Rama reagon nëpërmjet Bolinos: Koço Kokëdhima donte të më merrte partinë
Pas shkrimit të djeshëm në gazetën Shekulli, ku pretendohet se arsyet e prishjes së miqësisë mes Ramës dhe Kokdhimës, nuk janë thjesht hatërmbetje për çështjen e mandatit të hequr, por më të thella, Rama i është kundërpërgjigjur nëpërmjet gazetës Shqiptarja.com. Gati të gjithë faqen e parë në gazetën e tij të ditës së sotme miku i Ramës, Karlo Bolino, i cili pas prishjes së miqësisë së famshme ka zgjeruar pushtetin e tij te kryeministri, ja ka kushtuar çështjes “Kokëdhima”. Në artikullin me titull, “Ja platforma sekrete për PS-në që ndau Kokëdhimën nga Rama”, Bolino ka zbuluar se deputeti i Jugut, ka pasur një plan për të uzurpuar Partin Socialiste, të cilin e herë e quan “Platforma Kokëdhima”, e herë “Stina e re në PS”.
Bolino duket se është i ngazëlluar pas pranimit, edhe nga vetë Kokëdhima të dhënies fund të miqësisë me Ramën. “Dorëzohet më në fund Koço Kokëdhima. Pranon përmes gazetës së tij fundin e marrëdhënieve me kryeministrin Edi Rama. Se sa i gjatë ishte rrugëtimi nga krisja e parë tek ndarja finale, këtë nuk mund ta themi me siguri, ama ka prova se arsyeja publike me të cilën Kokëdhima përpiqet të justifikojë ndarjen, nuk ka aspak të bëjë me rolin e heretikut të djegur në turrën e druve që ai kërkon t’i japë vetes”, e nis shkrimin Shqiptarja.com duke na parapërgatitur, se më poshtë do të mësojmë planet e Kokëdhimës, për ti marrë Edi Ramës partinë.
“Në fillim të këtij viti, Shqiptarja.com botoi dy dokumente kofidenciale të përgatitura nga Koço Kokëdhima, asokohe deputet social, ku propozohej një platformë për reformën brenda Partisë Socialiste. Platforma e titulluar si “Stina e re e PS-së” e hartuar nga Koordinatori i Rajonit Vlorë-Gjirokastër kishte synimin të shtrihej në të gjithë vendin, duke hedhur teza të forta strukturore dhe plane veprimi të ndryshme e aspak të ngjashme, e herë pas here të kundërta me ato të miratuara nga organet kolegjiale, si Asambleja Kombëtare e PS-së që prevalon mbi idetë dhe projektet e çdo individi”, vijon shkrimi.
Më poshtë gazeta tregon se deputeti i jugut, ndryshe nga Blushi që i bënte hapur nëpër forumet e PS debatet me Ramën për çështjen e Kryetarit, veproi në mënyrë tinëzare dhe të fshehtë; ”Ai zgjodhi një mënyrë tjetër. As forumet vendimarrëse, as debatet e hapura që ai thotë se i dashuron aq shumë. Ai hartoi dy dokumente, një 43 faqe dhe një 33 faqe dhe jua shpërndau ato me email disa deputetëve dhe njerëzve me ndikim në PS, duke tentuar të trafikojë influenca ndër ta, një qasje kjo tinëzare”/Syri.net