RAMA PARALAJMËRON NJË RTSH POLITIKE
Nga: Xhovani SHYTI
Në konferencën fundvjetore për shtyp, ndër të tjera, kryeministri Edi Rama i ka kushtuar vëmendje edhe gjëndjes në të cilën është katandisur enti më i madh mediatik shqiptar Radio Televizioni (RTSH), duke dhenë edhe disa arsye që, sipas tij: e kanë penguar maxhorancën të ndërmarrë hapa për transformimin në media publike.
Duke pohuar se,citoj: “RTSH është sot struktura më e prapambetur, por njëkohësisht dhe më e paguar e botës së medias.Televizione me shumë më pak para, më pak investime, me më pak njerëz bëjnë audiencë shumë më të lartë”, Kryeministri ka pranuar se përgjegjësia dhe kritika për gjendjen e RTSH duhet ti shkojë shumicës aktuale qeverisëse.
“Nuk ka asnjë përgjegjësi dhe asnjë arsye që unë të kritikoj askënd në atë strukturë, për sa kohë përgjegjësia dhe kritika duhet ti shkojë drejtpërdrejt kësaj shumice qeverisëse, dhe, po të doni, dhe mua bashkë me bashkëkryetarin”, ka pohuar në ligjëratë të drejtë Rama, i cili, më tej, duke përdorur piruetat e tij të njohura oratorike, ka vazhduar të thotë:
“Kemi votuar një ligj absurd, për një konsensus absurd për të drejtuar një ndërmarrje publike që ka një mision shumë të madh, informimin e publikut, bazuar tek interesi i publikut dhe jo tek interesi komercial”.
Mirëpo a është vërtetë kështu? A është vetëm absurditeti i ligjit pengesë që, pas më shumë se dy vite nga ardhja në pushtet e të majtëve, dhe po kaq vite nga premtimi elektoral i Edi Ramës, për tja rikthyer RTSH-në publikut, kjo gjë nuk ka ndodhur?
“Këtu nuk gjejmë dot drejtorin e televizionit, sikur po zgjedhim sekretarin e OKB-së, Ban Ki Moon”, ka vazhduar të perifrazoj ironikisht zoti Rama, ndërkohë që ka paralajmëruar edhe skemën e të ardhmes, nëpërmjet të cilës maxhoranca ka planifikuar ta zgjidhë ngërçin RTSH.
Ngërçin i cili nuk ka ardhur nga “ligj absurd”, sikurse e vlerëson Kryeministri, më shumë sesa nga urdhëri partiak që dikton antarësinë, në Këshillin Drejtues të RTSH-së.
I futur në kolaps drejtimi jopolitik edhe përgjatë qënies së militantit PD-ist Betrit Beci, drejtor i Përgjithshëm, RTSH vazhdoi të vidhiset akoma më tej, kur këtij të fundit i përfundoi mandati dhe institucioni vazhdoi të drejtohet nga zvendësdrejtori Martin Leka, i rekomanduar për të qenë në këtë post deri në zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm.
Që atëherë kanë kaluar më shumë se dy vite, përgjatë të cilave, sikurse pohojnë burime konfidenciale të RTSH, rreth 120 punonjës janë punësuar jashtë çdo lloj kriteri profesional, por vetëm për shpërblim politik dhe bekim partiak. Duke e anashkaluar dhe shkelur hapur ligjin, që dikton punësimin nëpërmjet konkurimit profesional.
Po e njejta skemë, me kriter simpatie politike dhe jo aftësish profesionale, u përdor edhe në garën për përzgjedhjen e kandidatit, që do të ishte Drejtor i Përgjithshëm i RTSH.
E nisur si një garë e ndershme, gjashtë muaj më parë, konkurimi solli në arenën përzgjedhëse rreth 22 pretendentë për Drejtor, secili me nga një platformë konkrete drejtimi. Finalja solli eliminimin e gjithë atyre që nuk kishin mbështetje e profil politik të spikatur, pra që nuk jepnin garanci besnikërie politike.
Nga gjithë kandidatët, në tapetin e favoritëve mbetën dy militantë të të majtës qeverisëse, përkatësisht Thoma Gëllçi, ish drejtues i gazetës konservatore “Zeri i Popullit” e ish këshilltar i Fatos Nanos, i ardhur nga SHBA, me premtimin për tu drejtorizuar, si edhe aktori Petrit Malaj, ish kandidat për deputet humbës i socialistëve në zgjedhjet parlamentare të 2013-tës.
Megjithse gara midis tyre e konsumoi maksimumin e mbështetjes politike të anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH, asnjeri nuk ja doli të fitonte shtatë votat e duhura, që parasheh ligji, për të fituar drejtorllëkun. Rezultati konstant i disavotimeve favorizoi me gjashtë votat “pro” të maxhorancës herë njerin e herë tjetrin për tu fiksuar në votimin e fundit tek Gëllçi, i cili megjithë urdhërin e prerë politik për mbështetjen nga maxhoranca nuk arritit të zgjidhet, falë votave “kundër” të përfaqësuesve të opozitës në KD të RTSH, dhe ligjit që parasheh jo gjashtë por shtatë vota “pro”.
Pra ishte pikërisht ligji i anatemuar nga Kryeministri që e ndali kapjen e kreut të RTSH-së nga një tjetër përfaqësues i militantazmit politik, zgjedhja me domosdo e të cilit, sipas burimeve konfideciale nga Këshilli Drejtues i RTSH, mbetet ende në fuqi, si një projekt dykryetarësh maxhorativ, që duhet finalizuar me çdo kusht. Qoftë edhe duke ndryshuar ligjin në pjesën e nenit që dikton shtatë dhe jo gjashtë vota “pro”. Paralajmërim ky që e ka artikuluar edhe Kryeministri Rama, kur ka përmendur se në rast mosgjetjeje të konsensusit me opozitën për votën e shtatë, maxhoranca do të ndryshojë ligjin.
“Nuk kemi dashur të hyjmë tek ligji, i kemi votat, kemi detyrimin për ta bërë, sepse kemi dëshiruar ta kërkojmë këtë konsensus deri përtej arsyes. Nuk e kemi gjetur 2 vjet e gjysmë. Atëherë ka dy rrugë, ose të biem dakord dhe ti japim zgjidhje këtij problemi, ose të ndryshojmë ligjin. Ne nuk do presim përtej janarit. S’ka më kohë. TVSH kërkon një reformë rrënjësore, njësoj si hipotekat, njësoj si ALUIZNI”, ka qenë ultimatum i kryeministrit Rama, i cili nëse vërtetë dëshiron të përmbush premtimin që i ka dhenë publikut nuk duhet të përdor forcën e kartonave të maxhorancës për të ndryshuar numrin e votave përzgjedhëse të Drejtorit të Përgjithshëm, nga me shtatë në me gjashtë, por ti hap rrugë një konkursi të ri. Që të lejoj pjesëmarrjen e të tjerë kandidatëve të denjë, e profesionistëve vërtetë të pavarur dhe jo zorraxhinj e militant të spikatur.
Për tja arritur kësaj, për ta shkëputur RTSH nga kthetrat e paaftësisë dhe qokëbërjes politike, nuk mjafton që Kryeministri të artikuloj fraza ironizuese, aspak të denja për të, duke e krahasuar garën për drejtorin e RTSH me atë për sekretarin e OKB-së, Ban Ki Moon”, dhe as të jetë kategorik në deklarimin se tek ne nuk gjenden kandidatë të denjë profesionistë, me integritet për këtë detyrë.
Nëse vërtetë e dëshiron këtë, Rama duhet ti hapë rrugë një procesi ligjor të pavarur. Të pa urdhëruar si deri më sot, nga pas kuintave, një proces që të lejoj futjen në garë të kandidaturave të denja, të cilat deri më sot nuk kanë denjuar të ofrohen pasi janë mirëinformuar për kotësinë e konkursit dhe votave të anëtarëve politik të KDRTSH, që si finale do të vendosin në rastin më të keq për Malajn dhe në rastin më të mirë për Gëllçin.
Nëse ka gjë që duhet amenduar në kapitullin e ligjit ekzistues, që përcakton zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, nuk është neni përcaktues i votave “pro” e “kundër”, por pjesa e fundit e tij. Pjësa që, pakuptueshmërisht, nuk përcakton rihapjen e konkursit me kandidatë të rinj, por e lë në pambarim votimin, duke mos urdhëruar nxjerrjen jashtë gare të kandidatëve kryesues të listës, kur ata, edhe pas tre herë votimi, nuk arrijnë të marrin shtatë vota.
Gëllçi e Malaj deri më tani janë votuar më shumë se katër herë dhe ndonëse nuk kanë arritur marrjen e shtatë votave të domosdoshme, ende konsiderohen pretendentë për fronin e Drejtorit të Përgjithshëm. Dhe e dini përse? Lexoni deklarimin më të fundit të ardhur nga burime brenda Këshillit Drejtues të RTSH-së, kësaj strukture drejtuese që megjithse është e vetmja, që ka tagër ligjore për të ndërhyrë në kënetën me emrin RTSH, rri e luan telespektatorin, pasi nuk e lejojnë të mos ketë busull ndriçuese të punës së vet urdhërat e kabineteve politike.
“Çdo vendimarrje e jona për të inicuar zgjidhjen e ngërçit për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm është e kotë. Provuam të aplikonim rihapjen e konkursit për pjesëmarrjen e kandidatëve të rinj, por na urdhëruan të ndalemi dhe të presim ndryshimin e pjesës së ligjit, që do të lejoj zgjedhjen e Drejtorit me votim të thjeshtë, me gjashtë dhe jo shtatë vota “pro”, siç është tani. Quheni si të doni, konkurs apo urdhër politik, zgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm është ligjëruar, ne na kërkohen vetëm gjashtë votat pro”. (shtypi.net)