Qeveria shqiptare e ka humbur legjitimitetin për të negociuar marrëveshjen e detit me Greqinë

Nga Arben Braçe-
Deklarata e Kryeministrit grek Mitsotakis, mbi zgjerimin e njëanëshëm prej 12 milje dhe përligja e saj nga ana e Kryeministrit shqiptar dhe zyrtarëve përkatës të MPJ-së, tregoi qartë se pala që na përfaqëson, e ka humbur legjitimitetin për negocimin dhe nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme. Pavarësisht deklaratave të mëpasshme të Kryeministrit, që aktualisht nuk ekziston një marrëveshje, ajo që kuptuam qartë nga vetë prononcimi i tij është fakti, që nuk ekziston dëshira dhe besimi i nevojshëm nga ana e qeverisë, për të hyrë në negociata me palën greke.
Brenda territorit të saj fillimisht qeveria nën moton e “politikës së vjetër” transformoi sovranitetin popullor në sovranitet partiak, duke uzurpuar të gjithë pushtetet, përfshirë dhe median dhe duke rishfaqur edhe një herë makthin e një stalinizmi të pareformuar. Sot i gjihë pushteti ndodhet në një dorë dhe ajo që është sulmuar më fort është plualizmi i dobët që kishim ngritur në gjithë këto vite të vështira tranzicioni.
Me anë të sanksioneve strikte penale qytetarët shqiptarë sot ndëshkohen rreptë edhe për shkeljet më të lehta duke rikthyer edhe një herë arbiraritein dhe “frikën e trokitjes në derë” sikurse në dekadat komuniste, që do të thotë, që ato institucione, që duhet të përfaqësojnë ligjin dhe rendin, sot përbëjnë, atë çka njerzit duhet t’i ruhen më shumë. Ata nuk duhet të ruhen nga plaçkitësi, nga banditi nga i çmënduri, por pikërisht nga ai që duhet t’i mbrojë, vetë shteti.
Qeveria përdor legjitimitetin e votës, ndërkohë që denoncimet vendase dhe të shtypit ndërkombëtar, sikurse gazeta më e madhe në Gjermani BILD, e cila e konsideron Kryeministrin, një “gangster” dhe Shqipërinë një “shtet të mafias” dhe gazetari P.Tiede publikon përgjime për blerjen e votave në Durrës dhe Dibër, duke sfiduar direkt “shumicën e votave” që nuk po na lejojnë të bëjmë politikë demokatike.
Atë që nuk arrin të çojë nëpërmend qeveria është fakti se në kushtet e modernizmit “shumica” nuk ka thjeshtë kuptimin e shumicës së atyre që shprehin vullnetin në zgjedhje votuesit, por ka kuptimin e vetë Kombit me të cilin shteti është i lidhur jo thjeshtë prej mandatit të zgjedhësve, por prej asaj që është shumë më e rëndësishme, thelbit kolektiv të Kombit, gjenisë kombëtare, “pjesës më të mirë” të Kombit. Ndërkaq, shteti kërkon gjithashtu legjitimitetin që buron nga shprehja e vullnetit të popullit, por për shkak të asaj lidhjeje që folëm pak më lart, qeveria mund të humbasë menjëherë pushtetin, në qoftë se shumica qytetarëve, sado që në parim përfaqësohen prej saj, lidhja zvetënohet tërësisht si rezultat i ndonjë ndikimi të dëmshëm.
Por a ka gjë më të dëmshme se mungesa e përgjegjësisë për ruajtjen e sovranitetit? A mund të korigjohet një krim i tillë? Ndoshta mbas ndëshkimit të rreptë të korrupsionit dhe krimit makabër që kemi mbjellë, për të gjitha këto mund të shpresojmë se një ditë do të shlyhen dhe do të hyjmë në rrugën e njerzve të qytetëruar, por humbja territorit dhe cënimi i sovranitetit është një gjëmë pakthim, që mbjell farën e konfliktit.
Kushti themelor që synon shteti modern sot, është paqja e brëndshme, cila sigurohet nga njëra anë nëpërmjet sovranitetit territorial, dhe nga ana tjetër nëpërmjet rendit ligjor, çka parandalon, çdo lloj monopolizmi të pushtetit, nga autokatët dhe tiranët. Por a mund të ketë paqe të brëndshme pa sovanitet territorial? Padyshim që jo! Kurrën e kurrës!
Në kushtet sotme, qeveria nuk ka legjitimitet dhe asnjë lloj besimi të na përfaqësojë në negociata ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me sovanitetin dhe përpos rëndësisë aktuale dhe gatishmërisë që duhet të ketë pala e jonë në këtë proces, vetëm qeveria e re, që dotë dalë pas zgjedhjeve të lira dhe demokratike mund të ketë legjitimitetin e duhur, për të hyrë në këto lloj negociata.

SHKARKO APP