Pse vapa i bën keq stafit të Ramës…
Çfarë mjerimi dhe çfarë zvetënimi në të folur. Mirëpo fill pas tij, vijnë çerrat e shpurës (jam i sigurt që çerrat as nuk e dinë çdo me thënë “shpurë”), që merren me baltosje dhe bajgosje të gazetarëve opozitarë…
Nga Artur Zheji
Dola tre herë rresht në Tv, pas një heshtjeje televizive shumë mujore dhe kaq mjaftoi që stafi mediatiko-satanik, që zë fill nga zyrat e kryeministrit të më sulmojnë mbarë e prapë rrjeteve sociale, të blera, të shitura apo të ngritura me para droge dhe tenderash.
Frymëzimi buron natyrshëm nga burri, në thelb i palumtur, që ne kemi për kryeministër dhe që nuk skuqet e zverdhet kur thotë se gazetarët opozitarë, janë thjesht pula-ngrënës, ndërsa ai është punëbërës. Në mënyrë kontradiktore, ndërsa ai thotë se nuk i lexon apo nuk i dëgjon ata, ai në të vërtetë si “punëmadh” që është, e fillon ditën duke na lexuar dhe duke na ulëritur në mungesë. Pastaj, ka kaq informacion nga “shërbimet”, sa di edhe menynë tonë, që sipas tij, kryesohet nga pulat.
Çfarë mjerimi dhe çfarë zvetënimi në të folur. Mirëpo fill pas tij, vijnë çerrat e shpurës (jam i sigurt që çerrat as nuk e dinë çdo me thënë “shpurë”), që merren me baltosje dhe bajgosje të gazetarëve opozitarë.
“Uleni zërin e Tv, kur flet Zheji, këtij vromsi e mercenari… ndërsa Rama është kryeministri i të gjithë shqiptarëve…” shkruajnë ata ndër rrjete të mirëpaguara dhe të mirë sponsorizuara, të mercenarizuara nga kupola kryeministrore. Këto pështymat virtuale, të gojërave gëlbazë, as më mbërrijnë dhe as më ndikojnë aspak. Rama është kryeministër, është i pasur dhe me oborrin plot servilë. Është vërtet për tu pasur zili, por jo nga unë, por nga askushët, që zhgaravisin gëlbazërinë.
Përfytyrojeni këtë lloj stafi: kryeministri hedh një gëlbazë, për gazetarët opozitarë dhe ky “stafi”, me urdhrin e Fugës së vogël, merret me përpunimin e gëlbazës dhe me gëlbazizimin e të gjithë dynjasë, që nuk i pëlqen, Kryeshefit kryeministër dhe gëlbazëpështytës.
Më dhimsen këta çunat e stafit dhe nuk u them dot që janë vromsa e mercenarë, sepse janë thjesht, ca çuna për gjynah. Ëndërrimtarë të pashpërblyer dhe që askush nuk i njeh dhe që askush nuk do t’i njohë kurrë po vazhduan kësaj rruge.
Porse burimi i kësaj hidhësie dhe i kësaj ligësie të zymtë buron nga pasiguria e kryeministrit dhe nga dëshira e tij e gabuar, për tu bërë kryeministër i përjetshëm dhe me çdo kusht, duke i hapur rrugën çdo deformimi dhe çdo bande kriminale që siguron vota.
Dhe ky është një problem i madh. Një problem shumë më i madh se sa marrëdhënia ime personale e dikurshme me Edin, sot kryeministri.
Marrëdhënie të dikurshme shumë të mira, ëndërrimtare dhe entuziaste, por mbi të gjitha shumë idealiste. Sot, marrëdhëniet me kryeministrin, pra me “ish-Edin”, janë thjesht marrëdhënie publike, të një gazetari me një politikan, që adhuron modele të fortësh, në jetën e përditshme dhe në politikën ndërkombëtare.
Sinqerisht nuk do të doja asfare, që të ishte Edi i dikurshëm, ky kryeministri i sotëm, që i jep vetes të drejta që nuk mund t’i ketë dhe për të cilat si gazetar të mbaj dhe të them qëndrimet e mia. Do të doja pra, të ishte mundësisht dikush tjetër, ai Kryeministër që herë i mallkon trafikantët e Plehrave dhe herë i fton ata që të ulen këmbëkryq në Shqipëri dhe u përgatit një Ligj për Plehrat, të cilin e neveriti disa vite më parë.
Por me sa duket, vapa e Qershorit dhe ankthi i rezultateve të pritshme zgjedhore, i bën keq Kryeshefit dhe dalldis stafin, që nuk i ndalet turpit, për të hedhur nëpër rrjete, statuse-gëlbazë, që bëjnë pis ata që i lëshojnë.
Shqiptarët nuk janë aq budallenj sa i pandeh, kryeshefi dhe stafi i qyqarëve mediatikë që shërben mjeshtërisht ca bajga mediatike./360grade.al/