Qeverisja me aleatë

 

Nga Sadedin Çeliku

Siç dijet qysh pas vitit 2005, Partia Socialiste nuk ka mundur në asnjë zgjedhje parlamentare ose vendore të marrë shumicën, madje e thënë ndryshe ka humbur gjithçka nga koha që erdhi në krye të asaj partie. Kështu ai ka arritur maksimumi të marrë 66 e më pak deputetë dhe jo më. I pafuqishëm të bëjë miq dhe aleatë natyral, zoti Rama mbeti në opozitë për tetë vite rresht ndërkohë që Lëvizja Socialiste për Integrim ju bashkua Partisë Demokratike në koalicion dhe qeveri. Kryetari i Partisë Socialiste, pasi kaloi një seri humbjesh për fajin e tij,por dhe të stafit të ri i cili i përzgjodhi kurrë nuk bëri analizë dhe as mundi të motivonte elektoratin e vet që të votonte partinë edhe pse i gjithë populli është i majtë. Strategjitë dhe aksionet e tij politike njëra pas tjetrës dështuan dhe kësisoj ai mbeti në opozitë në parlament, por dhe në zgjedhjet vendore pothuajse në të gjitha qarqet rezultoi humbës. Pas shumë peripecish, Ai në zgjedhjet e përgjithshme mori afërsisht po atë rezultat ndërkohë që Lëvizja Socialiste për Integrim dhe PDIU-ja u rezultuan me rritje të dukshme.

Viti 2013 solli koalicionin e shumëpritur midis PS+LSI si rezultat i së cilës formuan një maxhorancë gati absolute për të qeverisur në kushte komode. Pushteti u nda në përputhje me kontributet edhe pse në të nuk erdhën njerëzit, politikanët dhe profesionistët më të mirë. Duke patur parasysh premtimet elektorale, programin qeverisës dhe objektivat afatshkurtra dhe afatgjata,të gjithë menduan se së paku diçka po ndryshonte. Nuk qe e thënë të ndryshojnë shumë gjëra dhe as jeta e shqiptarëve faktorët e të cilave mendoj se do një analizë tjetër e të hollësishme. Rritja e taksave, e tarifave dhe e çmimeve, lufta në bllok kundër të keqes pa patur parasysh pasojat, performanca e pamjaftueshme dhe e ulët e qeverisë, mungesa e prioriteteve për zhvillimin ekonomik, mungesa e transparencës dhe e llogaridhënies, lufta politike e ndershme dhe e pandershme, korrupsioni thuajse në të gjithë sektorët, të gjitha këto bënë që të mosmbahen premtimet dhe të agravohet situata ekonomike, sociale e politike.

Ajo që rëndon më tepër në jetën politike sot është lufta brenda llojit. E nisi luftën me tre deputetë socialistë, të cilët për shkak të mendimit ndryshe,i detyroi të kandidonin nën siglën e Partisë Demokratike. Si të mos mjaftoi kjo po bëhet luftë kundër Blushit, por dhe të tjerëve të cilët i ka përjashtuar nga grupi socialist. Por lufta në heshtje vazhdon edhe ndaj “gardës së vjetër” siç i quan kryetari socialist që s’para i ka qejf dhe kështu deri më sot nuk mendoj se do t’i kandidojë në zgjedhjet e ardhshme pavarësisht nga fatura që do të paguajë nga rezultati zgjedhor. Ky grup i cili mendon ndryshe nga Rama, ka gjasa të krijoi parti të re politike ç’ka e bën Ramën dhe partinë e tij forcë jodominuese dhe jo të besueshme për elektoratin socialist.

Nga ana tjetër shikojmë se janë përkeqësuar marrëdhëniet me Lëvizjen Socialiste për Integrim,pra Ilir Metën, sepse zoti Rama nuk e suportoi vonesën në pushtet, nuk harroi qëndrimin në opozitë për tetë vjet për faj të “LSI-së”. Me sa duket, Rama i do të gjitha pushtetet për vete dhe miqtë e tij të zëmrës sepse e ka të vështirë të qeverisë me aleatë. Akuzat e ditëve të fundit në adresë të kryeparlamentarit duket se atë e bënë më të forte dhe e shndërruan atë në një politikan të ditës. Kryetari i Partisë Socialiste ka harruar me të rëndësishmen, Ilir Meta është lojtar më i mirë se Rama, por dhe nga Basha në politikë, por ka harruar se Meta është besnik i fjalës dhe i premtimeve të elektoratit që e voton. Kjo ka bërë që elektorati i tij të rritet, dinamizohet, madje të bëhet e frikshme përballë dy partive të mëdha që kanë monopolin e rezultateve zgjedhore. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim e ka filluar punën për zgjedhjet e radhës dhe kjo duket nga takimet me Idrizin dhe Dulen, Partia Demokratike gjithashtu, në kampin socialist nuk ka asnjë lëvizje. Takimet e Metës me partnerë të rinj e të vjetër, tregojnë se Ilir Meta nuk është dakord për shumë gjëra me shefin e ekzekutivit.

Zoti Rama duhet të jetë koshient për atë të kaluar historike të partisë së tij,të faktorizojë forcat në vënd të politikave të përjashtimit dhe të bëjë ndryshimet në qeveri me urgjencë duke i zëvendësuar me njerëz të aftë e të pa korruptuar, për të mundësuar mbajtjen e premtimeve qeverisëse dhe ndryshimin e situatës të rënduar ekonomike. Duke u rikthyer në kohë, kujtojmë se Partia Socialiste edhe kur ka marrë e vetme mbi 77 deputetë përsëri ka qeverisur në koalicion me aleatët e vet të natyrshëm dhe është marrë vesh për bukuri. Është detyra e zotit Edi Rama të sheshojë problemet me LSI-në, sidomos ato që janë artificiale, por dhe problemet brenda partisë së tij, ndryshe ai nuk do t’i mbijetojë pushtetit edhe për një mandat tjetër dhe sigurisht që kjo situatë politike do të çojë e do rrezikojë koalicionin në të ardhmen. Pushteti nuk është personal, individual dhe aq më tepër kur ai krijon premisa dhe probleme gjatë qeverisjes. Qeveria dhe pushteti në tërësi është i popullit dhe i zgjedhësve. Çdo lloj shpërdorimi do të prodhojë mungesë besimi dhe shprese. Gjykoj se është tamam koha e reflektimit, e bashkëpunimit reciprok dhe e korrigjimit të shumë gabimeve të cilat janë bërë deri tani, ndryshe koha do të punojë për partitë e tjera, por jo për Partinë Socialiste. 

SHKARKO APP