Putin kthen kokët nga rusët, por kjo s’do të rrisë më popullaritetin e tij

Nga Leonid Bershidsky

Presidenti rus, Vladimir Putin, duket se ka reflektuar per gjendjen ku ndodhet vendi i tij, duke dashur të reagojë ndaj rënies së madhe të popullaritetit të tij, që nga mesi i vitit të kaluar. Prandaj, fjalimi i mbajtur të mërkurën, u përqëndrua në përmirësimin e mirëqenies, arsimit dhe kujdesit shëndetësor, si dhe zhvillimit ekonomik, në vend të politikës së jashtme, fushë ku ai mbështetej më parë për të rritur popullaritetin e tij.

Por premtimet e Putinit, përballen me një pengesë të dukshme:Përmirësimet që ai synon, janë duke u penguar nga sistemi shtypës dhe i korruptuar i qeverisë që ai ka ndërtuar, dhe duke gjykuar nga fjalimi, ai nuk ka ndërmend ta ndryshojë atë sistem. Në thelb, ai dëshiron që Rusia të ndjekë rrugën e Kinës, por pa avantazhet konkurruese të kësaj të fundit.

Rënia e popullaritetit të Putinit, filloi me vendimin e tij për të rritur moshën e daljes në pension. Sondazhet, treguan se ky ishte një çmim që rusët nuk qenë të gatshëm ta paguanin, për versionin e presidentit të “sërish të mëdhenj”, që u paraqit dukshëm në fjalimin vjetor të vitit të kaluar drejtuar kombit.

Të mërkurën, Putin sinjalizoi se pas forcimit të sovranitetit dhe mbrojtjes së Rusisë, ai është i gatshëm t’u kushtojë më shumë vëmendje nevojave të qytetarëve. Rezervat ndërkombëtare të Rusisë, tha presidenti rus (dhe të dhënat zyrtare e konfirmojnë atë), janë për herë të parë në nivele më të larta se borxhi i jashtëm i kombinuar i qeverisë dhe sektorit privat.

Me ekonominë e rrethuar nga goditjet e jashtme, Kremlini duket i përgatitur të jetë bujar me shtetasit e vet. Programi social, duket si më ambiciozi që Putini ka prezantuar ndonjëherë. Ai përfshin pagesa të shumta për familjet me fëmijë, duke përfshirë edhe më shumë pagesa për lindjet e fëmijëve, subvencione për kreditë; më shumë shpenzime për programet kundër varfërisë; pushime falas për njerëzit që e kanë humbur vendin e punës; dhe rritjen e pensioneve. Ai përmendi programet për modernizimin e kujdesit shëndetësor dhe arsimit, duke përfshirë një program kundër tumorit me një vlerë më shumë se 15 miliardë dollarë për 6 vjet, dhe një plan për të zgjeruar internetin me shpejtësi të lartë për të gjitha shkollat ​​deri në vitin 2021.

Ai premtoi të rregullojë problemin në rritje të menaxhimit të mbeturinave të Rusisë, gjë që ka çuar në protesta sporadike në shumë rajone, Putin shpalli si prioritet kombëtar rizhvillimin urban, dhe u angazhua për një reduktim prej 20 për qind të emetimeve industriale në 6 vitet e ardhshme.

Për të qetësuar audiencën e zyrtarëve dhe mbështetësve të tij, Putin u zotua të shfuqizojë deri në vitin 2021 të gjitha rregulloret ekzistuese të përdorura aktualisht për të ushtruar presion mbi bizneset, si rregullat e sigurisë nga zjarri, kodet e ndërtimit dhe programet e mbrojtjes së konsumatorit.

Ai propozoi një regjim rregullator më transparent, që do ta zëvendësojë atë. Sipas planit të Putin, Rusia do të duhet të rrisë shpenzimet qeveritare dhe investimet, veçanërisht në fusha të tilla si inteligjenca artificiale, si dhe do të rrisë bashkëpunimin me Kinën. Ai premtoi ta lidhë projektin e tij të integrimit post-sovjetik, Unioni Ekonomik Euroaziatik, me Nismën kineze të Brezit dhe Rrugës, diçka që Pekini ia ka kërkuar prej kohësh.

Putini u ndal vetëm pak momente mbi shqetësimin e tij lidhur me vendimin e SHBA-së për të braktisur Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme të vitit 1987. Puna me sistemet e armëve të reja që ai i prezantoi në vitin 2018 po ecën mirë, tha ai, dhe Rusia do të jetë e gatshme të hakmerret në rastin e ndonjë rritjeje të perceptuar të kërcënimit ushtarak amerikan. Ukraina, problemi më i madh në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin, nuk u përmend asnjëherë.

Megjithatë, rusët nuk kanë gjasa të impresionohen nga premtimet, veçanërisht pasi ato vijnë pas një kthese të dukshme kundër Putinit në sondazhe. Çdo gjë që ai premtoi këtë vit, mund të ishte bërë më herët, dhe me më shumë burime. Por Putin e kishte mendjen të përballej me Perëndimin.

Pavarësisht përpjekjeve për të rritur bashkëpunimin me Kinën, investimet e drejtpërdrejta kineze në Rusi pësuan ulje në 7 muajt e parë të vitit 2018,duke arritur ne vlerën 3.1 miliardë $ nga 4.2 miliardë $ që ishin në fillim të vitit të kaluar. Megjithëse Rusia ishte partnerja tregtarja më e madhe e Kinës vitin e kaluar, nafta dhe mallrat e tjera përbënin më shumë se tre të katërtat e eksporteve të vendit në Kinë. Dhe ky nuk është lloji i tregtisë, që mund të ndryshjën rrënjësisht pozicionin ekonomik të Rusisë.

Putini duket se vepron nën iluzionin, se me shpenzimet dhe vëmendjen e mjaftueshme të qeverisë, ekonomia ruse mund të bëjë përparim të shpejtë ashtu siç bëri edhe Kina. Por edhe ky vend tani po përballet me masa shternguese ndaj tregëtisë, si nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.

Duke u përballur me këta 3 gjigandë ekonomikë, Rusia, më e vogël në popullsi dhe në PBB, i është nënshtruar kufizimeve shtesë. Për shembull, konflikti i tij me Perëndimin, është një pengesë për të përfituar nga institucionet arsimore perëndimore në të njëjtën shkallë masive si Kina, dhe aftësia e saj për të marrë hua për të financuar investimet, është shumë e kufizuar.

Sistemi qeveritar rus, mund të jetë shumë i kalbur, për ta ndihmuar Putin të projektojë vullnetin e tij.

Teksa Putin foli për reduktimin e presionit mbi biznesin, investitori më i madh i kapitalit të huaj në vend është në burg. Dhe ndërsa foli për grumbullimin e mbeturinave, miqtë e tij miliarderë kanë interesa të mëdha në biznesin e menaxhimit të mbeturinave, të cilat do të avancohen vetëm me vendimin e tij të fundit për të caktuar një operator qeveritar të asgjësojë të gjitha mbetjet e ngurta.

Përkundër të gjitha premtimeve sociale dhe zhvillimore, rreth 15 përqind e të gjitha shpenzimeve të qeverisë ruse, ose 5 përqind e Produktit të Brendshëm Bruto, është mbi mbrojtjen dhe sigurinë.  Sa për krahasim, Gjermania, shpenzon më pak se 3 për qind të PBB-së.

Sipas planeve të qeverisë ruse, pjesa e shpenzimeve mbi mbrojtjen dhe sigurinë, do të ulet vetëm 13.5 për qind (ose 4.6 për qind të PBB-së) në vitin 2021. Edhe shpenzimet për kujdesin shëndetësor dhe arsimin, do të ulen si pjesë e shpenzimeve publike dhe ekonomike.

Asnjë nga këto masa, nuk sugjeron një ndryshim të madh në prioritetet e regjimit të Putinit nga mbrojtja e vetes tek përmirësimi i jetës së rusëve të zakonshëm. Aftësia e Putinit për të bërë kërdinë, si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe në shtëpi, mbetet e konsiderueshme.

Gjithsesi, kur është fjala për zhvillimin, burimet dhe mundësitë e tij janë të kufizuara, për shkak të përpjekjeve të tij të dikurshme për ta shndërruar Rusinë në një fortesë, dhe paaftësinë e tij për të kufizuar orekset e miqve të tij. Në këtë kuptim, fjalimi vjetor i Putinit nuk ndryshon në thelb asgjë.

“BloombergView” – Bota.al

SHKARKO APP