Rama shpif në Shqipëri për të shërbyer në Serbi
Nga: Klevis Balliu
Ka një arsye të qartë dhe të thjeshtë pse po shpifet sot për Lulzim Bashën.S hqipëria dhe Kosova kanë qenë të qarta se akuzat ndaj UÇK-së janë fabrikuar në Serbi. Në fakt, i gjithë raporti i Dick Martin është mbushur me fjalët dhe mashtrimet e Prokurorisë së Beogradit. Në këtë situatë, sot, në 2020, Beogradi kërkon të ndryshojë historinë, duke hedhur poshtë faktet e mësipërme.
Hapi i parë i tyre ishte Edi Rama. Nëpërmjet Kryeministrit shqiptar, Vuçiç mundi që të bëjë një takim me Edi Ramën dhe e shitën si një takim të suksesshëm ditën që krerët e UÇK-së u dërguan në Hagë. Me këtë takim, Serbia sot ka mundësinë të artikulojë se nuk është Beogradi që po ngre këto akuza, pasi qeveria e Serbisë dhe ajo e Shqipërisë kanë marrëdhënie të shkëlqyera. Rama me këtë takim i shërbeu në mënyrë të jashtëzakonshme Beogradit. Për të zhvendosur vëmendjen nga kjo tradhti e radhës ndaj kombit, Rama fabrikoi një mashtrim, ose më saktë një film, që, për hir të së vërtetës edhe Hollivudi do ta kishte zili. Kjo s’më habit, mashtrimi Ramës i vjen natyrshëm.
Së dyti. Në një akt të paprecedent antikombëtar, Rama qëllimisht hoqi nga rezoluta për krimet e bëra nga Serbia në Kosovë fjalën GJENOCID. Millosheviçi vetë është akuzuar dhe dënuar për Gjenocid, por Rama, nën urdhrat dhe në shërbim të Beogradit, ai dhe Parlamenti i tij, nuk e njohin gjenocidin, duke hequr në këtë mënyrë një nga akuzat më të mëdha që rëndojnë mbi Serbinë.
Por lidhja e Ramës me Serbinë është më e hershme, ai ka vite që është në shërbim të Aleksandër Vuçiç, ish-ministër i Millosheviçit. Vetë një nga heronjtë e UÇK-së, që ka dhënë jetën e familjarëve të tij për liri dhe pavarësinë e Kosovës, Kryeministri Haradinaj, ka ngritur një sërë akuzash ndaj Edi Ramës. Kryeministri Haradinaj ka dëshmuar në publik se Edi Rama ka qenë bashkëpunëtori kryesor dhe mbështetësi kryesor për planin e Vuçiçit për copëtimin e Kosovës. Madje, për këtë tradhti kombëtare, sipas Haradinajt, do të kishte dhe përfitime marramendëse monetare deri në 10 miliardë Euro.
Në fakt, Rama e hodhi në gjyq Haradinajn, një tjetër akt i paprecedent, ku një Kryeministër shqiptar hedh në gjyq një Kryeministër të Kosovës. Patjetër që për këtë padi i pari që u gëzua shumë ishte miku, aleati, bashkëpunëtori i Edi Ramës në Beograd, Vuçiç. Por Rama u detyrua të tërhiqej, pasi qartazi ato akuza që ngriti Haradinaj qëndronin dhe koha, në fakt, e vërtetoi pas deklaratave të forta nga kancelaritë perëndimore dhe në veçanti Kancelarja Merkel e dështuan planin e Vuçiç dhe shërbëtorit të tij, Rama. Këto janë fakte dhe krime jashtëzakonisht të rënda, pasi kanë cenuar sigurinë kombëtare, duke lejuar që Beogradi të udhëhiqte Kryeministrin Rama. Për t’i mbuluar të gjitha këto fakte, me ndihmën e Beogradit, janë ngritur akuzat ose më saktë shpifjet ndaj liderit të opozitës, Lulzim Basha.
Njësoj si Beogradi fermentoi akuzat ndaj UÇKsë dje, sot me të njëjtën strategji dhe me ndihmën e Edvin Kristaq Ramës po fabrikohen akuza ndaj Lulzim Bashës. Rama, në fakt, po shpif sot për Lulzim Bashën për të mbuluar nesër shpifjet e Beogradit ndaj zyrtarëve të UÇK-së. Gjithashtu, së shpejti janë zgjedhjet, ndaj duhet të kuptojmë se në thelb, mbi bazë edhe të fakteve të lartpërmendura, vota për Ramën është votë për Serbinë. Shqipëria duhet ta ndëshkojë tradhtarin si një komb i bashkuar më 25 prill. Jam i sigurt që qytetarët shqiptarë do t’i japin nipit të Spiro Kolekës atë çka ai meriton.