Rama-Vuçiç dhe takimi (i munguar) me Metën

Nga Skënder Minxhozi

Në harkun e kalendarit sportiv të dy ndeshjeve Serbi-Shqipëri dhe Shqipëri-Serbi, pra nga nëntori 2014, në tetor 2015, dy shtete historikisht armike duket se kanë qepur një pjesë të madhe të humnerës shekullore që i ndante mes tyre. Këtë të paktën duhet të besosh, teksa sheh sesa dendur janë takuar kryeministrat e dy vendeve, në hapësirën që ndan këto dy ndeshje futbolli. Kur droni nacionalist i Ballist Morinës u duk sikur do të hidhte në erë paqen e brishtë mes dy kryeqyteteve, papritur pasoi një periudhë qetësimi gjakrash, e cila nuk u prish as kur kombëtarja jonë e fitoi në taviolinë ndeshjen e lënë përgjysëm të Beogradit.

Sonte dy kryeministrat Rama dhe Vuçiç patën një shkëmbim krejt civil dhe normal qëndrimesh, ndaj të gjithë gamës së problemeve (por edhe shanseve) që mbushin dosjen e madhe shqiptaro-serbe. Dukeshin si dy politikanë që kishin pas vetes një histori të gjatë takimesh, njohjeje dhe komunikimi normal, megjithëse e dimë shumë mirë që nuk është kështu.

Çfarë do të thotë që Edi Rama është takuar më shpesh, në tre muajt e fundit, me Aleksandër Vuçiç, sesa me Ilir Metën? Mos ndoshta do të thotë që mes dy aleatëve të majtë punët nuk janë mirë? Patjetër që po.

Por do të thotë edhe që mes Shqipërisë e Serbisë, të paktën në nivelin e komunikimit të nivelit të lartë, punët po shkojnë shumë më mirë sesa një apo dy vjet më parë. Nëse ndeshja e parë në stadiumin e Partizanit qe një gati-luftë, kjo e dyta e Elbasan Arena po afrohet në një klimë ku politikanët e lartë në Tiranë dhe Beograd po bëjnë siç duhet pjesën e tyre, për ta “shfryrë” topin e nacionalizmit dhe sherreve dyanëshe.

Dialogu Rama-Vuçiç nisi si një sposnorizim diplomatik gjerman, si një bast i kancelares Merkel, për të thyer tabunë më të madhe që rënia e komunizmit kishte lënë në hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Tashmë kjo dyshe e habitshme dhe idhnake e nëntorit të vitit të shkuar, ku secili ruante gafat dhe lëvizjet e gabuara të tjetrit, duket se është shndërruar në një marrëdhënie intensive bashkëpunimi, krejt përtej asaj që pritej dhe parashikohej.

Përtej çdo ligësie, meskiniteti dhe përgojimi të rastit (që nuk mungon kurrë në këto raste), kjo është një gjë e mirë që po i ndodh dy vendeve që janë urryer e luftuar për shekuj mes tyre. (Javanws.al)

SHKARKO APP