Qiqra në hell…

 

FEJTON

Nga Thoma Goga

Swiss Digital Desktop Reklama

Isha ulur në një cep të kafenesë ku, si gjithmonë, pi nga një farmak “me pak”…Të gjitha tavolinat plot. Ku tre e ku katër vetë. Vetëm unë isha tek pullë. Gumëzhinte lokali si mejhanet një herë e një kohë. Një mesoburrë, me këmishë të bardhë e me një çantëz e hedhur krahëve, shikonte rreth e rrotull. M’u duk se edhe ai kërkonte një vend të ulej. Vështrimi im dhe i tij u “takuan” në një pikë e me njerëzillëk, e ftova të ulej. Në fund të fundit, unë s’jam pronar i tavolinës. Edhe mesoburri sikur “e lexoi” ftesën time dhe u ul.

Swiss Digital Mobile Reklama

–           Përshëndetje dhe faleminderit,- më tha – se e doja një kafe. Pastaj më zgjati dorën.- Augusto.

Të njëjtën gjë bëra dhe unë, duke thënë emrin tim. Për t’i dhënë pak lezet muhabetit, nisa bisedën me mysafirin që dukej se nuk ishte shqiptar. Aq më mirë që shqipen e fliste sipas mënyrës së tij.

–           Nuk të mbetet qejfi të thërras Agush, ë?- m’u kujtua Mato evlati sa për të ngacmuar mysafirin. – Italian je zotrote, po nga ç’vend?

–           Pescara,- u përgjigj.

–           Po dhe ju, të shkretën, mbetet që mbetet me pesë…- Qesha unë, po qeshi dhe ai. Pata përshtypjen se ai qeshi kot, pasi nuk e kuptoi mirë ku e përplasa llafin…Pastaj rrufiti kafen që sapo i erdhi.-Dëgjo,-vazhdova unë- muhabetin kemi bashkë, filxhanët dhe llogarinë e kemi veç.

E pyeta për profesionin, për punën. Më tha se kishte ardhur për të monitoruar zgjedhjet vendore. Se kishte qenë dhe herë tjetër në vendin tonë dhe se i bënin përshtypje politikanët tanë.

–           Mirë Albania, mirë. Po ecën në autostradën “verso la Europa”. Kandidatët mirë; çuna-goca bukura. Po programet njësoj… Njëri flet për rruga, energjia, taksa… Edhe tjetra po kështu. Kam regjistrato po ato premtime që u bënë para dy vitesh; ujë, energji, kanale, puna-puna, po dhe shumë papuna…

–           Hë,- ia prita, -këtu më rri se më dole në shteg. Drejt Europës shkohet me punë, o fratelo Agush. E para se të shkojë në miting robi, do “mangare”. Capito?

Pastaj i tregova për fshatin tim. Prodhojmë patate që kalben se tregun e mbysin monopolet. Domate, speca, fruta të cilësisë së lartë. Po “të fortët” bëjnë ligjin e këto prodhime prishen se vijnë nga jashtë. Të mos i pranosh, na “zëmërohet” Europa…Kështu thonë këta qeveritarët tanë…Një rrugë të vogël kemi kërkuar që të hyjë autoambulanca, një urëz për të kapërcyer përroin e që fëmijët të shkojnë në shkollë. Sa herë vijnë zgjedhjet “do ta bëjmë” thonë baballarët e kombit, po na…Shko në spital do para, ilaçet janë shtrenjtë, energjia u rrit. Ta paguash, po me se? Të mos e paguash, shkon në burg…Janë mbushur burgjet plot. Çmimet e ushqimeve janë rritur, taksat janë të larta. Kudo varfëri, papunësi. Pas zgjedhjeve ne kërkojmë ku janë ato premtimet e para, siç the zotrote. Pa, na kthehen zyrtarët; “prisni, o të uruar, ja erdhi manadati tjetër, dashkeni qiqra në hell…”.

–           Ç’do të thotë “cicra në hel…”?

–           Pse, nuk e njeh Europa “hellin”? – pyeta jo pa humor mikun e huaj e nisa t’i shpjegoja europianit se ç’ishte “helli” i vërtetë. Agushi dëgjonte e vinte buzën në gaz.

–           Tashti, o fratello Agushi,- atë hurin e hellit, meqë nuk ia fusin dot qiqrës, më duket po ia fusin popullit. E kuptove hellin?…Mos u qani, o europiano, keni parë halle dhe ju, po jo si tonat. Këtyre u thonë halle-halle…

–           Atë “heli” kuptoj mirë, -ma priti italiani, – po ç’do të thotë “hale-hale”?

–           Gjithë ato që të thashë janë “halle-halle”,- ia ktheva mikut të huaj e i dhashë dorën. Pagova kafen dhe ika. Po mendja më mbeti te ai europiani që hallet tona i shqiptoi aq ëmbël…

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?