Rajoni i arktikut dhe rreziku i një konflikti të ri ndërkombëtar
Nga Ermal Xhelilaj –
Zhvillimet e pesëdhjetë viteve të fundit në arenën e marrëdhënieve ndërkombëtare (MN) kanë treguar se marrëdhëniet ndërshtetërore në rajonin e Arktikut janë karakterizuar nga kriza progresive, kriza voluntariste, si dhe mosmarrëveshje ndërkufitare me ndikim jo të vogël në sistemin ndërkombëtar. Konfliktet ndërshtetërore që karakterizojnë rajonin e Oqeanit Arktik, në të cilin përfshihet edhe zona detare e Polit të Veriut, kanë të bëjnë kryesisht me sovranitetin dhe të drejtat sovrane mbi zonat detare të përcaktuara në Konventën UNCLOS (1982), mbi pasuritë natyrore të naftës e gazit, si dhe me kontrollin juridiksional mbi Ngushticën Veriperëndimore, që përfaqëson interesa të rëndësishme politike, ekonomike dhe strategjike për shtetet e Arktikut.
Gjatë viteve të fundit, konfliktet ndërshtetërore për rajonin e Arktikut janë përshkallëzuar për shkak të mosmarrëveshjeve mbi përvetësimin e rezervave të gazit natyror dhe naftës të zbuluara nën shtratin oqeanik, të cilat sipas ish Sekretarit të Përgjithshëm të NATOS-s Rasmusen, vlerësohen rreth 90 miliardë barelë naftë, që përkthehen në miliarda dollarë fitime. Në maj të vitit 2009, Autoriteti Gjeologjik i SHBA-së, po ashtu, deklaroi disa të dhëna befasuese lidhur me burimet natyrore të gazit dhe naftës në veri të Rrethit Arktik, i cili sipas këtij institucioni përmban 83 milionë fuçi naftë që janë të mjaftueshme për të plotësuar nevojat aktuale të tregut botëror për tre vite rresht, dhe 44 trilionë metër kub gazi natyror, ose furnizim të tregut botëror për katërmbëdhjetë vite rresht.Në këto mosmarrëveshje ndërshtetërore përfshihen aktorë të fuqishëm të sistemit ndërkombëtar si SHBA-ja, Kanadaja, Rusia, Norvegjia dhe Danimarka, të cilat kanë shpalosur forcën e tyre politike dhe ushtarake lidhur me zotërimin e sovranitetit e të drejtave sovrane mbi zonat detare të sapo çliruara nga akujt polarë të Arktikut.
Karakteristika kryesore e marrëdhënieve politike të zhvilluara në gjirin e shteteve me interesa të fuqishme mbi Oqeanin Arktik, janë mosmarrëveshjet e shpeshta ndërshtetërore gjatë dekadave të fundit, si dhe përpjekjet e këtyre shteteve arktike gjatë kësaj periudhe për të bashkëpunuar në mënyrë që sovraniteti dhe të drejtat sovrane të çdo shteti bregdetar mbi këtë rajon, të kthehen në një përftitim të përbashkët për të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Rrjedhimisht, sovraniteti dhe të drejtat sovrane konsiderohen faktorë themelorë për marrëdhëniet ndërshtetërore në rajonin e Oqeanit Arktik, për të cilin shtetet bregdetare kanë qenë të gatshme historikisht të përfshihen në konflikte politike apo ushtarake. Thomas Hobbes në veprën e tij Leviathan, shprehet ndër të tjera se nuk ekziston asnjë fuqi botërore që mund të krahasohet me sovranitetin. Me sovranitet, tokësor apo detar qoftë ky, nënkuptojmë pushtet, fuqi, autoritet, autonomi, identitet dhe pushtet moral të shteteve të pavarura. Për juristët ndërkombëtar, sovraniteti është tërësia e formave të ndryshme të juridiksionit ekskluziv të ushtruar nga një shtet brenda kufijve të tij territorialë, në të cilën përfshihen hapësirat ujore dhe tokësore.
Të drejtat sovrane mbi zona të caktuara të Oqeanit Arktik, paraqesin një rëndësi themelore edhe për arsyen se ky rajon me vlera të mëdha ekonomike dhe strategjike, po kthehet në një çështje qendrore për MN në përgjithësi. Vendimet politike të shteteve të Arktikut, duke marrë në konsideratë rëndësinë që paraqet aktualisht rajoni dhe vlerat e tij në të ardhmen, konsiderohen themelore për rolin dhe reputacionin e Rusisë, SHBA-së dhe Kanadasë në sistemin ndërkombëtar. Bashkëpunimi apo mosmarrëveshjet ndërmjet këtyre shteteve lidhur me zonat detare të përcaktuara ligjërisht nga UNCLOS-i, janë një tregues i rëndësishëm dhe termometër i zhvillimeve politike ndërkombëtare. Vendimmarrja e këtyre shteteve në lidhje me mbrojtjen e ekosistemit të brishtë të Arktikut, reduktimin e burimeve dhe efekteve të ngrohjes globale, zgjidhjen e konflikteve ndërshtetërore, dhe menaxhimin e ekuilibrave politiko-strategjikë në marrëdhëniet NATO-Rusi, mund të ndikojë në rregullimin, destabilizimin apo ruajtjen e status quo-s në sistemin e MN, duke kontribuar drejt pasojave përkatëse për sistemin dhe politikën botërore. Në këtë kontekst, zhbllokimi i rrugëkalimeve oqeanike të Arktikut dhe optimizimi i burimeve natyrore të rajonit detar të Polit Verior, mund të ndikojë drejt ashpërsimit të konkurrencës ndërshtetërore në rajon.
Në një Oqean Arktik gjithmonë e më shumë të hapur për shfrytëzim të shumëfishtë, situatat politike do të varen nga mënyra se si shtetet rajonale do të përcaktojnë ligjërisht kufijtë e tyre detarë, si dhe nga ushtrimi i autoritetit të plotë kombëtar për të zbatuar legjislacionin e brendshëm. Në rast se status quo-ja do të vazhdojë edhe në të ardhmen, atëherë të drejtat dhe detyrimet e papërcaktuara qartë të shteteve mbi zonat detare arktike, mund të çojnë në mosmarrëveshje të thella dhe ndoshta dhe konflikte të natyrës ushtarake.
Aktualisht konfliktet ndërshtetërore që karakterizojnë rajonin e Arktikut kanë penguar një pjesë të kompanive të shpimit të naftës dhe gazit natyror për të kryer aktivitetin e tyre në zonat e kontestuara detare ndërmjet Kanadasë, Norvegjisë, Danimarkës, SHBA-së dhe Rusisë. Kanadaja karakterizohet nga konflikte ndërshtetërore mbi përcaktimin e zonave detare sipas UNCLOS-it, duke përfshirë dy probleme të rëndësishme kufijsh detarë në Oqeanin Arktik. Një prej këtyre konflikteve është me Danimarkën, dhe ka lidhje me të drejtat sovrane të një zone oqeanike prej 220 km² në detin Linkoln. Konflikti tjetër më i rëndësishëm, është mosmarrëveshja me SHBA-në mbi një zonë oqeanike prej 21.436 km² në detin Beaufort. Po ashtu, një tjetër mosmarrëveshje e karakterit politik dhe ushtarak, konsiderohet konflikti ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë mbi statusin ligjor të Ngushticës Veriperëndimore që depërton arqipelagun e ishujve veriorë nën sovranitetin e Kanadasë. SHBA-ja konsideron këtë rrugëkalim detar sipas UNCLOS-it një ngushticë ndërkombëtare, ndërsa Kanadaja, bazuar në legjislacionin kombëtar, si pjesë të ujërave të saj të brendshme.
Një prej çështjeve themelore në kuadër të marrëdhënieve ndërshtetërore të rajonit të Arktikut, e cila ka shkaktuar probleme të mëdha politike dhe mund të gjenerojë në të ardhmen konflikte të natyrës ushtarake ndërmjet shteteve arktike, konsiderohet edhe juridiksioni mbi Polin e Veriut. Artur Chilingarov, i cili udhëhoqi ekspeditën detare që instaloi flamurin rus prej titani në shtratin oqeanik të Polit të Veriut, deklaronte në gusht të vitit 2007 se rajoni i Arktikut i përket vetëm Rusisë. Nga ana tjetër, vetëm në muajin dhjetor të vitin 2013, kryeminstri kanadez Stephan Harper deklaroi se ka udhëzuar zyrtarët e lartë shtetërorë të përfshijnë në kërkesën zyrtare drejtuar OKB-së, të drejtën për zotërimin e sovranitetit shtetëror mbi Polin e Veriut. Danimarka, sipas Wall Street Journal, gjithashtu ka shprehur interes lidhur me përfitimin e të drejtave sovrane mbi Polin e Veriut.
Rjedhimisht, në ditët e sotme ekziston një mosmarrëveshje e thellë ndërshtetërore në rajonin e Arktikut lidhur me zotërimin e të drejtave sovrane mbi zonën e Polit të Veriut, e cila duke marrë parasysh agresivitetin tradicional të Rusisë, si dhe aleancën mes Kanadasë, SHBA-së dhe BE-së, dhe ndikimin e saj në arenën botërore, mund të përshkallëzohet në një krizë të rrezikshme ndërkombëtare. Pavarësisht kësaj, është e rëndësishme të theksohet se sovraniteti mbi Polin e Veriut nuk mund të jetë një çështje e brendshme e vetëm një shteti si Rusia, Kanadaja apo Danimarka, sepse përfshin në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe marrëdhëniet me shtete të tjera rajonale, të cilat kanë fuqi ekonomike, ushtarake dhe ndikim ndërkombëtar të përafërt me këto shtete.
Duke luajtur në këtë mënyrë, Rusia dhe Kanadaja mund të ndikojnë negativisht edhe për çështje të tjera themelore në kuadër të MN që në pamje të parë duken si të palidhura me sovranitetin e Polit të Veriut, siç janë bisedimet midis SHBA-së dhe Rusisë lidhur me armatimin bërthamor. Megjithatë, përveç aspektit politik ndërkombëtar, sipas këndvështrimit të së drejtës së detit, është e rëndësishme të theksohet se asnjë shtet nuk mund të ushtrojë sovranitet mbi Polin e Veriut, i cili ndodhet 750 km larg çdo zone tokësore apo ishulli, duke përfshirë dhe ishullin Ellesmere, Groenlandën dhe arqipelagun rus të quajtur Toka Franc Jozef. Kjo vjen për arsye se shtetet bregdetare, sipas UNCLOS-it, nuk mund të ushtrojnë sovranitet të plotë përtej ujërave territoriale me gjerësi prej 12 miljesh detare. Rrjedhimisht, shtetet të cilat janë duke u përpjekur për të fituar juridiksion mbi këtë rajon të ngrirë oqeanik, mund të kenë vetëm disa të drejta sovrane deri në 200 milje detare (në disa raste edhe përtej kësaj shtrirjeje) nga brezi bregdetar shtetëror që përkon me ZEE-në dhe shelfin kontinental.
Në rast se Kanadaja, Rusia, Danimarka dhe SHBA-ja mund ta provojnë shkencërisht se Poli i Veriut është një zgjatim natyror i shelfit kontinental të këtyre shteteve, atëherë ato do të kenë të drejta ekskluzive për të shfrytëzuar burimet natyrore të nëntokës oqeanike dhe asgjë më tepër. Hapësira ujore do të mbetet pjesë e ujërave ndërkombëtare, që nënkupton se anijet mund të lundrojnë lirshëm, dhe udhëtarë nga e gjithë bota mund të vizitojnë lirisht Polin e Veriut.
Pavarësisht argumenteve të mësipërme, për shkak të simbolikës që përfaqëson, Poli i Veriut mund të pasqyrojë vlera nacionaliste dhe politike për shtete si Rusia apo Kanadaja nëse këto shtete arrijnë të provojnë shkencërisht dhe ligjërisht ekzistencën e të drejtave sovrane mbi këtë rajon. Gjithsesi, i njëjti fenomen mund të ndodhë dhe në pjesë të tjera të Oqeanit Arktik, të cilat mund të jenë subjekt i juridiksionit të shteteve të ndryshme duke krijuar si pasojë mosmarrëveshje për zona detare ende të kontestuara ligjërisht.
Në këtë kontekst, në MN faktori i nacionalizmit konsiderohet një mekanizëm i rëndësishëm që ushtron një ndikim të konsiderueshëm në drejtim të zhvillimit të konfrontimeve rajonale dhe konflikteve ndërmjet shteteve, dhe Poli i Veriut, i cili përfaqëson pikërisht interesa nacionaliste për Rusinë dhe Kanadanë, mund të jetë në epiqendër të konflikteve ndërshtetërore. Rrjedhimisht, bazuar në argumentet politikë dhe ligjorë të përmendura më lart, Poli i Veriut nuk duhet të klasifikohet si pjesë natyrale e shelfit kontinental të shteteve të mësipërme. Ky rajon, mbështetur në parimet e UNCLOS-it, duhet përcaktuar si trashëgimi e përbashkët e njerëzimit, një term që përdoret për të përcaktuar ato zona të shtratit oqeanik, të cilat janë jashtë juridiksioneve kombëtare dhe nën administrimin e OKB-së. Megjithatë, shuma të mëdha dollarësh do të derdhen për të përcaktuar rajonin e Polit të Veriut si pasuri shtetërore për të shkak të krenarisë kombëtare të këtyre shteteve, nacionalizmit dhe politikës kombëtare.
Në ditët e sotme, ndryshimet klimaterike dhe ngrohja globale paraqesin problematikat më të mëdha dhe emergjente në rajonin e gjerë oqeanik të Arktikut, situatë e cila pasqyron thënien e famshme të Garret Hardin së ndyshimet e klimës botërore konsiderohen tragjedi e njerëzimi. Arktiku konsiderohet një rajon i gjerë oqeanik dhe i populluar nga kombe të ndryshme, të cilat përfaqësojnë një numër të vogël shtetesh por me potencë dhe ndikim madhor në sistemin ndërkombëtar. Ky rajon paraqet një numër problematikash ndërkombëtare, të cilat pasqyrohen nëpërmjet konflikteve dhe mosmarrëveshjeve të rëndësishme ndërshtetërore mbi përcaktimin ligjor të zonave oqeanike dhe ndarjen e kufijve detarë mbështetur në të drejtën ndërkombëtare të detit, të përfaqësuar kryesisht nga UNCLOS. Në rast se shoqëria njerëzore dhe qeveritë e shteteve të Arktikut nuk arrijnë të bashkëpunojnë, atëherë bashkëpunimi ndërkombëtar në zona të tjera të botës rrjedhimisht do të konsiderohet shumë i vështirë për t’u arritur. Në këtë këndvështrim, shtetet e Arktikut duhet të formulojnë politika dhe kuadër ligjore të cilat duhet të jenë në përputhje me normat dhe parimet ndërkombëtare, dhe jo të fokusuara në interesa të veçanta shtetërore dhe vendime të caktuara mbi rajonin detar të Arktikut.
Përcaktimi i kufijve detarë në rajonin e Arktikut mund t’u lejojë qeverive përgjegjëse që të sigurojnë shfrytëzimin optimal dhe të qëndrueshëm të burimeve natyrore të nëntokës oqeanike konform procedurave ligjore ndërkombëtare dhe standardeve të sigurisë, të cilat në vetvete kontribuojnë rreth kufizimit të efekteve negative që çojnë në ngrohjen globale. Në mënyrë që të arrihet një zhvillim normal i MN në Arktik, shtetet e këtij rajoni duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe të rrëmbejnë çdo mundësi për amortizimin e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore. Koncepti i sovranitetit dhe ai i bashkëpunimit ndërkombëtar nuk mendohet të jenë në kundërshtim të njëra-tjetrës. Përkundrazi, një sovranitet i pakontestuar dhe i plotë ligjërisht, mund të ndihmojë drejt arritjes së bashkëpunimit në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke ofruar një juridiksion të qartë mbi rregullimin e lundrimit të anijeve, shfrytëzimin e burimeve natyrore, si dhe për mbrojtjen kundër kërcënimeve dhe rreziqeve nga aktorë joshtetërorë.
Në këtë këndvështrim, e drejta ndërkombëtare është krijuar si pasojë e bashkëpunimit ndërshtetëror për arsye se shtetet kanë përcaktuar kufijtë detarë ndërmjet juridiksioneve përkatëse dhe kanë punuar së bashku në ndjekje të qëllimeve të përbashkëta. Duke e vështruar Oqeanin Arktik nga këndvështrimi ligjor, mund të supozohet se ky rajon detar më rëndësi ekonomike dhe strategjike, i kufizuar nga shtete të konsideruara superfuqi botëtore, nuk duhet të jetë i ndarë nga pjesa tjetër e sistemit ndërkombëtar. Përkundrazi, marrëdhëniet ndërkombëtare të shteteve të Arktikut, janë shumë të ndërlidhura me sistemin e këtyre marrëdhënieve në pjesën tjetër të botës, duke e karakterizuar rajonin e Arktikut si laborator të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në tërësi.