Rama merr në mbrojtje Ministrinë e Arsimi

Regjistrimi në universitete i maturantëve është kthyer në problemin e ri të mazhorancës. Pavarësisht se reforma e  Ministrisë së Arsimit synon vendosjen e rregullit për rrumpallën në universitete, efektet e para ligjore kanë sjellë rrëmujën me të cilën po përballën studentët.

Ndryshimi i sistemi i vlerësimit për hyrje në universitete ka bërë që pakënaqësitë ndaj mazhorancës të arrijnë kulmin gjatë ditëve të fundit. Partia Demokratike ka shfrytëzuar momentin për të sulmuar Ministrinë e Arsimit edhe Kryeministrin Edi Rama, i cili ishte përkrahësi më i madh i reformës në arsim.

I vetëdijshëm se efekti procedural i ligjit po sjellë kosto politike për qeverinë e tij, Kryeministri Rama ka dalë vetë në mbrojtje të ligjit dhe Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Dhe këtë mbrojtje po e bën ku të mundet; në rrjete sociale, në Parlament, madje edhe në fushatën elektorale për zgjedhje të pjesshme në Dibër.

Sot, në mitingu përmbyllës të kandidatit Muharrem Rama, Edi Rama i kushtoi një pjesë jo të vogël të fjalimit çështjes së universiteteve. Ai solli shembullin e një maturanteje që kishte fituar në 8 degë në këtë qytete, duke thënë se pasi të zgjidhje një degë, do të hapeshin për maturantët e tjerë, 7 vende bosh.

Logjika e shpjegimit të reformës është e thjeshtë, por koha e zgjedhur për të informuar maturantët dhe prindërit e tyre nuk është e duhura. Efektet e ligjit, renditja e preferencave dhe gjitha procesi që duhet të ndjekin maturantët duhet të ishte shpjeguar kohë më parë. Mundësisht që në ditët e para, kur ligji kaloi në Kuvend dhe kundër tij kishte jo pak kritikë dhe mosbesues.

Sot mazhoranca ndodhet para faktit të kryer. Mijëra maturantë rezultojnë të penalizuar nga një ligj që nuk e kuptuan dhe askush nuk ua sqaroj më detaje. Çudia është se një qeveri që shquhet për propagandë dhe reklame mediatike deri në mërzi, për një reformë kaq të rëndësishme nuk mori mundimin të informonte maturantët, se çfarë po ndodhte me sistemin e tyre.

Siç duket, dy vite më parë gjimnazistët nuk bënin pjesë te kategoritë që PS-së i duheshin për vota. Sot, ata që kanë mbetur jashtë universiteteve nuk janë vetëm të penalizuarit e një reforme, por edhe votuesit e inatosur të zgjedhjeve të ardhshme.

Ndaj dhe Rama i përmendi në Dibër maturantët. Por u kujtua me vonesë.

SHKARKO APP