Qeshin se nuk qajnë dot

“Martesa" mes PS dhe LSI ka përfunduar, pasi "dashuria" Rama – Meta nuk ka më ndjenja. Kryeministri vazhdon të jetë ende i bindur dhe, nuk pranon kurrsesi në publik se mes tij dhe Metës ka përfunduar "muaji i mjaltit", por vazhdon ti thotë popullit se koalicioni PS – LSI funksionon më mirë seç ai e priste.

Por a funksionon vërtetë ky koalicion? Në Parlament, shenjat janë se koalicioni nuk funksionon, por qeveria vazhdon punën e saj të imponuar nga frika e çuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme.

Deputetë të LSI që braktisin sallën e kuvendit dhe deklaratat e eksponentëve të LSI, por edhe të

vetë Metës se kësaj qeverie i mungojnë impulset e reja, e tregojnë më së miri se motori qeverisës po ecën me frena dore. Të dyja palët janë të pakënaqura nga njëra tjetra, por me pahir po mbijetojnëpër tu mbajtur fort pas pushtetit, ndërsa çdo ditë e më tepër mediat publikojnë tendera të dyshimtë të ministrive, apo edhe raporti i fundit i KLSH. Reformat ekonomike kanë ngecur, ndërsa në vend të produktit real të ndezjes së motorëve të punësimit, po përdoret çdo ditë nëpër tryeza ambalazhi i bërë më keq se "Berisha 2" .

Takimi i fundit në rezidencën qeveritare nuk ishte gjë tjetër, veç një show mediatik, fytyra të qeshura përpara kamerave, të shtirura si kurrë më parë, pasi dhe ata vetë nuk e besojnë se ky koalicion funksionon normalisht. Edi Rama dhe Ilir Meta e dinë fare mirë, se e vetmja gjë që po i mban ende bashkë është frika dhe rreziku i të shkuarit në zgjedhje.

Edi Rama, ka frikë se Meta mund të fitojë më shumë dhe Meta po kështu ka frikë se Rama mund të marrë më shumë. Frika e këtij ekuacioni, i bënë këta të dy, të qeshin pasi e kanë të ndaluar të qajnë në publik. Ata do të qeshin, por edhe për sa kohë?

SHKARKO APP