Që këtej bota nuk duket

Nga Frrok Çupi

O është fshehur bota, o ne nuk shikojmë  qartë?! Dilema ka lindur prej shumë kohësh; deri në çastin e “frojdizmit politik” kur u shpjeguan disa pyetje esenciale pse politika vinte rrotull marrëzisë dhe e kundërta, marria nëpër politikë. Kaq thellësisht esenciale po shtrohet një çështje e ditës: Ku është bota?

Po të mbetej pyetja veç kaq e shkurtër, sigurisht që nuk do të tregonte gjë. Sepse bota ja ku është… E shikoni? Tashmë, që prej dy dekada e ca, kemi marrë leje nga “Djalli” që ta shikojmë botën, ta prekim e ta ndiejmë. Për fat të mirë!, se ndryshe do të ishim vërtitur në marrëzinë, ose në ferrin komunist të izolimit, duke menduar se “Bota nuk është”.

Por që këtej, nga bregu ynë, nga vendi ynë, bota nuk duket. Ka ndodhur e kundërta e asaj çfarë ndodhte atëherë; atëherë Shqipëria nuk dukej që nga bota. Vendi ynë ishte thjesht një “black hole”.

Cila botë nuk duket që këtej nga ne?

Nuk duket ajo botë që e mendonim se do të na i zgjidhte të gjitha problemet. Në qoftë se mbani mend, diku nga fillimi, ndërtuam një slogan politik: “Ne qeverisim, bota na ndihmon”.  Kaloi shumë kohë  derisa e kuptuam se duhej të qeshnim me sloganin tonë.  Ja kjo botë mungon.

Mungon bota që besuam se do të na hiqte qafe çdo të keqe, madje edhe të keqen që do të prodhonim vetë. Për shembull?…  Po, ja, do të gabonim në votime, do të merrnim një thes miell për një votë, d.m.th., do t’ia “këpusnim kot” dhe në qeveri do të zgjidhnim o  hajdutë, o kriminelë, o të çmendur, o drogmenë…  Atëherë, sapo të na rëndonte barra jonë, do të shikonim nga bota: “Ej ju!, ejani na hiqni qafe këta qafirë!”…  Ja, kjo botë nuk duket.

Nuk duket “bota e engjëjve” që kishim menduar; sepse nuk ekziston. Kishim menduar se pasi të kapërcesh Adriatikun, atje do të të shpalosej një botë engjëllore, ku secili është, së pari, i pa mëkat! Izolimi i gjatë na ktheu në pacientë të Frojdit…  Edhe ata nëpunës që vinin nga bota, këtu; edhe këta i menduam si engjëj që do të na bënin shërbesa parajse teksa ne flinim dhe qeveria bënte krime. Jo, as këta nuk duken. Ambasadorët e botës, këta “engjëj”, vijnë e mbushin thasët me dollarë dhe largohen duke shkuar në një botë që nuk duket më prej këtej.

As bota e institucioneve nuk duket. Po të isha një politikan aktiv, nuk  do të guxoja ta thoja këtë, se do të më kishin ndaluar vizën për jashtë shtetit tim. Por bota e institucioneve nuk duket e para. Në qoftë se bota e individëve edhe besohet si  botë e engjëjve, kjo e institucioneve ka lidhje me mëkatin. Këta tanët (të institucioneve) që po trazojnë jetën e secilit si në ethet e ferrit, këta e dinë më mirë se askush këtë gjë. Tjetër gjë thonë institucionet e botës për botën, dhe tjetër për periferinë. Prandaj nuk duken që këtej, nga periferia…

Shiko objektin më të qartë mes nesh; shiko Drogën. E vetmja gjë që duket në këtë vend; për të mos thënë se është e vetmja punë që po bën shteti, institucioni, qeveria. Institucioni më i afërt, ky i BE, mallkon me fraza politike dhe me ligje, ngre komisione dhe ushtri kundër, bën bê se do t’i mbrojë qytetarët prej këtij krimi… Mirëpo nuk e shikon drogën këtu, e cila pritet të  mbërrijë në Europën e institucioneve. Nuk e shikon?… Nuk mund ta them, sepse  tani nuk jemi më në izolim; asgjë nuk bëhet pa lejen e botës (!)

Por ajo çfarë ka sensin e më të saktës është se që këtu bota nuk duket. Nuk e shikojnë thuajse të gjithë. Thuajse të gjithë mendojnë se “ata të botës do të vijnë” dhe “do t’i zhdukin këta kriminelë” që duke qenë në qeveri mbjellin drogë e shesin drogë për xhepat e tyre. Krimi i dënuar nga bota, këtu është bërë regjim, ose vijë të jetuari. Thuajse të gjithë po shikojnë andej nga bota, që të vijnë të na heqin qafe këta që thuajse shumica i votoi. Këta nuk duan t’ia dinë për askënd e jo më për shumicën; këta kapen përditë duke vjedhur gjithçka e duke rrënuar ekonominë. Nesër, në vend të Ministrisë së Ekonomisë dhe të Kulturës do të ketë Ministri e Drogës dhe Ministri e të Vërtetës; droga është pjesë e shtetit. Nesër, këta do ta kthejnë drogën në dhunë për të mbajtur pushtetin, dhe përsëri thuajse të gjithë do të shikojmë andej nga bota që bota të na shpëtojë. Bota prapë nuk do të duket.

Atëherë, sipas kësaj, për këta tiranët tanë, duket një shpresë. Shpresa e tyre është e ulur në pritjen tonë për botën. Derisa të vijë bota,  këta tanët kanë bërë kërdinë mbi gjithçka: Kanë shembur stadiumin,  afreskun dhe kujtesën; kanë ndërtuar për vete kullën më të lartë mbi stadium dhe parkingun më të thellë në sheshin “Skënderbej”; kanë marrë nën sundim gjithë bregdetin e Jugut dhe i kanë vënë zinxhirët gjithë Veriut; kanë kryer krime kundër njeriut duke e lënë në uri e në varfëri ekstreme; kanë korrur drogën me polici dhe e kanë shitur për t’u kthyer në sundimtarë më të egër…

Thuajse të gjithë do të jenë duke kërkuar botën që nuk duket.

Po vallë pse duhet të duket bota?, për të na shpëtuar nga e keqja jonë?!  Kjo nuk është parë kurrë në histori. Kjo lloj “qeverie globale” as ka lindur dhe as do të lindë edhe për disa shekuj. Po çfarë pritet?! Pritet e zeza më e madhe.

SHKARKO APP