Rama si kryetar i rradhës i OSBE-së dhe për sikletet pa fund të kryetarllëkut
Nga Genc Pollo –
Në korrik shkruajta artikullin “Një kryesi që shkel parimet e organizatës-Shqipëri/OSBE 2020: kronikë e një dështimi të parashikueshëm” të cilin e mbyllja me fjalinë “Dëmi që kryesia Rama i ka bërë reputacionit të OSBE-së mbetet për një shënim tjetër.” Atëhere as që më shkoi në mendje se rrethanat kur ky dëm do të dilte sheshit e unë do të merrja penën për të hedhur në letër “shënimin tjetër” vetëm katër javë më vonë. Para një muaji nuk do të vija bast që shoqëria e Bjellorusisë do të dilte nga përgjumja politike; që një kandidate presidenciale rastësore do të frymëzonte miliona bashkëqytetarë e qindra mijëra bjellorusë do të dilnin në rrugë për t’i dhënë fund regjimit çerekshekullor të satrapit sovjetik Aleksander Lukanshenkos. Por me njëfarë kënaqësie mund t’i kujtoj vetes e lexuesit se kështu mendonin për Shqipërinë socialiste shumë shqiptarë e të huaj deri në dhjetor 1990, kur u pa që historia nuk frenohej dot më edhe në trojet tona. Por që regjimi do të përmbyste rezultatin e votimit për të nxjerrë Lukashenkon edhe ketë herë fitues me 80% e dhunën policore ekstreme kundër qytetarëve protestues këtë, unë e shumë të tjerë, do e imagjinonim pa vështirësi.
Në artikullin e korrikut argumentoja se qeveria Rama krijoi precedentin negativ të shkeljes së normave të OSBE-së nga vetë kryesuesja e saj përmes miratimit të ligjeve, të cilat u kundërshtuan publikisht nga vetë OSBE-ja (ligjet antifjalë dhe amendimet kushtetuese antikoalicion). Këtë zullum nuk e bëri as Kazakistani, shtet me kredenciale demokratike më të dobëta se Shqipëria, gjatë kryesisë së tij në 2010.
Vetëm se OSBE është e vetmja organizatë me fokus demokracinë ku Bjellorusia, pas shpërbëjes së Bashkimit Sovjetik, mbeti automatikisht anëtare duke qenë republikë ish-sovjetike (Lukashenko kurrë nuk tregoi interes për organizatën tjetër, Këshillin e Europës). Si e tillë OSBE mbetet i vetmi kanal institucional për të ndikuar pozitivisht në krizën e atjeshme.
Suedia si komardare shpëtimi për Bashkimin Europian e për vetë OSBE-në nga…
Më 17 gusht Kryetari i Rradhës Edi Rama shpreh shqetësimin për zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi, për të drejtat e liritë themelore të qytetarëve, për dialogun mes pushtetit e palëve të tjera si dhe ofron të vizitojë Minskun për takime me qeverinë e opozitën. Në këtë vizitë do të merrte pjesë edhe ministrja e Punëve të Jashtëme e Suedisë Ann Linde (kjo e fundit e merr kryesinë e rradhës në 1 janar 2020).
Ditën tjetër, më 18 gusht, ministrja Linde njofton përmes një komunikate shtypi se ka biseduar në telefon me homologun bjellorus Vladimir Makei, dhe i komunikoi atij qëndrimin suedez e të Bashkimit Europian mbi dhunën e papranushme kundër protestuesve dhe mashtrimin zgjedhor. Ajo kërkoi lirimin e të burgosurve politikë, nisjen e dialogut me opozitën dhe dëgjimin e zerit të protestës nga pushtetarët. Duke propozuar që OSBE të mbështesë dialogun mes palëve bjelloruse ministrja suedeze u ofrua të vizitojë Minskun si kryetare e rradhës së OSBE-së mbas Shqipërisë. Në këtë vizitë “do të jetë edhe zoti Edi Rama, kryeministër e ministër për Europën e Punët e Jashtme i Shqipërisë, aktualisht kryetar i rradhës” përmbyllej komunikata.
Dallimi ne deklarim midis Edi Ramës e znj. Linde duket qartë e lexuesi mund t’a gjykojë vetë. Por pse kryetari aktual nuk flet dot ne telefon me ministrin e shtetit në krizë por këtë e bën kryetari i pas pesë muajve kjo duket si e pakuptueshme në shikimin e parë.
Nuk e di nëse nga Tirana nuk kanë guxuar të telefonojnë apo ju a kanë refuzuar thirrjen.
… sikleti i satrapit ballkanik.
Por ajo që duket qartë është se Rama nuk ka kredencialet për të pretenduar përballë Lukashenkove respektimin e të drejtave demokratike të qytetarëve.
Ai nuk mundet të dënojë zgjedhjet presidenciale farsë të Lukashonkos duke qenë i vetmi shef qeverie i një shteti europian ku pushteti vendor është monopartiak, i denoncuar si i tillë e si i papranueshëm nga Këshilli i Europës dhe i dalë nga zgjedhje ligjërisht të dyshimta. Bashkimi Europian ka vënë, ndër të tjera, si kusht për negociatat sqarimin e ligjshmërisë e zgjedhjeve të qershorit 2019. Po ashtu BE ka venë si kusht daljen para drejtësisë të votëvjedhësve të dosjeve 339 e 184, të cilët vetë Rama i ka mbrojtur publiksht e promovuar politikisht. Për më tepër, siç thamë më lart, gjatë kryesisë së OSBE ndryshon sistemin zgjedhor në shkelje të normës së OSBE-së se këto ndryshime nuk mund të bëhen vitin e fundit.
Rama nuk mund të denojë dhunën policore para Lukashenkove sepse ai vetë përdori vjet përtej çdo mase e përpjestimi gazin lotsjellës kundër burrave, grave e fëmijve edhe kur ishin protestues edhe kur nuk ishin të tillë.
Rama nuk mund të kërkojë lirinë e fjalës e të medias para Lulashenkove mbasi gjatë kryesimit të OSBE-së e pa pyetur për kundërshtimin e OSBE-së miratoi ligjin antifjalë duke i “shtuar” edhe një kusht Shqipërisë për çeljen e negocatave me BE.
Rama nuk mund t’u sugjerojë Lukashenkove një dialog të sinqertë me opozitën mbasi ai vetë këtë e mundet t’a realizojë vetëm me opozitarët rrogëtarë të tij. Edhe atë dialog real për reformën zgjedhore të ngritur me mundim ai e siluroi përmes amendimeve kushtetuese të njëanëshme, të cilat i miratoi me rrogëtarët e tij.
Dhe së fundmi Rama nuk mund të bindë kënd se ndërhyrja e OSBE-është e nevojshme pasi vetë, sa herë ja ka dashur interesi i pushtetit, i ka refuzuar miqtë ndërkombëtarë. Kështu bëri me zgjedhjet lokale vjet, kështu dhe me amendimet kushtetuese sivjet.
Këto i di mirë Aleksander Lukashenko! Atij i volit të ketë në tryezë një kryetar OSBE-je me kësisoj profili. Këto i dinë edhe në Europë e OSBE. Por siç thuhet halli të bën të qeshësh kur nuk të qeshet si dhe të përkrahësh kryesinë e OSBE-së me shejtanin brenda. Dhe për të kryer punë po operojnë me kryesinë suedeze e cila formalisht fillon në janar. Por që de facto po fillon pesë muaj më herët: nga sikleti i satrapit ballkanik!
Gjithësesi liria e demokracia e 9,5 milionë bjellorusëve është primare. Prandaj urime e sukses atyre si edhe çdo faktori të jashtëm qē mund të japë ndihmë.