Putin, Erdogan dhe Beu i vogël shqiptar…
Nga: Artur ZHEJI
Tani Rusia e madhe e shekullit XXI e ka përsëri Perandorin dhe perandorinë e saj.
Vladimir Putin morri nga votuesit edhe një mandat tjetër 6-vjeçar, për të qeverisur në mënyrë të pakushtëzuar nga askush, me një diferencë të frikshme nga rivalët e vetë politikë. Si një mjeshtër i madh i komunikimit publik, Car Vladimiri, ka bindur shumicën e Rusisë se pavarësisht se çfarë thuhet për të, ai mbetet “shpëtimtari” i halleve të tyre.
Edhe Presidenti Erdogan, tanimë është në pozita të ngjashme perandorake në Turqinë e tij, përherë e më larg vizionit laik të Qemal Ataturkut.
Dhe askush nuk mund të thotë dot sot, nëse Erdogani ka “kundërshtarë” politikë, që e rrezikojnë poltronën e tij të patundshme të pushtetit.
Ndoshta Rusia dhe Turqia, si ish-vende perandorake, kanë nevojë për një “dorë të fortë”, që mbron dhe rrit Perandorinë e re, në luftë kundër “armiqve” të jashtëm që duan pavarësi apo duan t’i shkëpusin llokma territoresh.
Dhe demokracia e tipit perëndimor, ishte për këto vende, një grip i papranueshëm në punët e brendshme të Perandorive. Duket se tani, është në Shqipëri, kush është realist, duhet të bëhet gati të përjetojë të njëjtën situatë me Ramën.
Arrestimet e Lezhës për “Ranën e hedhun” dhe të policëve e gëzojnë popullin, atë popull inatçor me politikën që mendon se arrestimet e fundit dhe ato që paralajmërohen të vinë janë shtetformuese dhe një drejtësi në veprim aktiv!
Pavarësisht se janë arrestime dhe ndëshkime, politikisht vetëm në një krah politik, arrestime të kundërshtarëve, me partinë në pushtet.
Atë që Beu i ri shqiptar, nuk e bën dot me punësim, me ndihmë sociale, me bereqet dhe investime, do ta bëjë me sa duket me frikësim dhe me dorë të fortë. Dhe në krye të kësaj pune, duket se vërtet ka gjetur njeriun e duhur, që nuk i bën syri tërr!
Kjo është një spirale e mbarë për pushtetin e tij dhe një situatë ogurzezë për kundërshtarët e vet politikë, por mbi të gjitha për demokracinë hibride shqiptare. Atë që pritej ta bënte Berisha në vitin 2005 kur erdhi në pushtet si njeriu dhe denoncuesi i përditshëm “antikorrupsion”, po e bën Beu shqiptar në mandatin e vet të dytë, për t’i hapur rrugën mandatit të vet të tretë.
Shumica e shqiptarëve të ditur dhe të mirarësimuar e kanë zgjidhur ekuacionin e tyre personal, bëjnë valixhet, nisin e-mailet e tyre ndër miqtë e sistemuar jashtë Shqipërisë dhe planifikojnë nisjen e radhës, për shumë kilometra larg Çifligut të Beut ortodoks shqiptar…/360grade.al/