“Qytetari privat” i Aristotelit

Ese nga Tonin Çobani –
Pyetja që sot bëhen rëndom në të katër anët e rruzullimit është: Si do të jetë bota nesër? Si do të jetë shoqëria? Institucionet e saj? Politika? Familja? Ekonomia? Komunikimi? Ceremonitë fetare? Arsimi? Arti? Kultura? Teknologjia? Sporti? Ankandi? Merkata? Teatri Kombëtar? Reklama?…
Ka edhe të tjera pyetje jetike që, po ashtu bëhen rëndom, sepse njerëzimi ka mbetur peng i kufizimeve të pikëpyetjeve të të gjitha kohërave, me të cilat ka mbërthyer veten nga fija e flokut deri te maja e gishtit të vogël të këmbës. Dhe ky viskozitet nuk vjen për shkak të Pandemisë, por, si po thuhet, prej postpandemisë.
Prej pyetjesh të tilla, të shqiptuara apo të mbetura nëpër buzë, pandemia duket se i paraprin gjithçkaje dhe bëhet gjithnjë e më e frikshme. Antagonisti kryesor, Kovid-19, është kthyer në një demon të përmasave edhe më të frikshme se demonët e miteve të të gjitha kohërave të marra së bashku.
Sundimtarët me kororë ( a pa kurorë) të koronaviruesit në kokat e tyre, zhgërryhen në fantazinë e vet, duke prekur kështu, qiellin e shtatë pa menduar për nesër, sepse lakmia e tyre sunduese vetëm për sot funksionon.
Dikur, kur po lindte një sistem si ky që ka sulmuar pandemia e virusepsur , qytetarët e Athinës gëzonin frytet e Demokracisë së Perikliut, i cili “ishte i pari ideolog i demokracisë që nxiste tolerancën dhe frymën qytetare.” Por filozofët e kohës së tij nuk e duartrokitën thuajse fare atë që sot qytetërimi e quan demokraci.
Aristoteli, p.sh., e interpreton demokracinë e Athinës “si një sistem shpronësues që mund të binte në duart e demagogëve të paditur” (Fjalori Politik i Oxfordit, f.86) ,ndërkaq të paditurin Aristoteli e klasifikon si idiotes (aso kohe do të thoshte “qytetar privat”). Fjala “idiot” përdoret edhe sot me vështrim përkeqësues: njëri i mangët.
Pyetja që bëhet sot rëndom në të katër anët e rruzullimit, ndoshta nuk do të jetë edhe për nesër, se bota nuk do të jetë ajo që është sot, apo jo? Shoqëria do të jetë një formë e distancimit social. Institucionet nuk do të funksionojnë si deri sot për shkak të “qytetarit privat” të Aristotelit që pret e përcjell njerëz si veten, brenda dhe jashtë orarit zyrtar. Edhe Politika po ashtu. Familja në epruvetë. Ekonomia në xhepa bankierësh. Komunikimi do të vihet i tëri në shërbim të globalizmit. Ceremonitë fetare online. Arsimi, gjithashtu online. Arti pa funksion. Kultura po ashtu. Teknologjia dominuese. Sporti në palestra të mbyllura. Ankandi, ankand. Merkata, merkatë. Teatri Kombëtar pa komb ose kombi pa teatër. Reklama kudo dhe mbi gjithçka. Ja çfarë premton postpandemia për sot e për nesër.

SHKARKO APP