Rama, Basha dhe qeni i dikurshëm shkodran
Nga Lorenc Vangjeli/
Gjashtë vjet më parë, një banor i zonës së Shkodrës së përmbytur ndodhej në majë të çatisë së shtëpisë së tij bashkë me qenin. Familjarët e tjerë të tij ishin evakuuar. Bagëtinë, shpresat për një jetë më të mirë dhe mobiljet ja kishte marrë lumi. Ai burrë i mjerë dhe njeri i mirë, njëlloj si dhjetra mijëra qytetarë të tjerë, dukej si në fund të pusit, edhe pse ndodhej në majë të çatisë së tij dy katëshe, të ndërtuar me para të ndershme, por pa leje të ligjshme. Edi Rama, atëherë kryetar i opozitës, ndodhej në krye të një operacioni humanitar që opozita kishte nisur të bënte për banorët e prekur nga përmbytja. Domethënë, veç qeverisë dhe edhe për karshillëk ndaj qeverisë, e cila atëherë ishte shpërngulur e gjitha aty në një nga operacionet më të mëdha humanitare të bëra ndonjëherë në pluralizëm. Sipas parimit të pandryshueshëm: të gjitha qeverisjet ngjajnë sikur jetojnë në emergjencë dhe urgjencë, por kjo është tjetër histori. Sipas parimit që të gjitha qeverisjet ndoshta e kishin të vështirë të afronin siguri për jetën, por funeralin si qokë e kryenin në mënyrë perfekte. Si në Gërdec, për shembull.
Historia e gjashtë vjetëve më parë pati një zhvillim dramatik kur varka opozitare me më shumë se tre vetë brenda, por pa asnjë qen në të, ju afrua banësës së përmbytur. Varka, me Ramën dhe “shkodranin” Ilir Beqja në bord, ju afrua qytetarit mbi çati që realisht ishte në fund të pusit të shpresave. Ai u ngrit në këmbë sapo pa Ramën. Ngriti dy gishtat lart si simbol i pakundërshtueshëm i bindjes së tij politike. Dhe nisi t’i bërtasë Ramës duke i thënë që ai nuk ishte i mirëpritur prej tij. Dhe Rama, thonë dhe verifikojnë dëshmitarët, i dha një përgjigje emblematike indoktrinimit absurd të qytetarit: “Po ti çke? Nuk kam ardhur për ty. Kam ardhur të shoh qenin”!
Humor i zi! I merituar, në fakt, nëse shihet me syzet e qeta të cinizmit të akullt dhe jo të njerëzillëkut hipokrit.
Atëherë në të njëjtën zonë, Lulzim Basha, ish-ministër i brendshëm, veshur me mushama kundër shiut, i fliste kamerave të ardhura nga Tirana për luftën plot heroizëm të qeverisë kundër shiut. Për optimizmin që kjo luftë do të fitohej dhe se ishin marrë të gjitha masat që përmbytjet të mos ndodhnin më. Dialogu në distancë mes Ramës dhe atij që më pas, sot pra, do të ishte përballë tij si kryetar i PD-së, ishte i thjeshtë. Njëri rrëzonte qeverinë për paaftësi, tjetri lartonte qeverinë për heroizëm.
Gjashtë vjet më pas rolet kanë ndryshuar. Dhe ndodhi dukshëm të enjten. Ishte koinçidencë. Ishte rastësi e pastër. Ishte pasqyra e dukshme nga të dy anët e politikës shqiptare. Të enjten paradite edhe kryeministri, edhe kryetari i PD-së, vizituan Sukthin. Një fshat i njohur që ndodhet në hapësirën mes Tiranës dhe Durrësit. Një zonë, nga shumë të tilla që u ndodhën nën pushtetin e ujit dhe të përmbytjeve në këtë fillimvit. Të gjithë të prekurit nga përmbytja janë qytetarë legalë të Republikës së Shqipërisë. Një pjesë e madhe e tyre, banorë në banesa të legalizuara së fundmi apo në proces legalizimi. Të gjitha ato banesa janë të ndërtuara pa leje të autoriteteve. Janë ndërtuar si është mundur, ku është mundur dhe me çfarë është mundur në ditë me diell, natyrisht pa menduar as për shiun dhe as për afërsinë me lumin. Themelet e tyre në fillim dhe pastaj muret dhe katet një mbi një, me para të ndershme gjaku dhe djerse, janë hedhur në vrullet e njëpasnjëshme migratore të banorëve nga Veriu, Verilindja apo Jugu e Juglindja, në drejtim të Ultësirës Perëndimore. Fiks në kohën kur gjithë vendi gjithashtu dikur pjesë e Lindjes komuniste, nisi të tentonte me dëshpërim Perëndimin si të vetmin drejtim, shans, shpresë dhe zgjedhje e zgjidhje.
Rama dhe Basha, por me role të ndryshuara nga gjashtë vjet më parë u ndodhën në Sukth të enjten paradite.
I pari, Rama, foli për shkaqet e vërteta të përmbytjeve, të cilat nuk vijnë dhe nuk shkaktohen vetëm nga qielli, por kryesisht nga kaosi njerëzor që ka mbizotëruar në 25 vjet vjet. Eshtë hakmarrje e natyrës, revansh i maleve që ju janë prerë pyjet apo e lumenjve që sillen me të drejtën e ish-pronarit kundër pronarit të ri abuziv që ka ndërtuar në tokën e lumit.
I dyti, Basha, thotë se në Sukth, ku Erzeni ka dalë nga shtrati, janë përmbytur mbi 1200 familje dhe që gjendja vazhdon të përkeqësohet. Sipas tij qeveria është fajtore dhe se ajo duhet të reagojë fort. Në emër të opozitës po të enjten, ju bë thirrje kryeministrit “de juro” Edi Rama që të ndërpresë urgjentisht pushimet luksoze në Majami dhe të kthehet në Shqipëri për të ushtruar përgjegjësinë si kryeministër”.
Gjashtë vjet apo gjashtëmbëdhjetë vjet më pas, kushdo qoftë në pushtet dhe në opozitë, kushdo qoftë i majtë apo i djathtë, nëse shkon në Sukth në fillim të vitit, do ta gjejë atë sërish nën ujë, nëse nuk ndryshon qasja ndaj këtij problemi thelbësor për qytetarin. Që zgjidhjet nuk janë kurrë të pjesshme. Që politika të mos sillet me lumin siç sillet mosmirënjohësi me kalin kur kapërcen lumin. Domethënë, që politika të bëhet konkrete. Që të nisë të mendojë për shiun kur ka thatësirë në verë dhe të mendojë për thatësirën e verës në kulmin e reshjeve të shiut. Që të ndihmojë të mjerët, por të dëshmojë se parandalimi është shumë më efikas se kurimi. Se shteti nuk është vetëm zyra e kryeministrit apo agjensive të tjera të panumërta poshtë e përpjetë administratës kaotike shqiptare, por është edhe ai qytetari që lejon veten të ndërtojë për vete në tokën që i përket lumit. Dhe pastaj hipën në majë të çatisë bashkë me qenin dhe në dëshpërim të thellë i thotë nga maja e kurajos dhe fundi i pusit të shpresave Bashës së rradhës në opozitën e rradhës: “Ik! Ik e mos hajde të shohësh as qenin tim shkodran”! (Javanews.al)