Rama zgjedh Vuçiç në vend të Kurtit

Nga Mili Xhani –

Vizita e parë e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti ishte momenti më i mirë për kthimin me këmbë në tokë të politikës së jashtme të qeverisë “Rama”. Pas eksperimenteve me “mundësinë e madhe” të diskutimit të territoreve, pas projektit të Mini Shengenit rajonal dhe pas padive dhe baltës së hedhur ndaj liderëve të Kosovës, dje ishte koha që Tirana zyrtare të respektonte autoritet e zgjedhura të Kosovës. Në shtetin tjetër shqiptar tashmë ka një qeveri legjitime, me të drejtën për të folur dhe për të vendosur vetë për Kosovën. Edi Rama mund të tregonte se është vetëm përfaqësues i Shqipërisë dhe nuk mund të përdorë Kosovën për çështjet e politikës së jashtme, apo halleve të brendshme që ka. Por edhe dje kryeministri nuk zhgënjeu në qëndrimet e tij për të bërë gjithmonë atë që nuk duhet. Fillimisht e trajtoi kryeministrin e Kosovës si një riosh në detyrë që ende nuk i ka kuptuar punët e rënda të qeverisjes. Më pas, me përvojën që ka fituar nga qeverisja problematike e 7 viteve në Shqipëri, mori përsipër ta mësojë sesi duhet të sillet kryeministri i ri i Kosovës në marrëdhëniet rajonale.

Albin Kurti tha se kishte ardhur në Tiranë për të diskutuar për bashkëpunimin mes dy shteteve shqiptare dhe e përmblodhi idenë me makroshengenin shqiptar. Në këtë pikë, Edi Rama nuk e fshehu nervozizmin dhe i kujtoi Albin Kurtit se makroshengeni nuk mund të bëhet pa minishengenin rajonal. Loja e fjalëve në konferencën për mediat tregonte shumë për tensionet që kishte pasur biseda e dy kryeministrave në takimin kokë më kokë. Albin Kurti po i kërkonte Edi Ramës bashkëpunim mes dy shteteve dhe zbatimin konkret të dhjetëra marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve dhe që kanë mbetur ende në letër. Kryeministri i ri i Kosovës nuk përmendi as telashet dhe kostot e rënda që i ka sjellë shtetit më të ri në Ballkan qëndrimi pakuptimtë i qeverisë “Rama”, ndaj Kurti nuk përmendi as faktin e rëndë se nga një promovuese e Kosovës në zhvillimet rajonale, Shqipëria e ka përjashtuar Kosovën në tre takime të mbajtura me Serbinë dhe Malin e Zi. Në vend të këtyre, Kryeministri i ri i Kosovës ka folur për një koordinim të politikës së jashtme të dy shteteve në rajon, si një detyrim edhe kombëtar. Ishin mesazhe për një fillim të ri dhe me këmbë të mbarë të marrëdhënieve institucionale të trazuara këto kohë mes dy vendeve.

Kësaj ftese, Edi Rama ju përgjigj me historinë e vëllazërisë shqiptaro-serbe, me emrin europian minishengen rajonal. Kurti kërkoi që Tirana të ndihmojë dhe të shoh si partnerë kryesorë në rajon Kosovë, ndërsa Edi Rama la të kuptohet se mes Kurti dhe Vuçiçit zgjidhte këtë të fundit. Të refuzosh Kosovën për një projekt që duket hapur se i leverdisë më shumë Serbisë se shqiptarëve, është më shumë se miopi diplomatike. Argumentet se pas shengenit me Serbinë qëndrojnë ndërkombëtarët është vetëm justifikim për konsumim të brendshëm, por jo qëndrim real politik. Nuk ka ndërkombëtar që del kundër bashkëpunimit në rajon dhe fakti që do të rregullojë miqësinë me Serbinë nuk ka si të kritikohet në parim. Problemi është se çfarë fiton Kosova nga kjo vëllazëri me serbët, kur ende nuk është njohur si shtet dhe sot ndodhet pala me e dëmtuar. Kryeministri i Shqipërisë para se të lobojë për ide dhe projekte të tilla e ka detyrim të respektojë dhe qëndrimin e Kosovës. Jo vetëm që se bëri këtë, por në rastin e parë që ju desh të zgjedhë, preferoi të jetë në krah të Aleksandër Vuçiç dhe jo Albin Kurtit.

 

SHKARKO APP