“Qeveri kthena borxhin….Ne jemi Evropë”
Nga Ardit Gjinali –
Nuk është borxhi publik skllavërues që do të bashkëshoqërojë brezat e ardhshëm si shkak i politikave djallëzore të qëllimta të keqqeverisjes…i tilli është një fakt i trishtë dhe nëse shifrat zyrtare janë të vërteta në prezantimin e shifrave më të ulëta. Keqqeverisja është në borxh të plotë dhe të thellë…i tilli aspak shpagues me secilin fluks apo segment të shoqërisë …pavarësisht dhe përtej përkatësisë politike e partiake….secili kujton thirrjen e famshme që kërkonte pushtetin për të sunduar Shqipërinë…..të tillën “përtej të majtës dhe të djathtës”…..në ditët e sotme të errësirës autokratike, borxhi me secilin përcaktor shoqërues.. të tillin politik, ekonomik, diplomatik, shoqëror është aty…ulëritës, denoncues, demaskues dhe zhveshës ndaj bojës-lustër mavi që ishte gënjeshtra ndjellëse që ftonte qytetarin e pafajshëm drejt së ardhmes ndryshe të kërkuar me të drejtë nga qytetari dhe të njëjtës…së ardhmes ndryshe të propaganduar nga gënjeshtra me këmbë të shkurtra, por me fabul të gjatë të enturazhit politik të vetëquajtur Rilindje;- Rilindja që u votua për të arritur më shpejt të tillët politikë, përkatësisht Brukselin, Vienën, Parisin dhe Berlinin, por që deri më tani ka mbërritur në Beogradin politik dhe po evokon përmes modelit politik dhe qeverisës….Moskën politike, gjithashtu. Zagrebi dhe Lubjana janë destinacione politike dhe diplomatike të harruara qëllimshëm dhe për të tillat dëgjohet në rastet e pakta të vizitave protokollare që mbeten të tilla….në formë dhe thelb, gjithashtu.
Keqqeverisja mbetëse në provimin e së vërtetës të përmbushjes së standarteve dhe kushteve të vendosura për përparimin drejt proçesit të Integrimit Europian rreket të prezantojë Bashkimin Europian si fajtorin politik që nuk sheh diellin dhe dritën , arritjet dhe vullnetin pozitiv të shkaktarëve kryesorë të errësirës së instaluar, e tilla që është e pandryshueshme gjatës ditës me diell dhe natës me hënë…..në fakt errësira keqqeverisëse mbulon diellin dhe hënën, gjithashtu. Dështimi në hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, deformimi i vullnetit qytetar, zhvillimi i votimeve moniste, ndryshimet e njëanshme kushtetuese në një Parlament me legjitimitet të cunguar juridik dhe tërësisht të munguar politik, projektligjet që inkurajojnë çensurën, presioni ndaj medias së lirë dhe kritike ndaj keqqeverisjes, arrestimet e gazetarëve, mungesa e një plani bashkërendues me vendet e Bashkimit Europian për sigurimin e vaksinës për qytetarët shqiptarë, evokimi i modeleve qeverisëse të Lindjes Politike për të garantuar instalimin e pushtetit përmes kapjes së shtetit- enumeracion i përsëritur, i përjetuar në secilën ditë keqqeverisëse, por aspak i tepërt për tu kujtuar dhe për të mos u harruar.
Europa politike është më larg se kurrë gjatë këtyre 30 viteve, në fakt dhe e tilla gjeografike është më e largët për shkak të një sistemi të ri që do të mundësonte lëvizjen e shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian; -kontinenti i vjetër nuk është shkaku i kësaj largësie tërësore; keqqeverisja ka ndërmarrë secilin hap negativ me një mendësi të mbrapshtë dhe vullnet të zi për të larguar vendin nga rruga e përmbushjes së standarteve që do të garantonin zgjedhje të lira dhe shtet ligjor funksional, gjithashtu.
Europa ishte dhe është shpresa që do të ndihmonte hapjen dhe lirinë, dinjitetin shoqëror dhe zhvillimin ekonomk, mendësinë demokratike dhe shtetin ligjor, model i qytetërimit dhe kulturës; Europa është besim, vokacion, model dhe në secilën kohë dhe periudhë mbetet shpresë. Ky është BORXHI më i madh që qeverisja e mbrapshtë e këtyre 8 viteve ka ndaj qytetarit shqiptar me vokacion perëndimor që në burgun e madh të mbylljes thuajse 5-dekadëshe ka parë tokën, detin dhe ajrin si rrugët e shpresës që të dërgonin në Perëndim….. Sot, modeli i Europës është energjia për një shpresë të re përmes një bashkimi të madh dhe për të garantuar një ndryshim të qënësishëm për një Shqipëri normale të ditëve më të mira. Koha për një ndryshim të madh dhe për të na u kthyer borxhi duke rrëzuar një qeveri që ka larguar Europën është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë…