Qeveria po “vuan” në Dubai, ju ankoheni për ujin, kovidin, tërmetin
Nga Ilir Levonja – Eshtë bërë virale në internet një video ku disa qeveritarë shqiptarë darkojnë në një restorant në Dubai. Po pse ore si i dini qeveritarët tuaj ju, të varfër? Nuk kanë lekë sa për të ngrënë një drekë a një darkë në Dubai? I ngatërroni me veten ju që mezi shkoni një fundjavë në ndonjë lokal fshati? Se jo për gjë por kohët e fundit, jeni bërë dhe shumë bio. E doni gjithçka bio. Si kujtoni se nuk kanë lekë të shkojnë deri në Dubai ata? Nuk kanë me çfarë të ikin? Ta porosisin një tavolinë ku deri femrat me gjak të pastër arab të dredhin belin sipër tavolinës.
Po ju paskeni mbaruar. Kaq fisnikë i dini ata sa me të vërtetë nuk kanë nga bredhin nëpër lindjen e mesme a të largët. Ata po i ha të gjallë euro-ja dhe dollari, leku kurse ju uji, mola, tërmeti, covidi, grindja. U rrofshin mëritë me njëri-tjetrin. Aq sa shqyheni edhe për firot dhe arritjet e Donald Trumpit në Amerikë. Dhe çfarë është për t’u theksuar ka të bëj me atë që mirë rrjeti bën humor, se në fund të fundit përkon edhe me një situatë përmbytjesh, ajo gangrena tashmë 30 vjeçare e mbi mungesën e investimeve në shtratifikimin e lumenjëve dhe kanaleve kulluese a hidrovorëve.
Kurrë nuk e kuptuan se sa i rëndësishëm është një planifikim i tillë mbarë kombëtar sidomos për zonën e Lezhës dhe Shkodrës. Me faktin që plot qytetarë presin akoma për t’ju ndërtuar shtëpia nga tërmeti i dimrit të 2019-ës, për më keq që përkon me situatën e rëndë të pandemisë, me urdhëresat për shtet rrethim, për mbyllje pas orës 8 a 10. Me korrupsionin në investime ku për më keq akoma asfalti thyehet e del si copa çokollatash, pra cilësia e dobët e investimeve fasadë. Dhe mirë rrjetet sociale, po kërcen kryeministri e debaton me njerëzit në faqen e tij në fb. U hakërrohet që një i tretë ua ka paguar shpenzimet. I duket për mburrje që një i tretë të paguan, një tretë të ndërton rrugë, spitale. Kurse ti vetëm gërrvërr me qytetarët. Gati të na mbysi dhe mirë e ka se ne i dimë ministrat tanë kothere. Për gjynaf, të shkretët. Nuk e kanë bërë milionin e eurovë për kokë personi në familje akoma. Se sa të mbulon një i tretë e dinë mirë shumë nga ata që janë pjesëmarrës në samite, a, work shop-e. Madje pijet alkolike janë komplet jashtë standartit. Dhe kush e porosit e ka nga xhepi sa nuk e luan topi. Për më keq akoma kur thua nga një i tretë, sepse do të thotë që je i kapur pasi ai që po të paguan shpenzimet do mbrapsht një tender.
Për më keq akoma kur dalin shtypistat me xhel në kokë dhe ulërasin se, çfarë do hanë qeveritarët, suflaqe? Mirë e ka se, ne i dimë akoma kothere qeveritarët tanë. Pastaj janë qeveritarë ata, ”dinjiteti” i shtetit. Megjithëse ca javë më parë ndezën gjithë webet ku i kanë e ku nuk i kanë, si në Tiranë dhe Prishtinë për shpenzimet ditore të presidentes në detyrë të Kosovës, zonjës Vjosa Osmani gjatë qëndrimit të saj dy ditor në Shqipëri. Ishin kaq modeste sa ta mendosh për titullin që mban dhe ata që i përkasin protokollit etj., të emocionon modestia e shtetarit tënd. Mirëpo shtypistat e Tiranës i quanin dramatike.
Madje ulërinin megjithëse një shishe vere në Dubai mund të kushtoj sa gjysma e shpenzimeve ditore të presidentes Vjosa Osmani. Boll më për Zotin. Mos u kacafysni me fjalë me Edi Ramën se, nuk dini gjë fare. Aq fonde sa lëvrohen në Shqipëri, vendi ishte bërë njëqind herë. Por kush e beson.