Pseudo Reforma në Sistemin e Drejtësisë

Nga Raimond Todhe*

Pseudo Reforma në Sistemin e Drejtësisë e ofruar nga Ekspertë të fushës, nën orkestrimin e Politikës nuk është gjë tjetër veç një mashtrim i madh dhe vazhdë e shkeljes së Parimeve Kushtetuese. Veprimtaria Politike dhe Ekonomike e Vendit tonë Udhëhiqet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ku në preambulën e saj përcaktohet: “Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit”.

Sa më lart qartë pa asnjë ekuivok, përcaktohet që hartuesi dhe mbajtësi i të gjitha pushteteve të cilat burojnë në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë është Populli Sovran. Mos funksionimi dhe uzurpimi i Pushtetit të Drejtësisë, qëndron në faktin e uzurpimit të të drejtave nga faktorë politike dhe grupe interesi të kompetencave të panegociushme të popullit sovran.

Kontrolli nga këto grupe interesi të Gjykatës Kushtetuese, ka lejuar shkelje të rënda të Kushtetutës dhe konkretisht të Nenit 18 / 1 të saj duke cenuar Parimin themelor të barazisë së shtetasëve përpara Ligjit. Mos mbajtja e përgjegjësisë administrative apo penale nga një grup individësh të veshur me pushtet të pakufizuar që punojnë në sistemin e drejtësisë, Gjyqtarë apo Prokurorë të të gjithë niveleve, që mbartin në personalitetin e tyre paaftësi dhe nënshtrim, përbën shkelje të Kushtetutës dhe dispozitave ligjore të caktuara për shtetasit në Kodin Civil dhe Penal.

Çdo shtetas në detyrë funksionale publike apo private mban përgjegjësi civile apo penale në rast të shkaktimit të dëmit ndaj të tretëve. Askush nuk mund të jetë i privilegjuar në Shtetin e së drejtës. Është pikërisht komprometimi i Gjykatës Kushtetuese që lejon shkelje të Kushtetutës, konkretisht mosshfuqizimit të Ligjit antikushtetues nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, së bashku me ndryshimet e tij i cili haptas cënon Nenin 41.të Kushtetutë të R.SH.

  1. E drejta e pronës private është e garantuar.
  2. Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil….

Pra fitimi i pronës nëpërmjet Ekzekutivit, për një pasuri të paluajtshme private është arbitrar dhe antikushtetues. Për më shumë se 25 vjet, një grup i privilegjuar të veshur me imunitet me paaftësine e tyre apo për korruptivitet, vazhdojnë dhe sot ti privojnë popullit shqiptar instalimin e demokracisë dhe kjo me ndihmën e paçmuar te Gjykatës Kushtetuese e cila me Vendimin e saj ka shfuqizuar Nenin 315 të Kodit Penal – Dhënia e një Vendimi të padrejtë, duke denigruar sot në një situatë tragjedi- komike, ku askush nuk beson në Sistemin e Drejtësisë.

Pra nëse dëshirojmë realisht reformë, thjesht duhet të zbatosh Ligjin dhe të përgjigjesh përpara Tij pa asnjë dallim në rast se konstatohen shkelje të tij. Është absurde dhe e patolerueshme që qytetarët e vendit paguajnë miliona në Valutë, për Vendimmarrje në kundërshtim me Ligjin të dhjetëra Vendimeve, të prishura nga Gjykata Europiane e Strasburgut. Nisur nga parimi që çdokush që shkakton dëm, përgjigjet duke e zhdëmtuar atë, Fatura financiare duhet ti kalojë atyre individëve të veshur padrejtësisht me pushtet të pa kufizuar, të Gjyqtarit që ka dhënë Vendime të gabuara të cilët në një Shtet të së Drejtës duhet të udhëhiqen nga parimet e Ekonomisë së Tregut duke u mbështetur në profesionalitetin dhe ndershmërinë e tyre, në një konkurencë transparente jashtë ndikimeve dhe përzgjedhjeve politike.

Nëse realisht dhe ndershmërisht do të dëshironim një sistem Gjyqësor Garant të të Drejtave të Qytetarit, një nga kriteret e mosprëzgjedhjes të Gjyqtarëve në forumet e larta të Sistemit Gjyqësor duhet të jenë pikërisht vendimmarrja e tyre në Vendime të prishura nga Gjykata e Strasburgut.

Për sa kohe nuk ka ndëshkim për të paaftët dhe abuzuesit dhe për sa kohë ka përzgjedhje te Juristëve në Sistemin e Drejtësisë në kundërshtim me interesat e popullit sovran të shprehura në Kushtetutë, asnjëherë nuk mund të ketë Reformë. Mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese mendoj, ka rezultuar krejtësisht e gabuar, për faktin që kjo Gjykatë nuk ka luajtur rolin e saj në vigjilencë të shkeljeve Kushtetuese që kanë të bëjnë me barazinë e Shtetasve përpara Ligjit.  Emërimi dhe mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë ka rezultuar krejtësisht e gabuar, fakt i rezultateve të deritanishme të pagesës së një Fature miliona dollarë nga taksapaguesit për Vendime të marra nga kjo Gjykatë në kundërshtim dhe zbatim të gabuar të Ligjit.

Farsa e propozimeve nga ana e Politikës të anëtarëve për Gjykatën Kushtetuese dhe për Gjykatën e Lartë dhe më pas miratimi në Parlament, është një mekanizem pseudo demokratik, mbasi në Shtetin e së Drejtës, pushteti gjyqësor është i barabartë me atë parlamentar dhe nuk buron nga ai, vendimmarrja e pushtetit gjyqësor i preket vetëm sovranit popull dhe është detyrë e parlamentit të miratojë legjislacionin përkatës për ti rikthyer popullit atë që i kanë rrëmbyer dhe jo të miratojë pseudoreformë për ruajtjen e statukuosë.

 Gjyqtarët, mbi bazën e personalitetit dhe të aftësive individuale udhëhequr kurdoherë nga Virtyti dhe Morali, duhet detyrimisht të përzgjidhen me afate të caktuara nga Populli me votim të drejtpërdrejtë. Reforma në sistemin e Drejtësisë nuk mund të jetë privilegj i politikës, por kërkon domosdoshmërish pjesëmarrje gjithëpërfshirëse, për faktin e thjeshtë sepse një Pushtet gjyqësor i pavarur është burim i drejtpërdrejtë i popullit sovran si janë të gjithë pushtetet. Nuk mund të ketë varësi ndërmjet pushtetit parlamentar, ekzekutiv dhe atij gjyqësor. Pushtet i pavarur gjyqësor do të thotë vullnet i drejtpërdrejtë i popullit i shprehur në zgjedhjen e gjyqtarëve në të kundërt, çdo arnim i të ashtuquajturës reformë në drejtësi do të ishte fiasko dhe vonesë në realizimin e aspiratave të qytetarëve për ndërtim të shtetit ligjor dhe anëtarësim në Familjen e madhe Europiane.

Kontrollimi i Parlamentit, nëpërmjet ndryshimeve të Ligjit zgjedhor, duke fuqizuar disa individë të veçantë në përzgjedhjen e anëtarëve të parlamentit, kanë krijuar në vetvete një kontroll të oligarkisë mediokre dhe korruptuese ndaj Institucioneve të vëndit në dëm të demokracisë, Interesave konkrete të qytetarëve duke përjashtuar kontributin e mijra patriotëve dhe individëve të kualifikuar dhe të ndershëm brënda dhe jashtë Vendit, për ndërtimin e një Shteti të begatë dhe demokratik. Të gjitha keto shkelje, grabitja dhe tallja që i bëhen prej shume vitesh, pronarëve të ligjshëm është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e mosfunksionimit dhe uzurpimit të pushtetit të pavarur gjyqësor.

Liria e qytetarëve dhe barazia e tyre përpara Ligjit duhet të paraprijnë domosdoshmërish dhe të jenë udhërrëfyes për të gjitha ndryshimet që do të propozohen në reformën e drejtësisë.

Ky Parlament mendoj, duhet të bëjë ndryshimet e duhura Kushtetuese, nisur nga Parimi – Ligji është I Barabartë për të gjithë, për të hequr privilegjet e disa individëve të veshur me pushtet, për të shmangur gjykimin në Shkallët e ulta të Gjyqësorit.  Emërimi I Gjyqtarëve të rinj dhe, promovimi i Gjyqtarëve në Gjykata më të Larta, kanë pasur si kriter bazë bindjen ndaj interesave dhe jo aftësinë, fakt i cili është i pranuar pa hezitim nga të gjithë aktorët brenda vendit dhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe megjithatë pa dallim askush nuk dëshiron të humbasë fuqinë e kontrollit mbi Pushtetin Gjyqsor.

Mënyra e organizimit të Shkollës së Magjistraturës, përzgjedhja dhe më pas emërimi i Gjyqtarëve të rinj nuk kanë dhënë asnjë ndikim pozitiv në përmisimin cilësor të proceseve apo në ndryshimin e imazhit të Gjykatave në vendin tonë. Dhe kjo ndodh sepse Garancia e tyre qëndron tek ata që i promovon dhe i emëron sipas interesave duke i kujtuar kurdoherë nderin e bërë. Nuk ka asnjë arsye të përligjur që qytetarët të paguajnë për shkollimin e studentëve të Magjistraturës të cilët nuk janë përzgjedhur nga vetë qytetarët dhe nuk i shërbejnë interesave të tyre. Përzgjedhja ka qenë nepotike dhe me interesa klienteliste, në shërbim jo të interesave të qytetarëve por vetëm të atyre që vazhdojnë të kontrollojnë Sistemin e një Drejtësie të munguar.

 Mos lejimi i përfaqësimit në sistemin Gjyqësor të studentëve, bija dhe bij të këtij Vendi që janë lauruar jashtë vendit, të specializuar me kuadrin ligjor të vendeve demokratike, njohës të disa gjuhëve dhe te edukuar me konceptin e vërtetë të fjalës së lirë, monopolizimi i punësimit në Gjykatat Shqiptare, nëpërmjet Shkollës së Magjistraturës përbën diskriminim që cenon liritë dhe të drejtat e qytetarëve, të cilët paguajnë dhe rrogat e mësimdhënësve në Shkollën e Magjistraturës prej ku janë përgatitur Gjyqtarët e sotëm. Nëse duam të ndërtojmë një sistem Gjyqësor të Drejtë në shërbim të qytetarëve për të garantuar të Drejtat dhe Liritë Themelore, baza e Gjyqësorit duhet të jenë bijtë dhe bijat e këtij Vendi të edukuar dhe shkolluar jashtë vendit për të sjellë në këtë vend frymën e Qytetarit te Lirë dhe të ndershëm jashtë çdo ndikimi partiak apo nepotik.

Të deklarosh dhe të pohosh që Sistemi Drejtësisë është inekzistent dhe me pasoja shkatërrimtare për të gjithë vendin, ke pranuar faktin e shkeljes të të gjitha të drejtave dhe lirive Themelore të qytetarëve. Të pretendosh të ndërtosh një sistem të së drejtës, dhe të mos kontribuosh në ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, në respektim të Kushtetutës në mbrojtje të interesave të qytetarëve është thjesht demagogji e radhës. Aktorët politikë në këto 25 vite, kanë ndikuar në degjenerimin dhe mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë, për të garantuar dhe mbrojtur vetveten nga përgjegjësitë civile apo penale, duke krijuar një grup të korruptuarish që në emër të ligjit kanë cenuar dhe rrëmbyer, jetën, pronën dhe nderin e qytetarëve.

Besimi në Zotin e përjetshëm dhe bindja ndaj Tij do të mund të na udhëheqin në ndërtimin e një Shoqërie dinjitoze pasardhëse e një populli me një kulturë të lashtë të përzgjedhur nga vetë Ai, fakt të cilin e harrojmë duke mos menduar se kush na ka sjellë në këtë jetë dhe kush do na largojë nga këtu, dy vendimmarrje të cilat janë jashtë fuqive të Njeriut.

Mendoj që sot është detyrë e kujdo, e të gjithë qytetarëve me atributin e taksapaguesit, për të kontribuar në ndërtimin e një sistemi drejtësie, sistem i cili duhet të jetë garant i mbrojtjes të së drejtës së qytetarit, të drejtës së jetës dhe të pronës së tij, në përballje me pushtetin dhe politikat antikushtetuese të tij.

*Avokat

SHKARKO APP