Publikohet emisioni për landifillin e Sharrës

Stafi i emisioni “Publicus” ka vendosur që dokumentarin për vdekjen e Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës ta publikojë në youtube. Drejtuesit e emisionit deklaruan se ky material nuk u lejua të publikohej në televizionin “Vizion Plus”. Regjisori Artan Rama tha se mospublikimi është formë e re e censurës që Bashkia e Tiranës ka bërë ndaj medias ku ishte parashikuar publikimi.

Ndërkohë administratori i Vizion Plus ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë lloj pengese në publikim e dokumentarit, por mosmarrëveshje administrative me stafin e emisionit. Genc Dulaku, drejtor administrativ i Media Vizion, kompanisë që menaxhon televizionin Vizion Plus, tha për BIRN se: “ne patëm mosmarrëveshje mbi çështje administrative me drejtorin e emisionit pasi ai qe vonuar në montimin e tij.

“I thashë se qe e pamundur që emisioni të transmetohej këtë javë dhe se ai mund të vijonte javën tjetër, por ai vendosi të largohet,” tha Dulaku duke iu referuar regjisorit të emisionit Artan Rama. “Unë nuk mund të censuroj një emision që nuk e kisha parë”.

Po sot ka reaguar dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në një deklaratë për mediat, Veliaj shprehet se nuk ka asnjë të vërtetë në ato që thuhen për censurë lidhur me këtë dokumentar, apo çdo lloj materiali në mediat e tjera.

“Jam informuar dje nga nje deklarate e Partise Demokratike dhe mediat e koordinuara prej saj me akuzat e rradhes – thuajse te perditshme – kesaj here per nje emision te patransmetuar ne Vizion Plus. Me nje mori punesh qe ka Tirana, as nuk kam kohe e as interes te merrem me çdo histori qe shpiken ne dhoma montazhi, seli partie e duzine portalesh prane tyre. As nuk e kam pare emisionin, as nuk i njoh gazetaret, e as kam kontaktuar KURRE me Vizion Plus. Sfidoj kedo qe ben gazetari te mirefillte te provoje te kunderten! Por kushdo qe me njeh, e di se sa i fokusuar jam ne punet e Tiranes e sa nuk harxhoj kohe fare me litanine e perditshme te PD e mercenareve te tyre – se besoj se qyteti ndertohet me pune, jo me helm!”,- u shpreh Veliaj.

Emisioni mund ta ndiqni të plotë në videon më poshtë.

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=xMW6_Gn2VXo” width=”560″ height=”315″]

SHKARKO APP