Rama kthehet në “normalitet” Shpresa e fundit për t’mos rënë Qeveria e tij
“Sot kryeministri, është më normal, me një “Ëndër Obeze” më pak, me një super ambicie të stërmadhe, të futur sërish në sirtar, që ndoshta do ta ndihmojë për të bërë një pikturë të bukur, sot ose nesër, por jo një “grusht shteti të kadifenjtë””…
Nga Artur Zheji
Ndoshta Edi Rama sot kuptoi se u krijua një Balancë e Re, e trembur nga rreziku i mbipushtetit që ai po kërkonte përmes Reformës, por e vendosur, për të mos e lejuar, që ko reformë, të bëhej themeli, i një Piramide të re pushteti.
Në të vërtetë Kryeministri i provoi të gjitha skemat, deri në castin e fundit. Mjeshtërisht dhe si një shahist i mirë.
E vuri në një punë të stërmadhe krejt makinerinë e vet energjike politike dhe të lobingut, për të bërë Hapin e Madh përpara.
“Drejtësinë e Reformuar”, nën kontrollin e tij.
Një “Ëndër Obeze” kjo, por tepër e dukshme, tepër bërtitëse, tepër alarmuese.
Që krijoi alarm, rizgjim, panik, dhe një reagim të plotë dhe me sa duket, më në fund me rezultat.
Dhe u krijua kështu një Front laraman, aspak idealist dhe aspak homogjen, një Front nga e keqja më e madhe që buron, nga përqëndrimi i skajshëm i pushteteve, i të gjitha pushteteve në fare pak duar.
Sot kryeministri, është më normal, me një “Ëndër Obeze” më pak, me një super ambicie të stërmadhe, të futur sërish në sirtar, që ndoshta do ta ndihmojë për të bërë një pikturë të bukur, sot ose nesër, por jo një “grusht shteti të kadifenjtë”.
Por gjithësesi, ai nuk ka humbur kohë në përsiatje depresive apo në melankoli.
Një punë e ethshme ka filluar prej ditësh, dhe në mënyrë paralele, për të siguruar me cdo kusht mbajtjen e poltronës kryeministrore.
Krijimin e numurit 71 të votave në Kuvend, në rast se carja, tashmë e pafshehur dot me Ilir Metën, do të thellohet, si edhe pritet, në orët në vijim.
Por, në qëndrimin e tij, në dukje të qetë, ai bluan në vetvete edhe një Shpresë të fundit, për të mos u ndarë nga Meta.
Vërtet, ka vënë njerëz në të majtë e në të djathtë që tu bien burive se e ka numurin 71 në Kuvend, ai e di se si, por ajo nuk do të ishte dot një qeverisje, por një kacavjerrje tejet e mundimshme dhe një shumicë parlamentare shumë e brishteë.
Dhe shumë e kushtueshme. Dhe padyshim aspak eficente.
Një shumicë e hollë dhe e prirë nga “placka” e shpejtë, që do të grryente në një vit, më shumë imazh, më shumë reputacion, se sa gryerrja e natyrshme e tre viteve të qeverisjes që kaluan.
Kjo është një nga Dilemat, që nuk fshihen dot, nën maskën e bukur, të qetësisë së tij. 360grade.al