Rama është sot problemi!

Nga Artur Zheji.

Lexova kundër argumentat që shkruaje hapur dhe publikisht ndaj Mustafa Nanos. Ti Andrea dhe Mustafai, jeni padyshim antiberishistë doc. Në të drejtën tuaj dhe mjaft herë me argumente të qëndrueshme.

Ndoshta nga befasia e qëndrimit të Nanos, ndoshta nga shqetësimi yt, se kthehet Berisha, në rast se rrëzohet Rama, më duket se i ke kaluar përciptas argumentet e “Muçit”, madje i ke futur ato, në skemën që: “çojnë ujë në favor të Berishës”.

Skemë kjo paralizuese për të kritikuar në çdo kohë pushtetet. Unë po të jap disa prova indirekte të dështimit të Ramës, pas të cilave mund të fshihen elemente te thekur korruptiv. Por unë dhe Muci, në këtë rast, që nuk kemi të përbashkëta shumë gjëra, bashkohemi te qëndrimi ndaj Ramës, por nuk jemi as prokurorë dhe as hetues. Sepse edhe ti, i dashur Andrea, nuk besoj se ke prova të prekshme, përveç qëndrimeve dhe analizave, apo interpretimit të tyre, kundër Berishës. Përndryshe do ta denoncoje në Prokurori me sukses dhe do të ishe dënuesi i tij.

Nejse ja disa “prova” kundër kryeministrit aktual:

  1. Humbja e çështjes së Bankers. Me kosto 100 milion euro, të paktën.
  2. Çështja ‘Cez Albania’, kosto disa qindra milionë euro të tjera. Dorëzim ndaj kompanisë ceke me një faturë të paktën 500 milion euro, ku pisllëku korruptiv, është trasversal. Majtas dhe djathtas.
  3. Çështja ARMO, “gropa financiare” e miqve të kryeministrit të sotëm dhe të kryeministrit të djeshëm, bashkërisht, si një shoqëri aksionere, pavarësisht se grinden në Kuvend: mbi 450 milionë euro të tjera. Të cilat humbasin nëpër labirintet e shkresurinave dhe nuk ka asnjë vullnet transparence të mirëfilltë qeveritare. Të gjitha këto, vetëm një ministri e vetme, ajo e Energjisë, e Damian Gjiknurit.
  4. Koncesionet në shëndetësi, 400 milion dollarë të tjera, të shtrira në 10 vjet. Dukshëm, favore të mirëfillta financiare, ndaj miqve te tjerë. Shiko investigimet e ndershme të BIRN për këtë. Riktheju fakteve. Janë dhënë 100 milion dollarë për check up, një kompanie të vetme që do të organizoje parandalimin e sëmundjeve të shqiptarëve.

Një kompanie që shiste cigare, pasta dhëmbësh, produkte industrial, karta telefonash dhe shitblerje me shumicë.

85 milionë dollarë, për hemodializën, një kompanie “fake” që shiste 10 birra dhe 7 kola me kanoçe në ditë, në një kafe të Beratit… (BIRN). Ndërkohë që një nënë dhe foshnja e saj, vdiq e masakruar, për neglizhencë dhe për mungesë parash, në trajtimin financiar të rojeve të natës në spitalet shtetërore shqiptare.

  1. Reforma e telekomanduar në arsim. Shpartallimi i Universiteteve të shtetit dhe “përcjellja klienteliste” drejt Universiteteve private. Të cilat dhe ato, Universitetet pra, janë disa të njerkës dhe disa të nënës parti apo nënës qeveri. Por këtë sektor, si edhe të gjitha sa të përmenda përciptas, ti i njeh edhe më mirë se sa unë.

Pa dashur të zgjatem më shumë, mund të them se e Majta shqiptare, ka resurse intelektuale dhe lidershipi alternative. Brenda PS, të cilat, të paktën, njohin më shumë frikën nga shteti dhe nuk kanë delirin që gjoja duke “bërë shtetin”, po e varrosin përfundimisht atë.

I dashur koleg dhe mik betejash të rëndësishme, të mos flasim për kultivimin kombëtar të kanabisit, që nuk mund të shpërthejë si një epidemi, pa një licencë ‘de facto’ qeveritare. /360grade.al

SHKARKO APP