Rama – Vuçiç simfoni apo muzikë dhome?

 

Nga Irfan Rama

Takimi Rama – Vuçiç i 27 majit 2015 në Tiranë që u përcoll dhe po përcillet nga mediat shqiptare e ndërkombëtare, nga politikat e mëdha dhe të vogla kombëtare dhe ndërkombëtare ishte një takim – që për rrethanat e krijuara pas Dronit të famshëm që deri në atë kohë të vështirë tetori dukej si një kometë e rrallë drithërake dhe fobike – me vlera të sensit meritiv për dy popujt e Ballkanit. Që aq shumë kanë patur antagonizma shumë shekullore me rezultante : shumë të vrarë, shumë të plagosur, shumë të gjymtuar, shumë agresivitet dhe armiqësi të përjetuara, shumë urrejtje me spirale thuajse gjithëherë “progresuese.”

Ndonëse shqiptarët kurrëndonjëherë nuk i kanë kaluar kufijtë gjeografikë të tyre, për mësymje, vrasje, grabitje, përdhunime, zjarrëvënie e djegje shtëpish tok me gra, fëmijë e pleqë… Ndonëse shqiptarët kanë ditur të komunikojnë përherë me gjuhë të gjalla urtësise e paqërie me serbët dhe as kanë dashur ndonjëherë të përdorin armët ndaj tyre. Dhe i kanë përdorur vetëm atëherë kur fryma e barutit serb ndizej e digjej pa ndalim e përkthehej me rrjedha e lumenj gjaku. Se shqiptarët kurdoherë kanë patur në duar edhe nga pozitat gjeografike e faktoritë klimatiko – tokësore vetëm degëza ulliri, madje edhe pas gjaqeve të mëdha e mizorive plandosëse si ato të Millosheviçit në fundvitet 90’ të shekullit që përshkruam. Nuk kemi ngritur as statuja të mëdha e konglomerate për të përjetësuar emrin e keq në histori kundër shqiptarëve të serbëve. Edhe nëse kemi ngritur ndonjë apo disa nuk i kemi bërë baronike apo Nelsonike 20 apo 30 metro të larta por të ulta e tokësore, për ato bij e bija që janë vrarë në tokën e vet. Se shqiptarët e kanë patur adenike prej qindra e qindra vjetësh vetëm të mikpresin e nëse të tjerët kanë dashur t’i gllabërojnë kanë ndezur armët e zjarret për mbrojtëm. Takimi Rama -Vuçiç i mbështolli së toku elementët fortisimo të një simfonije por edhe këndshmëritë qetësuese të muzikave të dhomës. Edhe fjali që mbartnin tonalitet epik, legjendar e papërkulshmëri ndaj parimeve në thonjëza e pa thonjëza të pashkelshme të kombit të vet siç nënvizoi siglueshëm gojarisht – se mendërisht tulatja është më ledhueshëm –  Vuçiç se “Kosova është Serbi” (?!) por edhe fjalë luajale si Kapërcim pengesash e ndasish për të parë përpara që Vuçiç e përdori me aq mbikalim nga e kaluara aspak e lavdishme e shtetit serb. Ashtu si edhe Rama që e filloi ligjerimin me “ndonëse në takim nuk patëm dakordësi në gjithçka” (?!) – a thua se ish bërë takimi për të konfirmuar asgjënë – por që shumë herë përdoroi “paradigm shift” nevojën e ndryshimin e modelit të marrëdhënieve gjithmonë të acaruara dhe konfliktuale midis Shqipërisë dhe Serbisë në një model të ri si Franca me Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe që tashmë dueti Gjermani – Francë e Hollande – Merkel është bërë arim i simbolit të mbajtjes në dy këmbë të Europës së Bashkuar.

Pavarësisht se fjalën “Kapërcim” e blatoi miku nga Serbia dhe konceptin e modelit bashkëpunues me modul perendimor të dy vendeve e popujve tanë me vektorim drejt prosperitetit e “shkencëroi” metodologjikisht e në mënyrë doktrinare kryeministri ynë karizmatik – por i qetë, dinjitoz e skrupoloz në shumicën e citimeve që prodhoi – dueti Rama – Vuçiç prodhoi politikë e të bërit politikë të jashtme që qetëson popujt apo pjesë popullsish që kanë nervim apo nervime të nacionalizmave jashtëkohore. Që i bën popujt të komunikojnë më natyrshëm, individët apo grupe të tëra njerëzish të tregtojnë, menaxhojnë e ndërtojnë së bashku produkte ekonomike, turistike, kulturore e artistike si dhe ato sportive. Që breznitë e reja të gjenerojnë kulturën e respektit e bashkëpunimit reversibël.

Sepse burrat e shtetit, njerzit e shquar, filozofët e mëdhenj janë shtyrë nga ndjenja të atilla njerzore dhe nga pozionet e tyre të hapura për të pranuar qëndrimet e të tjerëve. Ata kanë nxitur hyjnërisht në të gjitha fushat kapërcimin e kufizimeve kombëtare për hir të marrëdhënieve në shkallë rajonale e botërore. Dhe Ballkani si një fuqi eksplozive e përhershme në histori, si konfiguracioni gjeografik ku janë kurthuar episode banale për të nisur konflikte marrëzike botërore duhet ta ketë tashmë tagrin në të 21-tin shekull që të mendojë për vehte dhe për popujt e vet për t’i zbrazur në Europën e mirëqenë dhe të Bashkuar.

Se BE dhe SHBA tashmë nuk duhet të luajnë në Ballkan më vetëm rolet e moderatorëve, të mësuesve dhe pedagogëve apo tutorëve në pajtime liderësh, mësimdhënien e shkruarjes së ligjeve e platformave zhvillimore ekonomike por të hapin edhe qeset me para për t’i ndihmuar për projektet e mëdha zhvillimore. Se popujt me punë, zhvillim e mirëqenie shuajnë dhe harrojnë më shpejt plagët e barbarizmat e shkuara. Sepse siç e tha hapur Vuçiç në “Forumin Ekonomik të Vjenës” të mbajtur të mërkurën në Tiranë: “Boll më me seminare BE, tani duam para për të zhvilluar projektet tona rajonale”. E aty ishin ish-ministrat e jashtëm gjerman e francez Fisher dhe Vedrin. Pra ishin si të thuash Merkel e Hollande. Se Vuçiç sa nuk tha: “Hë pra hudhnu në para BE e SHBA se Putin po na pret tek dera me miliarda.”

Aleksandër Vuçiç i deklaroi “Associated Press”  të mërkurën me 28 maj 2015 se “Vendi i tij do të pranoj thirrjet e SHBA-së për të zvogluar varësinë nga rubinetat e gazit Rus duke përcjellur tubacionin amerikan që do të sjell gaz në Europë nga Azerbajxhani. Ne jemi gati të diversifikojmë burimet e gazit në Serbi, i cili është shumë i rëndësishëm për miqtë tanë amerikanë”. E kjo deklaratë nuk është pak qoftë për BE ashtu edhe për SHBA duke ditur se emocionalisht dhe praktikisht në Serbi ka grupe të mëdha politike që janë fuqimisht pro Rusisë duke futur këtu edhe presidentin tepër emotiv madje instiktues kundër shqiptarëve.

Pavarësisht se ardhja e Vuçiç në Tiranë u parapri me pergatitje të etheshme ushtarako – policore ndoshta njësoj si përgatitjet serbe për pritjen e Ramës 6 muaj më parë në Beograd –  të mos harrojmë se atmosfera në Serbi pas ndeshjes Serbi – Shqipëri ishte shumë acaruese – ku qindra e qindra polici e llojni policish ishin ngritur në këmbë e një helikopter shoqëronte kalimet e liderit serb – a thua se shumë shqiptarë kishin marrë armët për ta dërguar në botën tjetër “armikun” Vuçiç kur është realisht katërcipërisht ndryshe. Pavarësisht se shqiptarët po qëndronin nën “breshëri ankthi” për atë se çfarë dy liderët do të vrumbullojnë nga gojët për drejtësitë dhe të vërtetat e vendeve, politikave e ndershmëritë e popujve të tyre,  të dy liderët Rama dhe Vuçiç treguan respekt, përgjegjësi dhe vullnet për të ecur përpara. Edi Rama në mikpritje e mirësjellje ishte brilant krahasuar me homologun serb në Beograd. Dhe ai duhet të jetë ndjerë pak frikshëm kur ka kujtuar Beogradin e para gjashtë muajve. Sidoqoftë edhe Rama edhe Vuçiç ishin atë ditë por edhe në ditën tjetër “martirë” të ideve të reja dhe inspirues të së vërtetave të reja si Florestani tek opera “Fidelio” e Bethovenit.     

SHKARKO APP