Qeveria e çuditshme Rama-Basha
Nga Qamil Xhani
Kuvendi miratoi dje me shumicë votash emrat e ministrave të rinj të kabinetit qeveritar të propozuar nga Partia Demokratike. Me këtë vendim në historinë politike të vendit është hapur një fazë e re që ka ulur në të njëjtën tavolinë pushteti, miqtë dhe armiqtë politikë.
Nga dje Shqipëria ka qeverinë më të çuditshme gjatë gjithë sistemit pluralist në vend. Në kabinetin “Rama” nuk janë më vetëm socialistët dhe përfaqësues të LSI-së, dy forcat që fituan zgjedhjet e vitit 2013, por edhe demokratët që ishin forcë opozitare. Po për herë të parë shkohet drejt zgjedhjeve pa e ditur qartë se kush është opozita, pasi të gjitha palët kryesore janë në qeveri. Kjo është qeveri e paparë!
Edhe pse për selinë blu ministrat që u propozuan cilësohen teknikë, ky është një justifikim që nuk bind askënd. Me përjashtim të disa emrave, propozimet e PD-së janë qartazi emra që kanë një histori politike në kampin e djathtë ose vijnë nga korridoret e interesave të ndryshme të opozitës. Disa ministra të PD-së mund të thuhet se kanë profil të ulët politik si mbështetës të PD-së, por kjo nuk i bënë ata teknikë. Cilado qofshin arsyet që i sollën ata në kabinetin e “Ramës”, emrat janë përzgjedhur nga Basha dhe u votuan unanimisht nga PD dhe PS në seancë. Për shkak të numrit të ministrave të PD-së dhe pozicioneve kyçe si Financat apo Ministria e Brendshme, qeveria e votuar dje mund të quhet qeveria “Rama-Basha”.
Dy politikanët që deri një javë më parë betoheshin gjithë ditën se do e zhduknin njeri-tjetrin nga skena politike, duke e tërhequr zvarrë në bulevard, dje kanë bërë ndarjen e parë të pushtetit mes tyre. Basha dhe Rama kanë bërë një marrëveshje që socialistët dhe demokratët nuk e kanë imagjinuar as në ditët e tyre më të këqija politike. Reagimet e para të elektoratit, në takimet e Ramës në bazë dhe në rrjetet sociale kanë qenë masakruese për këtë pakt, duke e cilësuar si amoral dhe të palogjikshëm. I gjendur nën breshërinë e kritikave edhe nga deputetë me peshë brenda PS, Kryeministri Rama është mundur të ulë pakënaqësitë për marrëveshjen që dhe vetë socialistët e quajnë pazar. Zyrtarisht Rama thotë se, kjo qeveri do të jetë vetëm për pak javë, deri në përfundimin e zgjedhjeve. Sipas tij, pakti me Bashën nënkupton se ministrat e rinj do të ketë vetëm rol “kujdestari”. Por në Kushtetutën e Shqipërisë, ministër quhet anëtari i kabinetit qeveritar me të drejtat ekzekutive të plota dhe termi “ministër kujdestar” nuk figuron në asnjë nen të ligjeve shqiptare. Për të qetësuar socialistët e acaruar me këtë marrëveshje Rama thotë se ministrat e PD-së nuk do të kenë fuqi vendimmarrëse, emërime, tenderë etj. Por pushteti i një ministri kufizohet me ligj dhe jo me fjalime elektorale në Baldush dhe Sauk. Për sa kohë që Parlamenti ka votuar emrat si anëtarë ministrat e rinj të PD-së kanë të njëjtën të drejtë dhe fuqi ligjore, po aq sa kanë dhe ministrat e PS-së. Me shfajësimet e ditëve të fundit, Rama do të fshehë atë që tashmë shihet qartë nga gjithë shqiptarët. Kjo nuk është qeveri teknike dhe nuk është qeveri kujdestare për zgjedhjet. Kjo është qeveri politike “Rama-Basha”, e prodhuar nga marrëveshja më e çuditshme që kanë nënshkruar dy politikanët kryesorë të vendit. Ideja se është vetëm qeveri provizore zgjedhore, mbase fsheh anekset e tjera të marrëveshjes Rama-Basha.