Rama u vetëshpall dhe si lider i Lëvizjes së Dhjetorit….

Nga Arben Braçe-
Pikërisht, në natën e shenjtë të Krishtlindjeve më të dëshpëruara për shqiptarët, në kohë të vështirë Pandemie, kur e udhës do të ishte, një urim i thjeshtë, me një mesazh paqeje dhe inkurajimi për të gëzuar shëndet, për të gjithë publikun e lodhur prej varfërisë, në një gjëndje deliri dhe pështirosjeje infinite, Kryeministri zgjedh të fallsifikojë edhe një herë historinë, por këtë radhë, në zemër të saj, në thelbin e ndryshimit të madh, revolucionit të vërtetë, të bërë me aq mund, sakrificë dhe përgjakje nga idealistët shqiptarë.
Zot i madh çfarë banaliteti! Minimumi moral, do të ishte, që për këtë çështje, të mos fliste kurrë në të gjithë jetën e tij të mbytur nga luksi, ndërsa tashmë na del, që ideatori i madh, sikur kohë më parë Lenini nga Berlini, ka drejtuar nga Korfuzi, të gjithë lëvizjen studentore të Dhjetorit, dhe rastësia nuk e paska lejuar, që të vijë aty ta drejtojë sikur sot PS-në me dorën e tij. Pra thënë më drejtëpërdrejtë “Babai i revolucionit të Dhjetorit”
Nuk di sa TV, mund të thyhen sot nga shumë demokratë, që nuk patën mundësi, që të marrin as mirënjohjen minimale, për kontributin e dhënë, në atë pak demokraci që gëzojmë sot dhe që me aq paturpësi dhe pa asnjë prohibicion moral, Kryeministri ka vendosur në praninë e medias më të dëgjuar në vend, të përdhunojë historinë, duke përvetësuar, atë pjesë, ndër më të lavdishmet të historisë shqiptare.
Natyrisht, që kjo pjesë, nuk është as ndonjë aset publik, PPP, ose pronë private, që gjithë këtë kohë është trajtuar sikur i ka dashur qejfi, çdo kryepolitikani të korruptuar.
Gjithsecili, ka të drejtën të mendojë sipas dëshirës për veten e tij edhe për kontrributin e tij si në proceset politike, por edhe ato artistike edhe në çdo fushë tjetër, por kur këto mendime përpiqet t’i përkthejë në fakte të paqena përpara publikut, natyrisht, që përpos paturpësisë morale, përbën edhe një shkelje të rëndë penale, atë të falsifikimit të historisë.
Megjithëse atë ditë nuk kam qënë personalisht aty, një diçka besoj që e di mirë, që ditën që ka marrë guximin të shkelë aty, ku kishte idealizëm të vërtetë dhe shpirt antidiktaturë, është pritur tamam shqiptarisht dhe me guxim arbëror, nga dy persona, nga të cilët njërit i mori jetën partia e këtij që ka drejtuar nga jashtë dhe më pas edhe nga brenda revolucionin, ndërsa tjetri, është tërhequr nga jeta politike, megjithëse ka merituar poste të larta drejtuese në PD, ndoshta sot është i pari, që po thyen TV-në në shtëpinë e tij. Që ateherë, nuk u duk për së gjalli aty.
Sidoqoftë. kjo nuk po ndodh për herë të pare. Aty ku grabiten të gjitha pushtetet, mediat dhe shtypi i lirë, vetë fjala e lirë dhe të gjithë pronat publike të vendit, gjëja e fundit që bëjnë raca e të gjithë delirantëve, është falsifikimi i historisë tjetërsimi i saj dhe grabitja e të gjithë vlerave duke, ia atribuar vetes paturpësisht.
Heshtja e historianëve, inteligjencës, dhe vetë protagonistëve të vërtetë të revilucionit do të na çojë padyshim, aty ku çuam pronën publike, trashëgiminë kulturore e të gjithë vlerat e vërteta të vendit tonë të varfër, por me histori të grabitur, dikur ashpërsisht nga të huajtë, tani paturpësisht edhe nga vetë shqiptarët e korruptuar.

SHKARKO APP