Rama – Meta, impulse të reja apo pickime të vjetra?
Forum E Premte, 16 Prill 2021 20:52
Nga Blendi Fevziu.
Dorëheqja e befasishme e Ministrit të Drejtësisë Naço ka ngjallur një interes mediatik që në një rast tjetër nuk kishte asnjë arsye të ishte i tillë. I detyruar të largohet apo i dorëhequr për hesap të tij, Nasip Naço më shumë se përmirësimit të qeverisjes i ka shërbyer rikthimit të një klime tensioni, që mes Metës dhe Ramës është tani më evidente se kurrë. Një klime që kulmoi në fillim të tetorit por që u duk se u fashit pas një takimi kokë më kokë, për të cilin, dihen vetëm versionet që mbështetësit e njërit apo tjetrit kanë referuar nëpër kafenetë e Tiranës.
Me gjasë fashitja ka qenë vetëm një stato kuo e përkohshme dhe raporti mes Ramës dhe Metës ngjan thuajse identik me atë mes Nanos dhe Metës në vitit 2001 – 2003. I mbushur me tension, me mesazhe që çohen sa nga misionarë aq me deklarata të koduara publike dhe mbi të gjitha, në një klimë të plotë mosbesimi dhe mosqeverisje. Meta ka dalë sot dhe ka deklaruar që Naço ju hapi rrugë ndryshimeve në qeveri. Atyre që ai i quan impulse të reja. Por Meta ka mundësinë t’i ndryshojë të gjithë ministrat e tij në qeveri. Me Berishën e ka bërë disa herë e madje as ka pritur aprovimin e Kryeministrit. Atëherë përse Meta kërkon impulse të reja dhe çfarë kupton ai me këtë?!
Të besosh se Meta do të luftojë korrupsionin përmes ndryshimeve në Qeveri është si të tallesh me shqiptarët. LSI është e akuzuara kryesore për korrupsion dhe në dy sondazhe të kryera nga agjensi të specializuara të huaja evidentohet si shqetësimi kryesor. Me shumë gjasë këto studime i janë vënë në dispozicion Ramës e mbase edhe Metës. Dhe ka shumë mundësi për to ka dijeni edhe opozita. Ato kanë qenë në thelb të mërisë që ndërkombëtarët kanë manifestuar ndaj LSI!
Të besosh që LSI do të përmirësojë qeverisjen, atëherë duhet të bësh një pyetje tjetër. Përse LSI nuk thotë se cili sektor çalon? Përse nuk shprehet se ku po dështon Kryeministri dhe qeversja e majtë në përgjithësi?! Dhe cila është përgjegjësia e saj vetë!?
Me shumë gjasë, Meta është futur në një lojë force më Ramën dhe përtej impulsive të reja, ai po kërkon të shuajë impulset e vjetra. Ka shumë veta në Tiranë që e dinë se Meta bën përgjegjës Ramën për raportet e tij të tensionuara me ndërkombëtarët e mbi të gjitha me SHBA. Emri i tij kritikohet kudo dhe askush nuk di të thotë se cili është roli i Kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij qeveritarë në këtë ngërç.
Mund që e gjitha të jetë edhe një paranojë, por Meta e beson këtë plotësisht. Nga ana tjetër, edhe pse ka më pak informacione, vështirë që Rama të jetë i kënaqur me Metën. “Të dashuruarit” e 1 Prillit, kanë rënë pre e mosbesimit të vjetër mes tyre dhe e simbolikës që ka data e marrëveshjes. Një marrëveshje e përkohshme dhe fallse. Të dy kanë hyrë në një betejë force në distancë, betejë që duket se daton nga Maji i këtij viti dhe që çuditërisht përkon me hapjen e ceshtjes DIA. Targeti kryesor i Metës duket Ministri i Brendshëm Tahiri, pikërisht ai që ka përgatitur dosjen e Ismailajt dhe ja ka dërguar atë Prokurorisë për pastrim parash. Me gjasë Meta e ka konsideruar hetimin ndaj Ismailajt si një tentativë për të përfshirë brenda Metën dhe dokumenti i Clifford Chancë mund t’ja këtë përforcuar këtë bindje.
Edhe pse e gjitha ngelet në kuadrin e hamendjeve, duket se impulset e reja janë thjeshtë pickime të vjetra. Nëse Qeveria ka nevojë për impulse; nëse vendi ka nevojë për zhvillim, Meta e ka shumë kollaj. Ai mund të ftojë Ramën të kalojnë bashkë ligjin e dekriminalizimit, për të pastruar parlamentin nga banditët dhe vrasësit; ai mund të ftonte Ramën të mos fusin më në listat politike të partive biznesmënë të mëdhenj që e shohin politikën si katapultë për përfitime të tyre personale; ai mund të bënte një pakt për të forcuar edhe më shumë dënimin ndaj atyre drejtorëve që mjerojnë vendin duke ju marrë vartësve disa mijëra euro për vend pune; Mund të këmbëngulte që reforma në drejtësi të ishte një reformë e vërtetë që ti shërbente vendit dhe jo padronit të rradhës; që raportet me opozitën të ishin të ndryshme dhe jo këto që janë.
Kishte shumë mënyra se si mund ta bënte këtë, por Meta zgjodhi po atë stil që ka përdorur gjatë gjithë jetës së tij: mesazhin në distancë. Stil që Rama duhet ta ketë ditur mirë që atë moment që ka trokitur në derën e shtëpisë së tij në Gjirin e Lalzit. Tani duhet t’i bëjnë llogaritë bashkë, duke humbur në labirinthet e pakënaqësive dhe paranojave dhe duke e lënë vendin pa qeverisje reale! Edhe pse të gjithë e dinim këtë edhe të gjithë ë paralajmëruan që në 1 Prill 2013!