Radio shtetrore gjermane “DW” i bën skanerin Ilir Metës
Pas tri muajsh, më 24 Korrik, Iir Meta, kryetari i Kuvendit do të bëjë betimin dhe do të ulet në karrigen e Presidentit të Shqipërisë. Në fjalën e tij të premten (28.04.) në Parlament, pas zgjedhjes së tij me 87 vota pro nga 89 deputetë të pranishëm në sallë nga 140 gjithsej, Meta ia dedikoi demokracisë shansin e tij për të qenë kreu i shtetit. “Kur isha student ëndrra ime makimsale ishte të bëhesha pedagog. Atëherë ishte e vështirë të ëndërroje të bëheshe deputet, ministër, kryetar kuvendi dhe sot President. Kjo erdhi falë demokracisë” tha ai.
Në vendin e duhur, në kohën e duhur
Vitet e studentit të Ilir Metës i përkasin 4 vjeҫarit të fundit të regjimit komunist. Vështirë se në Shqipëri gjen raste të tjera të brezit të tij, të kenë një karrierë të tillë politike vetëm Ilir Meta: 48 vjeҫar bëhet President i Republikës, më i riu ndër presidentët e deritanishëm. Në 25 vite ai ka ngjitur shkallët e politikës dhe ka menaxhuar me menҫuri dhe gjakftohtësi të papriturat e tyre. Sot Ilir Meta është një nga politikanët më të rëndësishëm dhe më me peshë në Shqipëri. I lindur në 1969 në Skrapar, si adoleshent vjen në Tiranë, nxënës në gjimnazin e njohur “Sami Frashëri” të kryeqytetit, student në Fakultetin e Ekonomisë Politike në Universitetin e Tiranës, Ilir Meta nisi karrierën politike në 1990-ën me pjesëmarrjen në Lëvizjen Studentore të Dhjetorit, që solli përmbysjen e regjimit komunist – shkruan radio me e madhe shtetore e Gjermane “DW”. Me pas “DW” vazhdon:
Në Parlamentin e parë pluralist, të dalë nga zgjedhjet e vitit 1992, Ilir Meta 21 vjeҫar, zgjidhet deputet i PS, themelon Forumin e Rinisë Euro-Socialiste, mbetet deputet në të gjitha legjislaturat e deritanishme dhe që nga 2013 kryetar i parlamentit. Në vitin 1999, në moshën 30 vjeҫare është kryeministër, post që e mban deri në vitin 2002. Në vitin 2004 kritikon ashpër Fatos Nanon, kryeministër dhe kryetar i PS, për mungesë transparence në drejtimin e partisë dhe qeverisë. Shkëputet nga PS dhe qeverisja e saj, ku kishte mbajtur poste të rëndësishme drejtuese, dhe me mbështetësit e tij krijon Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI) një forcë e majtë, që vit pas viti zuri vendin e vet, si Poli i Tretë në skenën politike të Shqipërisë. Në rotacionet politike të 8 vite të fundit LSI luajti rol të rëndësishëm në qeverisjen e dy partive kryesore, PD-PS. Në vitin 2009 , kur Shqipëria mund të binte në krizë politike, pasi PD që fitoi zgjedhjet e parlamentare të rradhës nuk i kishte votat e duhura për të formuar e vetme qeverinë, LSI u përfshi në koalicionin qeverisës. Meta mori postin e Zv.Kryeministrit dhe ministri të Jashtëm, duke krijuar për herë të parë në Shqipërinë demokratike modelin e bashkëqeverisjes së të majtës me një koalicion forcash të qendrës së djathtë. Bashkëqeverisja 4 vjeҫare me PD duket se mund ta bëjë Ilir Metën një president konsensual edhe pse PD nuk ia dha votën.
Stabiliteti, siguria, e ardhmja europiane – prioritete të Metës President
Në 25 vjet të karrierës së tij politike Ilir Meta ka mbajtur poste të rëndësishme partiake dhe në qeverisje: ka shërbyer si ministër i Jashtëm, i Integrimit, Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë. Zgjedhja e tij si President u mbështet fuqishëm nga PS, me të cilën LSI bashkëqeveris që nga viti 2013, pas dështimit të njëpasnjëshëm të maxhorancës qeverisëse në tre raunde për të paraqitur kandidatura pasi u përpoq më kot të përfshijë në proces opozitën, e cila që prej dy muajsh ka bojkotuar parlamentin dhe vazhdon protestën në ҫadrën përballë kryemnistrisë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe filluar të hënën më 1 maj mosbindjen civile në të gjithë vendin. Meta e konsideron krizën aktuale politike dhe bojkotin e opozitës si faktorët e rëndësishëm që ai pranoi të zgjidhet President.
„Rrethanat më dhanë këtë mundësi. Ndaj unë do të bëj cdo gjë me të gjitha cilësitë e mia për të justifikuar besimin që më dhatë. Jo vetëm para jush, por para të gjithë qytetarëvë shqiptarë, para Kushtettës së Republikës së Shqipërisë, para interesave më të rëndësishme që kanë të bëjnë me stabilitetin, me sigurinë kombëtare dhe me të ardhmen europiane të vendit” tha Ilir Meta, mbrëmë në Parlament.
Meta kërkon konsesus
Premisat per destabilizim nuk mungojne aktualisht në Shqipëri. Duke iu referruar ngjarjeve të dhunshme nëParlamentin e Maqedonisë ai theksoi se „ Duhet të përpiqemi të gjejmë konsensus që Shqipëria të mos bëhet si Maqedonia”. Dhe ai ka gjasat për t’i dhënë karburantin e duhur arritjes së konsensusit për marrëdhëniet që ka ngritur me PD- shkruan radio shtetrore gjermane, e cila me pas vazhdon- Analistë të pavarur të Tiranës e shohin angazhimin e Ilir Metës si një periudhë tranzitore pas të cilës ai do të rifutet në politikë.
( Marrë nga radio gjermane “DW”)