Pyet sopata për shoqata!…

Nga Thoma Goga

Fletorka e Çeços me kujtime ndonjëherë të lodh me ato romuzet që m’i ka si gozhdët e Nastradinit. Epo, bari hesapi; shkruan shpejt e me nxitim. Kujton se kështu kursen lapsin… Është ca me fiksime. Ka dhe nga ato rrëfenja që të çlodh. Po dhe kur të çlodh, të fut në mendime. Ama, edhe neve nuk na gjendet mideja. Shikoni çfarë shkruan Çeçua në një faqe me njolla të verdha. Aty kishte vënë përsipër ca djathë që defterin të mos e merrte era kur e kishte nxjerr në diell për të tharë shëllirën…Ca “pistona” nuk i punojnë mirë Çeços tim…

“… Më në fund shpëtuam edhe ne; e ngritëm edhe shoqatën e bagëtive të imta. Pse më të mençme janë bagëtitë e trasha? Apo pse në radhët e tyre ka dhe gomarë…Jo more vëlla, të mos kesh sot një shoqatë, të marrin për budalla. Meqë nuk mbeti gjë e gjallë pa u organizuar nëpër partira e nëpër shoqata, morëm vesh haberin më të ri; edhe pemët vendosën të bëjnë diçka. Është si punë sëmundje kjo. Quaje si të duash, po unë i them “Shoqatomani”. Në fund të fundit të drejtat dhe liritë e tyre kush do t’i mbronte? Vendosën të ngrenë shoqatën "Mushkritë e gjelbërta …". Programi në këtë shoqatë ishte i qartë; të ruheshin nga ajo e mallkuar sopatë, nga zjarri dhe të shtonin qelizat e "mushkrive". Shkurt të shtonin radhët e tyre me gjak të ri…

Pasi shoqata u miratua në instancat përkatëse, u vendos të bëhej mbledhja e parë. Të zgjidhnin kryesinë dhe një kryetar. Hardhia dhe Kacavjersi, si më të shpejtët, bënë njoftimet në të gjitha racat, fiset dhe familjet e pemëve pa dallim feje, krahine dhe ideje…

Ishte një ditë e bukur pranvere. Me të vërtetë si e porositur për këtë eveniment. Pemët e fisit të të ëmblave si Molla, Qershia, Dardha ishin veshur me të bardha. Nga ana e të thartave si Limoni, Kumbulla, Shega dëgjoje vetëm të qeshura. Më hijerendë Dafina, Plepi, Qiparisi, Koçimarja dhe Lisi. Në një anë rrinin shkurret me kryetare të vetëzgjedhur Ferra. Po fundja asaj i takon. Kot nuk thonë :”E ka marrë ferra uratën…”. Po kush ta merrte, domatja që e do një hu në tajare se nuk e mban veten fare?… Ama, në shoqatë e ndjenin veten të barabartë. Prisnin momentin emocionant të fillimit. Në presidiumin e vogël të improvizuar u ngjit më i moçmi ndër pemët, i lavdishmi Rrap. Për moshën që kishte gjynah t’i thoshe “zdap” se ja lexonte mirë edhe pa gjyslyke.

– Gjyshi im, ndjesë pastë, – tha me emocion ai,- më ka lënë si amanet një fjalë të urtë: "I ka hyrë pyllit data, që kur gjeti bishtin spata…". Prandaj, që të ndihet zëri ynë, të ngrihet më lart shoqata. Pleqësia dhe Kodi Zgjedhor, – vazhdoi Rrapi,- na detyroi të zgjedhim kryesinë e shoqatës po me kusht që 30 për qind të jenë femra.

 U dëgjuan ca duartrokitje frenetike nga Dafina, Ferra, Shega…

– Komisioni dhe pleqësia, – vazhdoi Rrapi, që veshët e kishin lënë para mendjes, – duke njohur meritat tuaja, inteligjencën dhe ngarkesën, vendosi që për kryetar të jenë tri kandidatë: Lisi, Plepi dhe Qiparisi.

Duartrokitjet tundën malet. Kandidaturat ishin të goditura. Kë të shaje?! Të gjithë me CV të shkëlqyer, nga 2 e 3 universitete. Për gjuhë të huaj kishin mësuar të gjitha gjuhët e kafshëve. Përparësi kishin ato që dinin edhe gjuhën e gjarpërit… Filluan të bëheshin llogaritë; sa vota mund të merrte Qiparisi, Plepi, Lisi…

– I hapni sytë mirë kur votoni e kur i numëroni votat, – përfundoi Rrapi.- Se kutitë po të mbyllen, nuk hapen më. Jo, po ta dini…

 Por këtu filloi kthesa. Lisi për arsye shëndetësore, u tërhoq. Thonë se këtij po i mbaronte “vaji i kandilit”… Pas tij edhe Qiparisi. Bëri një deklaratë se për arsye studimore "do të mbronte doktoraturën mbi arkitekturën e varreve…". Unanimisht kryetar mbeti Plepi. Deshi – s’deshi me votë plebishitare fitoi mavria. Po fundja, mirë bëri se është i vetmi kandidat që kishte më shumë kohë të lirë. Urime, përqafime. "Të na rrojë shoqata!".

Mbaroi edhe kjo ditë e bukur pranvere. Mirëpo, këtu filluan andrallat. Kush tha që ka mbaruar punë sopata? Ajo edhe tani, që ju po lexoni, vazhdon me ritmin "varda". Zjarret janë ulur këmbëkryq brenda në "mushkri"… Pylli është bërë tullac. Kryetar Plepi thërret e bërtet se pemëve po u humbet raca. Mbledh fakte, dokumente dhe harton ndonjë peticion. Çdo ditë regjistron e filmon. I çon në gjykatë. Madje me fjalën "GREVË" edhe kërcënon. Po ku dëgjojnë fshatarët, qytetarët kur flakën vendit ia venë të parët gjyqtarët, kafsharët… Në çdo prag shtëpie kur shkon, në çdo zyrë kur hyn, i përgjigjen sikur të jenë në një mendje. Apo nuk është një përgjigje gjysëmbanale: "Ik ore zhduku, ti je pemë pa koqe!…". E Plepi ikën me bishtin ndër shalë. Në fytyrë i bërë zgjyrë

Po ç’t’u desh, a derëzi, kjo detyrë kur nuk ke të paktën dy nga ato…”.

… Me romuze pa romuze, jepi Çeço se e tunde…

SHKARKO APP