“Qënësisht të mohuar”

Nga Arben Braçe –

Dje Kuvendi miratoi me 106 vota pro ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë listave të hapura dhe riorganizimit të kualicioneve partiake parazgjedhore.
Për herë të parë qysh prej hyrjes në fuqi të kushtetutës së re, ajo ndryshohet pa konsensusin e opozitës reale, duke shkelur në mënyrë flagrante vendimet e marra me konsensus në tryezën e Këshillit Politik të datës 05 Qershor, të negociuar nga faktori politik ndërkombëtar dhe kryesisht nga Ambasada e USA në Tiranë.

Ndryshimi i Kushtetutës këtë radhë bëhet për një diçka shumë të rëndësishme, pra për çështjen e marrjes së pushtetit, një pikë shumë delikate, që nuk afron asnjë lloj tolerance, nga të gjithë forcat politike, që luftojnë për pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës pa asnjë lloj konsenti, në moment parazgjedhor, ngjan njësoj sikur manovrat e Hitlerit në vitin 1933, kur asnjë nga partitë, nuk mund të krijonte një kualicion qeverisës dhe nëpërmjet dekreteve emergjentë presidencialë prej Hindenburgut dhe ndryshimit të menjëhershëm të Kushtetutës së Ëeimarit, u lejua që kabineti të sundonte me anë të dekretit direkt, duke anashkaluar presidencën dhe parlamentin dhe duke formuar një shtet një- partiak.

Më pas, Hitleri pastroi pa asnjë ligj edhe grupimet radikale brenda partisë së tij dhe përgjithkënd janë të njohura ato, që ndodhën në të ashtuquajturin “Rohmputsch”, më 30 Qershor duke u gdhirë 1 Korrik 1934, në “Natën e thikave të gjata”, në të cilën u kryen rreth 90 vrasje, ku Hitleri merrte pjesë për herë të parë si “si gjykatës suprem i popullit gjerman”.

Se kush ishte fati i Fyhrerit dhe të gjithë atyre që ndryshojnë kushtetutën pa pëlqimin e palëve në proces, në funksion të pushtetit, këtu nuk ka nevojë të ndalemi, por në kushtet e sotme kur këto eksperinca të çojnë në fatalitet, jam i mendimit, që cilido, që i ushqen dhe i çon nëpër mendje duhet të pregatitet për një përgjegjësi historike e cila shkatërron direkt demokracinë liberale.

Vetë KM, ideatori i këtij ndryshimi pa konsensus, është vëtë ai, që kur ishte në opozitë, ishte shumë radikal karshi “politikës së vjetër”, por me urinë sterile për pushtet, duke gëlltitur të gjithë institucionet shtetërore dhe kushtetuese si dhe ndryshimin brenda ditës së kushtetutës nuk bën gjë tjetër veçse na kthen mbrapsht në politikën më të vjetër, atë të fillimshekullit të kaluar, pikërisht aty ku nuk kërkohej konsensusi dhe negocioheshin kompromiset, por aty ku miku dhe armiku qëndrojnë përballë njëri-tjetrit, për të gjynjëzuar e, madje për të shkatëruar tjetrin. Armik ishte ai që shpallej nga shteti si i tillë, sepse ai që përcakton armikun ishte udhëheqja e shtetit, instancat ekzekutive përgjegjëse. Në monarki ky është monarku. Në diktaturë është vetë diktatori.

Në shumë shtete të Afrikës politika e brëndëshme ka qënë pikërisht kështu, ku lufta verbale midis grupeve të ndryshme politike kërkonte ndihmën e faktorit ndërkombëtar, që të mos kthehej në luftë të përgjakshme civile, që do të shënonte fillimin e genocidit.
Por mos harrojmë se demokracia është komplet diçka tjetër në raport me luftën civile elektorale dhe me trajtimin e kundërshtarit politik si armik që duhet shkatërruar.

Një kushtetutë demokratike, nuk është thjeshtë një përmbledhje rregullash veprimi, për të siguruar luftën për pushtet. Një kushtetutë demokratike përmban edhe një konsensus themelor. Të drejtat themelore kërkojnë jo vetëm një masë të konsiderueshme konsensusi detyrues, por njëkohësisht i venë kufij edhe veprimit politik. Shumica nuk ka të drejtë të bëjë gjithçka, ajo në asnjë rast nuk ka të drejtë të bëjë asgjë çfarë pakica mund ta konsideronte si “mohim qënësor”, sepse nga “mohimi qënësor i një ekzistence tjetër” buron armiqësia, e cila, dikur, do të mund të elemiohej vetëm me armë dhe pikërisht për këtë shmangia e saj është detyrë e kushtetutave demokratike.

Por në fund të fundit, çfarë është kushtetuta, që marrim guximin ta ndryshojmë në funksion të interesit të pushtetit. Për një komb të caktuar, me një popullsi të dhënë, me zakonet e tij, fenë, situatën gjeografike, marrëdhëniet politike, pasuritë, cilësitë e mira dhe të këqia, duhen gjetur ligjet që i përshtaten. Natyrisht që kësaj pune nuk ia dalim dot duke e ndryshuar kushtetutën sa herë që kemi interes për të zgjatur jetën në pushtet, sepse për çdo komb këtë e bën puna durimplotë e viteve.

Çfarë mund të ndodhë, sikur gjithësecili sa hërë të vijë në pushtet, të ndryshojë kushtetutën, për të mbrojtur interesat për pushtet? Në një kohë kur në vendet perëndimore me demokraci liberale, vendin e armikut të dikurshëm e kanë zënë konkurentët politikë! Ajo që do të ndodhë nuk është gjë tjetër veçse asgjesim i asaj trashëgimie të brishtë demokratike, që kishim vendosur deri më sot. Sepse politika nuk është biznes, sikur po përpiqen ta paraqesin rilindasit e sotëm. Politika e sotme na paraqet se si duhet të jëtojnë njerzit që të mos ndihen “qënësisht të mohuar”.

Kjo që po ndodh me ndyshimet e njëanëshme kushtetuese është një voluntarizëm katastrofik, një kllapi prometike, në luftën për pushtet, që në vend që t’i kthejë sovranit autoritetin e tij politik, me çereklistat nuk bën gjë tjetër, veçse zëvendësimin e vullnetit të tij, me ëndërrën boshe prej diktatori.

SHKARKO APP