teknologjike dhe infrastrukturore.

Unë nuk besoj që ata ndajnë të njëjtin mendim që ndani Ju, që unë qenkam bandit, Edi Rama qenka koka e mafias ballkanike dhe rajonale dhe ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës po na ndihmojnë.

Jo kjo nuk është kështu, ju e dini fort mirë!

Është përkundrazi mirënjohje për gjithçka kemi bërë deri më sot dhe nxitje që të bëjmë më shumë në të ardhmen.

Dhe duke thënë këtë unë nuk po them që nuk ka problem në Shqipëri. Unë nuk po them që lufta kundër krimit ka mbaruar. Unë nuk po them që lufta kundër paligjshmërisë, kundër kultivimit të lëndëve narkotike është mbyllur njëherë e mirë, jo!

Por, po them që jemi aty duke luftuar, jemi aty duke bërë më të mirën për të rekuperuar nga ajo që gjetëm, nga një trashëgimi mizore që habitem si e keni lejuar, habitem si jeni justifikuar publikisht kur keni thënë Lazaratin e kanë lënë me vullnet – po përse e ke lënë me vullnet, për cilën arsye e ke toleruar me vullnet? Për cilin shkak që të mbushësh mitingun tënd me Dasho Alikon dhe ata që mbledh Dasho Aliko?

Kjo nuk është e ndershme më e pakta për të mos thënë është kriminale.

Ashtu siç është më shumë sesa e shëmtuar të çoni atë që keni vënë për kryetar partie, ta çoni në Lazarat e t’u thotë njerëzve të Lazaratit: “Jua hoqën drogën ju, për ta mbjellë ca të tjerë!”

Kjo është e rëndë! Siç është e rëndë ajo që keni bërë vazhdimisht duke sulmuar Policinë e Shtetit edhe atëherë kur Policia e Shtetit ka arritur sukseset më të mëdha, të panjohura fare në kohën kur keni qenë ju në detyrë.

Edhe në luftën kundër drogës ;edhe në luftën kundër kriminalitetit edhe në luftën kundër paligjshmërisë në tërësi, dhe Ju këtë e dini.

Ju këtë e dini, por nuk Ju pëlqen ta pranoni këtu duke u bërë miop dhe duke i mohuar qytetarëve mundësinë të kuptojnë që nga ky Parlament vjen një mesazh unik pavarësisht partive.

Që të është të luftojmë bashkë për ta bërë vendin më të sigurt, dhe të ardhmen e familjeve shqiptare për ta bërë më të drejtë më të sigurt, më të paqtë.

Këtu një parafolësi imi ka qenë Drejtor Policie në Gjirokastër, ndërkohë kur lulëzonte droga në Lazarat. Zotëria që kur ka qenë deputet i opozitës, bandë ju bënte juve. Ndërkohë që sot kur kaloi ylberin ka guxim e flet këtu për luftën kundër drogës, zotëria ka qenë Drejtor i Policisë Gjirokastër dhe në vend të përshëndesë punën e Policisë në luftë kundër drogës ka guximin dhe thotë: ‘‘Policia nxiti tek qytetarët instiktin e dhunës.”

Po si nxiti Policia instinktin e dhunës ?!

Të nderuar, qytetarët kanë sy dhe vesh, shohin, kuptojnë, bëjnë dallimin dhe mes nesh, mos mendoni që nuk e bëjnë këtë dallimi! E kanë treguar dhe me votë këtë dallim të madh që bëjnë ndërmjet të kaluarës që latë ju, të tashmes dhe të ardhmes.

Kjo është shumë e rëndësishme, por mbi të gjitha është inkurajuese për ne, për gjithçka që kemi bërë deri më sot. Është ky motivi që sot.

Ne kemi numrin më të vogël të vrasjeve krahasuar me 25 vitet e fundit, me secilin prej 25 viteve të fundit, kur zotrote ke qenë President i Republikës, kur zotrote ke qenë Kryeministër 8 vjet.

Nuk po ta shes këtë për arritje timen, tonën, jo! Po të ftoj të bëhemi bashkë, ta bëjmë më mirë, kemi numrin më të vogël të vrasjeve, hajde bëhemi bashkë ta ulim akoma!

Shqipëria në 2014-tën për herë të parë në historinë e vet doli nga lista e vendeve që shërbejnë si vendburim për kultivimin e lëndëve narkotike dhe kjo falë luftës që bëri Policia e Shtetit kundër drogës, kultivimit dhe trafikimit; përkundër trashëgimisë që gjetëm.

Kur ju ishit Kryeministër dhe Shqipëria ishte e zhytur në drogë për kultivimin e lëndëve narkotike dhe unë prapë nuk po ta shes për arritje timen tonën e kështu me radhë.

Ja po të them hajde bëhemi bashkë, ka vend akoma të punojmë hajde bëhemi bashkë.

Nuk kemi asnjë sens egoizmi apo pronësie, apo lavdërim politik për këtë që ka ndodhur. Jo. Hajde bëhemi bashkë, lëreni politikën për një çast dhe hajdeni bëhemi bashkë ta bëjmë këtë vend më të sigurt!

Kjo nuk bëhet duke mohuar atë që është bërë, duke mohuar atë që është arritur dhe duke u përpjekur për ta nxirë patjetër, Shqipërinë duke e kthyer në njollën e zezë që nuk është.

Partnerët sot janë shumë të qartë kur komplimentojnë mënyrën e re, qasjen e re, ritmin e ri të punës në koordinimin e forcave në luftë kundër terrorizmit në luftë kundër krimit të organizuar, në luftën kundër drogës. Është një motiv më shumë që të bëhemi bashkë, është një arsye më shumë që ju të çoheni këtu e të thoni, po patjetër, hajt të bëhemi bashkë të luftojmë, krimin e organizuar, kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Nuk është një motiv që të ndahemi, nuk është një motiv që të shahemi, nuk është një motiv që të dallojmë nga njëri tjetri. Dhe po, ka nevojë pikërisht për këtë arsye marrëveshja adreson një sërë çështjesh, duke filluar nga puna e policisë në luftë kundër lëndëve narkotike, deri te Prokuroria e te Gjykata.

Sepse dhe ne dhe partnerët besojmë që mund të bëjmë më shumë, siç ka nevojë për t’i dhënë mundësi këtij parlamenti, por më shumë se Parlamenti, shoqërisë në tërësi të jetë e vëmendshme ndaj paçavureve që shpesh bëjnë gjykatat.

Më cituat një vendim këtu, do e paguaj. Do e paguaj, mos ki merak. Jam dënuar, i akuzuar prej djalit dhe vajzës tënde. Nuk kam thënë ndonjë gjë të madhe. Kam thënë që djali juaj ishte i përfshirë në Gërdec. Dhe vajza juaj kërkoi 3 % të një konsensioni që duhej ta firmosnit ju si Kryeministër.

Nuk njeh njeri djemtë dhe vajzat e ish-kryeministrave. Pse i njeh Shqipëria djalin dhe vajzën tënde?! Sa i flasim dhe me shkurtim Xeni dhe Gita!? Se na janë bërë si të shtëpisë!

Nuk di njeri dhe nuk është marrë njeri me fëmijët e ish-kryeministrave të tjerë. Ja ku e ke z. Majko, ja ku e ke z. Fino. . . ke shumë ish-kryeministra në këtë sallë, z. Meta e të tjerë plot.

Nuk i njeh njeri fëmijët e tyre, pse njohin fëmijët tuaj!? Pse di Shqipëria kush janë djali dhe vajza jote? Kaq kam thënë unë. Nuk kam thënë ndonjë gjë të madhe.

“Sypeshkaqen” nuk ia thashë unë djalit tënd. Ia tha një tjetër në libër!

Dhe “sypeshkaqenit” do ia paguaj paratë që i kam borxh nga vendimi i Gjykatës që dha Gjin Gjoni!

Nuk kam asnjë paragjykim për Gjin Gjonin. Por nuk di pse për mua është simbol i korrupsionit në sistemin gjyqësor, që e mbroni ju, që e mbron Presidenti i Republikës, që e mbron KLD-ja, edhe atëherë kur kapet duke mashtruar dhe duke falsifikuar deklaratën e pasurisë, duke falsifikuar dokumente zyrtare, shtetërore. Por ja kjo është çështja, kaq kam thënë unë dhe më keni dënuar në gjykatë. Do e paguaj. Unë do e paguaj sepse respektoj vendimin e Gjykatave, respektoj shtetin edhe atëherë kur shteti vepron si bandë, nën kërcënimin tënd. Ja kjo është.

Megjithatë, unë nuk shoh si mund të qeshësh dhe nuk ke pse zgërdhihesh, sepse mua do më vinte turp të më përmendnin djalin dhe vajzën si të përfshirë në sekserllëqe të lloj-lloji!

Mua do më vinte zor dhe madje, në qoftë se do kishit sensin e drejtësisë, që thoni se keni, pse nuk i thua djalit dhe vajzës: – shkoni në prokurori vetë, edhe pse nuk ju ka thirrur! Shkoni vetë, jepni përgjigje! Akuzoheni publikisht, jepni përgjigje! Shko thuaj djalit, për cilën arsye, njeriu i parë që u mor në telefon pas shpërthimit të Gërdecit ishte djali yt.

Shko thuaj – shko paraqitu në Prokurori! Prokuroria nuk e thirri një ditë. Po ti shko thuaj – shko paraqitur vetë, i dashur bir! Dhe respekto institucionet.

Pse nuk i thua vajzës, kur doli investitori që i kishte kërkuar përqindjen, – shko e dashur vajzë, shko vetë atje, përgjigju para drejtësisë. Fundja sqaroje veten tënde!

Pse i mbrojte!? Politikisht. . . Po ja pra, kjo është! Sensi i drejtësisë. Sensi institucional. Dhe unë s’po them. . . këtu përballë kam një ish-ministër.

Ky zotëria këtu është një ish-ministër. Për cilën arsye ky i niste djalit tënd, faks, për Ministrin e Mbrojtjes, me mbishkrimin ‘për Shkëlzen Berishën’.

Pse nuk e çon këtë te Prokuroria të japë përgjigje. Pse nuk e çon këtë, ja ku e ke këtu!? Po për cilën arsye ai ish- ministri tjetër atje, që nuk është këtu, e ke aleat, për cilën arsye, ai zotëria i ka shpëtuar gjyqit vetëm duke fituar mandatin! Po pse mërziteni tani?! Pse ju vjen keq! Ja shikoni Ristanin, e bëri dënimin e vet, e akuzuat për shpërdorim detyre, bëri dënimin dhe rri urtë tani! Pse nxiteni ju të tjerët! Shikoni këtë tjetrin, ky rri urtë. E bëri dënimin ky, shkoi bëri burg atje kur e dënove ti. Juve vazhdoni të bërtisni, pse bërtisni.

Qetësohuni! Këtë llogari nuk e keni me mua. Këtë llogari e keni me qytetarët, e keni me drejtësinë. Mos u merrni fare me mua! Unë këtu, as kam ndonjë problem, pavarësisht se duhet të jepni llogari përpara drejtësisë, s’kam problem të vij këtu, t’ju jap përgjigje, t’ju dëgjoj!

Unë fundja respektoj Parlamentin, respektoj qytetarët. Por për asnjë lloj rrethane në këtë botë, nuk do kalojë një ditë të detyrës sime, pa ju përmendur ca të vërteta që qytetarët jua dinë. Dhe shkoni para drejtësisë atje. Kjo është më ë rëndësishme sesa unë të mbyll gojën këtu dhe të bëj me demek sikur. Por ju jap përgjigje për ato gjëra që duhet t’i çoni para drejtësisë. Ja kjo është çështja. Se s’e keni aty në krah. . . keni edhe një ish-ministër tjetër, që sot akuzohet për fshehje pasurie – ish ministri i Financave, i yti! – pse nuk e çon para drejtësisë! Të shkojë të japë llogari! Dhe mbasi të jepni llogari para drejtësisë, do rrini urtë siç rri ky Ristani. Kaq e thjeshtë është.

Sepse drejtësia u jep zgjidhje të gjithave dhe para se të vini të bëni moral këtu, shkoni dhe bëni llogaritë tuaja me drejtësinë, siç i bëra unë! Shkova u paraqita në gjyq unë! Edhe kur më akuzoi djali yt dhe vajza jote, pse iu thashë që djali yt, merrej me Gërdecin, vajza jote merrej me atë që i kërkonte 3 përqindëshin për firmën tënde. Por ja, kaq thashë unë dhe u dënova. Shkova te drejtësia ama!

Ndërsa ti djalin nuk e çove një ditë para prokurorisë. Prandaj dallojmë shumë, në qasje, në vizion, në mënyrën si i bëjmë gjërat, në pasionin që kemi për punën. Arsyet pse rrimë ditë për ditë në punë.

Po ti kur ishe Kryeministër më shumë dilte në televizor vajza dhe djali yt!

Unë të paktën nuk kam lidhje me këtë. Unë të paktën merrem me detyrën dhe u jap llogari qytetarëve. Kam kurajo aq shumë sa t’u jap llogari dhe juve, kur normalisht, ju, para se të vinit këtu, duhet të shkoni të jepni llogari para drejtësisë! Ja ky është dallimi ynë i madh. Dhe, meqë vjen fjala, edhe unë bie dakord, që duhet të ulemi dhe të vendosim një standard, për pjesëmarrjen e atyre që kanë qoftë edhe vetëdijen më të largët të mosdhënies llogari para drejtësisë, të pjesëmarrjes së tyre në politikë, parlament, në administratë e kështu me radhë. Jam dakord.

Por si ta shpjegoj unë kur ju, një kandidat të një Bashkie mu këtu ngjitur qendrës së Tiranës, mu afër Skënderbeut madje, ditën kur u dënua nga gjykata për shpërdorim detyre, ju e kandidoni.

Mos të të them pastaj që ditën kur u arrestua, zotëria këtu i shkoi në burg, brenda në qelitë e burgut, i shkoi ta takonte.

Po një kandidat tjetër në një qytet të jugut!? Kur e dënoi Gjykata, ju prapë i shkuat në burg! Dhe shkuat e takuat dhe e kandiduat prapë. Po ja pra, jua them këto, jo se kanë ndonjë vlerë të madhe, por sepse gabimi më i rëndë që mund të bëjmë është të politizojmë luftën kundër kriminalitetit; gabimi më i rëndë që mund të bëjmë është të vendosim filtra politikë, në gjykimin tonë kur vjen puna te domosdoshmëria që kanë qytetarët për të dënuar njëlloj botën e krimit, paligjshmërinë.

Është kjo arsyeja pse sot qytetarët e dinë fort mirë që Shqipëria po bën përpara në luftën kundër krimit të organizuar.

Është kjo arsyeja pse DASH, vendos të japë një marrëveshje të tillë, ndihmë, mbi 7 milionë dollarë për Qeverinë shqiptare, për qytetarët mbi të gjitha, për të ndihmuar agjencitë ligjzbatuese, sepse njohin atë që kemi bërë deri më sot. Janë të bindur për vullnetin tonë. Dhe kur bëhemi bashkë me partnerët për të luftuar kriminalitetin, po duhet ta kemi shumë më të thjeshtë të bëhemi bashkë këtu brenda me njëri tjetrin. Kjo është shumë më e rëndësishme.

Ndaj të nderuar kolegë të opozitës, unë nuk e kam problem të merreni me mua, nuk e kam problem të shpifni për mua, nuk e kam problem të më akuzoni në çdo lloj mënyrë, bëjeni, nuk e kam problem sepse kjo është një kosto që jam i gatshëm ta mbaj për shkak të detyrës që kam, por një gjë mos e bëni: – të politizoni luftën kundër krimit, dhe të sulmoni Policinë e Shtetit.

Në kohën kur kam qenë deputet në opozitë mendoja që për dyshimet e forta të përfshirjes në korrupsion të djalit dhe vajzës tënde, kostoja më e pakët ishte të duronit që t’ju drejtonim ne gishtin dhe të flisnim ne!

T’i drejtonim ne gishtin dhe t’i denonconim! Unë mendoja në atë kohë që për tët bir dhe për tët bijë, kjo ishte kostoja më e vogël, të duronin peshën e lirisë tonë për të folur në Parlament dhe për t’i akuzuar.

Mbase kam menduar gabim dhe për këtë u dënova. Do e paguaj dënimin. Jam gati t’ju dëgjoj juve edhe sikur akuzat më të çuditshme të lëshonit, por ama, lërini shqiptarët të besojnë që në këtë vend mund të ketë përfaqësues politikë të kujtdo krahu që bëhen bashkë kur vjen puna te lufta kundër krimit!

Pushime të mbara dhe me mend të tjera në shtator!

SHKARKO APP