Pushteti, fillim si mjet apo cak si qëllim

“Pushteti ka qenë jo mjeti për të realizuar qëllime të mira, por qëllimi i vetëm tek i cili është rendur me çdo mjet. Të paktën kjo është e vërteta e trishtuar e profesorit epik të socialistëve të dikurshëm, në kohën shumë të largët tashmë të opozitës së tyre të parë. Mbetet të shihet nëse kjo është e vërtetë edhe në vitin e fundit të mandatit të parë qeverisës para ballafaqimit elektoral që dikton kushtetuta e vendit. Që thotë se në fundtë fundit, çdo pushtet është i përkohshëm”…

Nga Lorenc Vangjeli/

Mirë apo keq, historia e Shqipërisë në çerek shekullin e tranzicionit, është një histori e partive politike. Ne thelb ajo është një histori e palavdishme. Eshtë një histori e ndryshueshme, e kritikueshme, me shumë pikpyetje, me shumë paqartësi dhe mbi të gjitha, me shumë dritëhije mbi personazhet kryesorë të saj. Secili prej tyre, pavarësisht ngjyrës politike në shpinë, i përputhur në mënyrë absolute me trajektoren e pushtetit: heronj të brohoritur në detyrë, mëkatarë të mënjanuar kur ikin prej saj.

Kështu ka ndodhur me Berishën, kështu ka ndodhur me Nanon, sa për të marrë dy shembuj kontraversë të dy politikanëve që erdhën në të njëjtën mënyrë dominuese në Tiranën e viteve 90­të. Secili nga ta, duke ndarë fat të ngjashëm me tjetrin dhe në raport me ushtrimin e pushtetit, ka ndjekur të njëjtën rrugë në “zemrën” e historisë, por në kohë të ndryshme. I adhuronin në pushtet, i harronin kur nuk kishin pushtet. Por këtu Doktori bën përjashtim si për të vërtetuar aksiomën se pushteti nuk është vetëm firmë legale, por është para së gjithash imponim moral.

As njëri dhe as tjetri, as Berisha dhe as Nano, nuk kanë ndërmend të shkruajnë kujtimet e tyre, së paku një gjë të tillë kanë pohuar në vijimësi. Me të gjitha gjasat, të vërtetat e tyre dhe sipas tyre, do të ishin një minierë kurioziteti dhe “lëndë e parë” për të kuptuar dhe shpjeguar më mirë shumë paqartësi të të sotmes duke u nisur nga e shkuara. Në fakt, librat e mirëfilltë të protagonistëve politikë të historisë politike të vendit kanë munguar, me ndonjë përjashtim të rrallë që e bën edhe më të ndjeshëm mungesën dhe më të fortë nevojën për ta.

Një libër i kësaj natyre, i ish­nënkryetarit të Partisë Socialiste në vitet e para të shndërrimit të saj nga Parti Komuniste, ka trazuar shumë humore në Tiranë. Një politikan tipik i të majtës si Servet Pëllumbi ka bërë pikërisht atë që pritet nga një politikan: ka treguar si e ka parë ai kohën e tij dhe mbi të gjitha, si ka parë rrethanat e asaj kohe, situatat, të shkuarën dhe projektimin e të ardhmes nisur pikërisht nga ajo lloj e shkuare. Dhe mbi të gjitha, si ka parë personazhet e asaj kohe. Me karakteristikat e tyre në kohën e tyre. Me emra të përveçëm, dhe gjykim shpesh të ashpër. Ka hedhur dritë në kulisa dhe në përplasje brenda llojit, ka rrëfyer tradhëti të pastër aty ku shitej dashuri e sinqertë, ligësi aty ku predikohej moral si në kishë, prapaskena që ishin në fakt vetë skena ku luhej seriozisht gallata e madhe e politikës diletante shqiptare.

Nuk ka rëndësi saktësia dhe nuk është e rëndësishme nëse profesori epik i socialistëve është i sinqertë dhe i vërtetë në ato që thotë ndaj ish­kolegëve të tij. Nuk ka rëndësi të dorës së parë edhe sesa përputhen vëzhgimet e tij mbi natyrën njerëzore të personazheve që kanë ndikuar kohën politike të dikurshme dhe janë ndikuar nga ajo kohë. Në këtë botë ka gjithmonë më shumë se një të vërtetë dhe se edhe të vërteta që përjashtojnë plotësisht njëra­tjetrën, që mund të jetë tërësisht të kundërta me njëra­tjetrën, mund të bashkëjetojnë pa problem me njëra­tjetrën. I rëndësishëm është mbi të gjitha akti i të shkruarit dhe dëshmia vetjake. Shkrepja e një poze të vetme, qoftë dhe shumë subjektive e së shkuarës së afërt që vazhdon të dominojnë dhe të sotmen e vendit.

Historia e këtij çerek shekulli të fundëm të Shqipërisë – fiks sa ka zgjatur dhe epika e Heroit Kombëtar – është një histori e palavdishme. Eshtë një histori tranzicioni me shumë kohë të shpërdoruar, me shumë energji të harxhuara pa dobi dhe kuturu, me një shoqëri që nuk është as më e mirë dhe as më e përgjegjshme në përpjekjet e përbashkëta për një jetë më të mirë.

Sepse pushteti ka qenë jo mjeti për të realizuar qëllime të mira, por qëllimi i vetëm tek i cili është rendur me çdo mjet. Të paktën kjo është e vërteta e trishtuar e profesorit epik të socialistëve të dikurshëm, në kohën shumë të largët tashmë të opozitës së tyre të parë. Mbetet të shihet nëse kjo është e vërtetë edhe në vitin e fundit të mandatit të parë qeverisës para ballafaqimit elektoral që dikton kushtetuta e vendit. Që thotë se në fundtë fundit, çdo pushtet është i përkohshëm. (Java)

SHKARKO APP